Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez minimizoi të premten një email të rrjedhur nga Pentagoni, sipas të cilit Spanja mund të ndëshkohet për mosmbështetjen e luftës në Iran, madje edhe me pezullim nga NATO.
“Pa merak,” i tha Sánchez POLITICO-s në mbërritje në samitin e liderëve të BE-së në Qipro. “Ne po i përmbushim detyrimet tona ndaj NATO-s.”
Qeveria spanjolle, shtoi ai, ka një qëndrim të qartë: bashkëpunim i plotë me aleatët, por gjithmonë brenda kuadrit të së drejtës ndërkombëtare.
Sánchez refuzoi të komentojë përmbajtjen konkrete të emailit të rrjedhur, i raportuar fillimisht nga Reuters, duke thënë se qeveria e tij nuk komenton emaile, por vetëm dokumente dhe qëndrime zyrtare të SHBA-së.
Sipas Reuters, emaili përmban një seri masash që administrata e Donald Trump mund të marrë për të ndëshkuar aleatët e NATO-s që Uashingtoni i konsideron “të vështirë” ose jo mjaftueshëm mbështetës të luftës në Iran.
Spanja në shënjestër
Në dokument, Spanja veçohet si një nga kundërshtaret më të zëshme të konfliktit dhe si një vend që shpenzon pak për mbrojtjen në NATO. Pikërisht për këtë arsye përmendet edhe mundësia e pezullimit të saj nga aleanca, duke reflektuar zemërimin e Trump ndaj Madridit.
Presidenti amerikan thuhet se ishte tërbuar nga vendimi i Sánchez për të ndaluar avionët amerikanë të luftës të përdornin bazat ushtarake të përbashkëta ose hapësirën ajrore spanjolle për të sulmuar Iranin. Muajin e kaluar, Trump madje kërcënoi se do të ndërpriste të gjitha marrëdhëniet tregtare me Spanjën.
Megjithatë, traktati themelues i NATO-s nuk parashikon asnjë mekanizëm për pezullimin apo përjashtimin e një anëtari. Dokumenti parashikon vetëm largime vullnetare, që kërkojnë njoftim një vit më parë.
Ish-zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, tha se është e vështirë të kuptohet sa seriozisht duhet marrë një email i tillë, përtej asaj që ajo e quajti një lloj “provokimi ideologjik”. Sipas saj, edhe ideja për t’u hequr vendeve poste të larta ushtarake në NATO do të ishte shumë e vështirë për t’u zbatuar, sepse aleatët sapo kanë rinegociuar ndarjen e tyre deri në vitin 2029.
Edhe Britania përmendet
Emaili i rrjedhur sugjeron gjithashtu se Uashingtoni mund të rishikojë qëndrimin e tij mbi pretendimin britanik ndaj Ishujve Falkland, si hakmarrje për refuzimin e Mbretërisë së Bashkuar për t’u përfshirë në luftën me Iranin.
Trump thuhet se u zemërua edhe nga vendimi i kryeministrit britanik Keir Starmer për të qëndruar jashtë konfliktit. Javën e kaluar ai la të kuptohej se mund të ndëshkonte Londrën duke shkatërruar një marrëveshje të rëndësishme tregtare. Një ndryshim i qëndrimit amerikan mbi Falkland do të ishte një përshkallëzim i madh në marrëdhënien e veçantë SHBA-Britani.
Britania dhe Argjentina kanë prej dekadash një mosmarrëveshje për sovranitetin mbi këta ishuj në Atlantikun Jugor. Në vitin 1982, Argjentina pushtoi Falklandin, duke sjellë një luftë 74-ditore që përfundoi me fitore britanike, me mbështetje materiale dhe logjistike nga SHBA.
I pyetur për raportin, një zëdhënës i Downing Street tha se banorët e ishujve kanë votuar në mënyrë dërrmuese për të mbetur territor britanik përtej detit dhe se Londra do të vazhdojë të mbrojë të drejtën e tyre për vetëvendosje.
Kërcënimet ndaj NATO-s
Trump ka kërcënuar vazhdimisht me largimin e SHBA-së nga NATO. Ai e hodhi për herë të parë këtë ide gjatë mandatit të parë në Shtëpinë e Bardhë dhe e ka rikthyer sërish pas rizgjedhjes. Pas refuzimit të disa aleatëve për t’iu bashkuar sulmit ndaj Iranit, presidenti dhe ekipi i tij thanë se do të rishikonin qëndrimin ndaj aleancës.
Nuk është e qartë nëse emaili i Pentagonit lidhet me listën e vendeve “të mira dhe të këqija” të NATO-s që Shtëpia e Bardhë kishte përgatitur përpara vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm Mark Rutte në Uashington në fillim të prillit. Sipas POLITICO-s, dokumenti rendiste vendet sipas kontributit të tyre në aleancë.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kishte sugjeruar që aleatët “model” të SHBA-së duhet të trajtohen me favore të veçanta, ndërsa ata që “dështojnë të bëjnë pjesën e tyre për mbrojtjen kolektive” duhet të përballen me “pasoja”.
Politico, përgatiti në shqip ©LAPSI.AL