Një tjetër skandal i rëndë trondit sistemin penitenciar shqiptar. Burime për “Ma Shqip” bëjnë me dije se në Burgun e Durrësit janë gjetur 27 telefona celularë vetëm në një kat, pas një kontrolli të ushtruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Kontrolli erdhi pas publikimit të videos në emisionin “Ma Shqip me Flamur Vezaj”, ku shfaqej Lulzim Berisha dhe të dënuar të tjerë duke festuar brenda qelive, një pamje që ngriti alarmin për një situatë jashtë kontrollit në burgje.
Por ajo që e bën edhe më të rëndë këtë ngjarje është fakti se operacioni, megjithëse i konsideruar “sekret”, dyshohet se është dekonspiruar nga brenda vetë strukturave të policisë së burgjeve.
Sipas burimeve, të burgosurit kanë pasur kohë të mjaftueshme për të fshehur provat, duke hedhur 27 telefonat në kanalizimet e dusheve, vetëm pak minuta para mbërritjes së forcave nga Tirana.

Dyshohet se mes telefonave të hedhur ndodhej edhe ai i Lulzim Berishës dhe i personave të tjerë që shfaqeshin në videon skandaloze. Pajisjet janë sekuestruar dhe i janë dorëzuar SHKB për verifikime të mëtejshme, ndërsa pritet që dosja t’i kalojë Prokurorisë.
LEXO EDHE: Skandal/ Grupi i Lul Berishës festë me muzikë e alkool në burgun e Durrësit (PAMJET)
Burimet theksojnë se nëse zhvillohet një hetim i thelluar, mund të dalë në pah një zinxhir i rrezikshëm bashkëpunimi brenda sistemit, ku drejtues të lartë dyshohet se jo vetëm furnizojnë të burgosurit me telefona, por edhe i paralajmërojnë për kontrollet.

Ndërkohë, kontrollet janë shtrirë edhe në burgje të tjera në vend për të zbuluar sende të paligjshme, ndërsa e hëna pritet të jetë vendimtare për masa disiplinore nga drejtuesit e lartë të sistemit penitenciar.

Pyetja që ngrihet është tronditëse: nëse në një kat të vetëm u gjetën 27 telefona, sa mund të jenë në të gjithë burgjet e Shqipërisë? Dhe më e rëndësishmja, kush i fut, kush i mbron dhe kush i njofton të burgosurit?
Ky nuk është më një incident i izoluar, por një alarm i fortë për një sistem të kapur, ku ligji duket se ndalet te dera e burgut. /Marrë nga Mashqip.com