Një atmosferë e mbushur me alegri e energji që vjen jo nga një shtëpi, sallë festash apo klub, por nga një qeli burgu. Pamje të paprecedenta vijnë nga burgu i Durrësit ku janë disa prej emrave më të njohur prej drejtësisë shqiptare.
Do duhet të ishin në regjim të rreptë sigurie, por me sa duket fama jashtë në dritën e diellit, vijon edhe brenda 4 mureve të burgut duke iu siguruar një qëndrim me 5 yje pas hekurave.
Kush i sheh këto pamje, mendon se nuk qenka aq keq në burgje. Siç shihet nga video e siguruar dhe publikuar nga portali “Ma shqip” i gazetarit Flamur Vezaj, të burgosur si Lulzim Berisha apo Fehmi Mziu, Astrit Avdulaj, Islam Kasa etj. Janë të lirë të festojnë në burg me alkool, muzikë, televizor dhe aheng siç u do zemra.
Mes tyre duket dhe një i dënuar në moshë shumë të re. E me sa duket shprehja “burgu për burra është” ka marrë një tjetër dimension.
Nuk dihet kur është filmuar kjo video pasi në janar të 2026-ës Lulzim Berisha dhe Astrit Avdylaj, për shkak të rrezikshmërisë, u transferuan nga burgu i Durrësit drejt burgjeve të sigurisë së lartë si ai i Peqinit ose Fierit.

Gazetari Flamur Vezaj theksoi se video dyshohet se mund të jetë filmuar edhe në burgun e Peqinit dhe është mbajtur për një periudhë për verifikim para publikimit. Sipas tij, pamjet tregojnë qartë se dera e qelisë duket e hapur, ka disa telefona në përdorim dhe një situatë që nuk përputhet me rregullat e një burgu të sigurisë së lartë.
Gazetari Artan Hoxha e cilësoi videon si një tregues të qartë të mënyrës si funksionon sistemi në burgje, duke theksuar se kush ka para, siguron kushte dhe privilegje edhe brenda qelisë. Sipas tij, gjithçka ka një çmim: telefonat futen me pagesë, alkooli sigurohet me lekë, ndërsa “malli” hyn përmes rrugëve të paligjshme dhe shpesh me çmime më të larta se jashtë. Lëvizja nga një qeli në tjetrën nuk ndodh rastësisht, por përmes marrëveshjeve dhe favoreve.

Sipas Hoxhës, kjo video mjafton për të nisur një hetim të plotë për të kuptuar se si kanë hyrë sendet e ndaluara, kush i ka lejuar dhe kush përfiton nga kjo situatë, pasi pa bashkëpunim nga brenda kjo është e pamundur. Ai shtoi se pamje të tilla rrëzojnë çdo deklaratë për siguri dhe kontroll në burgje, duke treguar një realitet paralel ku disa të dënuar blejnë kushte dhe ndikim.

Ky skandal ka ngritur pikëpyetje serioze mbi funksionimin e institucioneve të vuajtjes së dënimit dhe nivelin e korrupsionit brenda tyre, ndërsa mbetet për t’u parë nëse autoritetet do të reagojnë dhe do të nisin hetime për zbardhjen e plotë të rastit.
Cilët janë personat në video
Lulzim Berisha është një emër i njohur si ish-kreu i “Bandës së Durrësit”. Ai u arrestua fillimisht në vitin 2006 në Maqedoni dhe u dënua me burgim të përjetshëm, por ky dënim u ul më vonë në 25 vite burg. Në vitin 2016, ai u lirua me kusht nga Gjykata e Durrësit për “sjellje të mirë” dhe arsye shëndetësore, një vendim që shkaktoi debate të mëdha politike dhe publike në Shqipëri. Në dhjetor 2023 u arrestua në Spanjë dhe u ekstradua në mars të 2025-ës. Ai akuzohet tani për vrasjen e rivalit të tij, Klodian Saliu, në vitin 2005, si dhe për përfshirje në vrasjen e Vajdin Lames.
Astrit Avdylaj, i njohur me nofkën “Niçja”, njihet si kreu i “Bandës së Shijakut” dhe në shkurt të këtij viti u dënua me 12 vite burg. SPAK e akuzon atë për “sigurimin e kushteve për vrasje” ndaj rivalëve si Durim Bami, në bashkëpunim me grupe të tjera kriminale si ai i Ervis Martinajt dhe Arben Ndokës. ©LAPSI.al