Një denoncim i emisionit Stop ka nxjerrë në pah një abuzim që ngre dyshime serioze për manipulim të procedurave në testimin shtetëror për mjekët.
Në qendër të çështjes është një mjeke shqiptare, me përvojë profesionale në Itali, përfshirë edhe në "Ospedale Pediatrico Bambino Gesù", (Spitali Pediatrik Jezusi Fëmijë) e cila kishte vendosur të rikthehej në Shqipëri për arsye familjare dhe kishte aplikuar për një pozicion si nefrologe në Pediatrinë e Tiranës, në bazë të shpalljes së datës 13 shkurt 2026 nga Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza.
Korniza ligjore për aplikuesit është e qartë: një kandidat nuk mund të marrë pjesë në një konkurs për një pozicion në administratën spitalore nëse është në një marrëdhënie aktive pune me një institucion publik. Ky kriter është zbatuar fillimisht, duke çuar në skualifikimin e dy mjekëve konkurrues. Por ajo që pasoi, sipas denoncimit, përbën një skandal me të cilin duhet të merren organet e drejtësisë.
Brenda një intervali të shkurtër kohor, procedura është përmbysur. Konkursi është anuluar dhe një prej kandidatëve të skualifikuar është rikualifikuar dhe më pas emëruar në detyrë, në kundërshtim flagrant me kriteret e shpallura më parë.
“Pasi u skualifikuan dy mjekët për shkak të marrëdhënies së punës, brenda një jave gjithçka u përmbys. Njëra nga kandidatet paraqet dorëheqje në një moment kur kjo nuk mund të pranonte efekt juridik për këtë procedurë. Kjo është një padrejtësi e pastër”, është shprehur mjekja e dëmtuar për emisionin.
Verifikimet në terren të gazetarëve hedhin dritë mbi një abuzim të pastër. Në spitalin e Kavajës konfirmohet se mjekja në fjalë që ka fituar vendin e punës në Tiranë është larguar prej rreth një muaji nga puna, ndërsa në Pediatrinë e Tiranës evidentohet se ajo ka nisur punë vetëm prej një jave. Ky hendek kohor tregon se dorëheqja është formalizuar pasi ishte siguruar pozicioni i ri, duke e kthyer të gjithë procesin në një procedurë të paracaktuar. (VIDEO KËTU)
Në reagimin e saj, Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza shmang thelbin e problemit, duke mos adresuar faktin kyç: shkeljen e kriterit bazë të aplikimit. Ndërkohë, avokati i mjekes, Klaudio Zholi, e konsideron procedurën të paligjshme në thelb.
“Konstatojmë se nga ana e QSUT është shkelur udhëzimi 205 i Ministrisë së Shëndetësisë. Rikualifikimi është bërë në kundërshtim me procedurën dhe pa verifikuar nëse dorëheqja është dhënë para aplikimit. Udhëzimi e përcakton qartë se kandidati nuk duhet të jetë në marrëdhënie pune në momentin e aplikimit. Në këtë rast, kjo nuk është respektuar”, thekson ai.
Historia e denoncuar në emisionin Stop e nxjerr hapur deformimin e rregullave, që përjashton konkurrencën e ndershme dhe minon besimin në institucionet publike. Praktikisht konkurset në QSUT rezultojnë të jenë një farsë administrative me fitues të paracaktuar.
Raste të tilla nuk janë episodike dhe pikërisht për këtë arsye, organet e drejtësisë duhet të ndërhyjnë pa vonesë dhe ta çojnë këtë çështje deri në fund, për të vendosur përgjegjësi të qarta dhe për të frenuar një kulturë abuzimi që po gërryen themelet e sistemit shëndetësor.