Nga Adriatik Kelmendi
“S’po ndiej shumë nevojë të dal e të takohem me njerëz. Jam në shtëpi mes librash i shoqëruar me mendjet më të ngritura të botës!” Më kujtohet shpesh një thënie e këtillë e përafërt e Qosjes, dhënë në një intervistë të rrallë në Shqipëri, në një stinë kur po sulmohej gjithandej ashpër.
Edhe neve – neve që shpesh e trazuam dhe jo rrallë e harruam – tash kur s’e kemi fizikisht, na mbetet ta kujtojmë njëlloj. Mes librash, me mendjet më të ngritura të botës shqiptare.
IKU EDHE Rexhep Qosja. Një nga më të mëdhenjtë e mendimit shqiptar, një nga zërat më të fuqishëm dhe më të pavarur të letërsisë e të kulturës sonë kombëtare, na la në stilin e tij – me këtë shënim-porosi të thatë nga familja:
“Njoftojmë se sot, më datë 23.4.2026 është ndarë nga jeta dhe është varrosur Rexhep Qosja.
Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes.
Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja.
Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.
Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi!”
Revoltë? Edhe – po!
Sepse Rexhep Qosja nuk ishte thjesht një shkrimtar, ose studiues, profesor, ose akademik. Ishte forcë natyrore e kulturës shqiptare, një mendje që nuk pranonte kompromise, një penë që digjte dhe ndërtonte në të njëjtën kohë. Të tilla i kishte edhe qëndrimet politike. Gjithnjë e më rrallë fliste dhe shkruante qëndrime politike, por sa herë që e bënte një gjë ishte e garantuar – ndjellte uragan reagimesh. Secili kishte diçka për të thënë për ato që thoshte Qosja. Godiste në cak!
Mund ta pëlqeje, ose ta kritikoje. Por pa qëndrim nuk mund të mbesje.
KUJTIMET E MIA me të mu freskuan sot, si një fotografi e vjetër që nuk zbehet. Isha fëmijë i vogël kur ai vinte në shtëpinë tonë bashkë me Axhin Ramiz, shkrimtarin Ramiz Kelmendi. Dy intelektualë të mëdhenj, me shumë stil “alla franca”, dy figura që kishin shënuar historinë tonë përtej vetëm Kosovës, ulur në dhomën e pritjes, duke folur për letërsi dhe gjithçka tjetër me zë të ulët të ngjeshur. Unë këmbëngulja të rrija diku në qoshe, i heshtur, dhe shkrihesha tek i dëgjoja. Nuk kuptoja gjithçka, por ndjeja peshën e fjalëve të tyre. Në sytë e një dhjetëvjeçari më ngjanin me dy bjeshkë që bisedojnë mes vete. Qosja fliste me atë pasionin e tij karakteristik, me zërin e thellë të dominuar nga shqiptimi i fortë i ç-së së Plavë-Gucisë. Edhe atëherë, pa e kuptuar plotësisht, e ndjeja se po dëgjoja dy njerëz që po flisnin jo vetëm për libra, por për fatin e një populli.
Një ndjenjë e përafërt mu kthye me forcë të papërshkrueshme rreth 20 vjet më vonë, kur po e shoqëroja Ismail Kadarenë gjatë një qëndrimi të tij në Prishtinë. Më kërkoi ta shoqëroja edhe për një vizitë te shtëpia e Rexhep Qosjes, në lagjen Aktash. Çfarë çastesh! Dy gjigantë të letërsisë shqiptare, dy mendje që kishin ndriçuar shekullin tonë, herë-herë edhe duke polemizuar ashpër me njëri-tjetrin, në një bisedë private, larg syve të botës, para syve të mi të mahnitur. Nuk ishte thjesht takim miqsh e kolegësh. Ishte një dialog i gjallë mbi letërsinë, mbi historinë, mbi shqiptarët dhe botën. Fjalë si shkëndija prushi. Kadareja me elegancën e tij të mprehtë, Qosja me atë energjinë e tij polemike, të dy të lidhur nga një dashuri e thellë për gjuhën dhe për identitetin (evropian?) të shqiptarëve. Atë ditë, besoj, kuptova se çfarë do të thotë të jesh dëshmitar i një tradite të madhe kulturore dhe kombëtare. Magji e pastër.
HERËN E FUNDIT Qosjen e takova para dy vjetësh, në Panairin e Librit në Prishtinë. Ishte tashmë i lodhur, por me sy të gjallë që s’e tradhtonin. “Po të përcjell”, më tha me zë të ulët, nën një vështrim dashamirës, “por mos ma zë për të madhe që s’po jam në gjendje të vij”.
Edhe në fund të jetës, ai mendonte për të tjerët, për detyrën, për peshën e figurës që duhej ta mbante. Vetëm një herë, siç thoshte vetë ai për disa momente kyçe, ishte në një intervistë në Rubikon. Por ai e kaloi Rubikonin shumë herë në jetë; me libra, me polemika, me qëndrime të guximshme që – siç u tha – nuk u pëlqyen gjithmonë të gjithëve, por që e bënë të pavdekshëm.
Rexhep Qosja ishte një nga shkrimtarët më të mëdhenj që ka dhënë kombi shqiptar. Kritik letrar i shkëlqyer, studiues i thellë i letërsisë shqiptare dhe ballkanike, eseist i mprehtë, polemist i papajtueshëm. Ai nuk shkroi kurrë domosdoshmërisht për t’u pëlqyer. Sidomos në eseistikë. Por shkroi sigurisht atë që e besonte për të vërtetë dhe të dobishme. E deshën, s’e deshën, u diskutua, që do të thotë – u respektua.
Me ikjen e tij, humbasim një zë që na bën të mendojmë thellë dhe që na sfidon. Na mbeten librat e tij. Na mbeten kujtimet. Na mbetet shembulli i një intelektuali që jetoi me dinjitet dhe me përgjegjësi të madhe ndaj kombit të tij.
“S’po ndiej shumë nevojë të dal e të takohem me njerëz. Jam në shtëpi mes librash i shoqëruar me mendjet më të ngritura të botës!” Më kujtohet shpesh një thënie e këtillë e përafërt e Qosjes, dhënë në një intervistë të rrallë në Shqipëri, në një stinë kur po sulmohej gjithandej ashpër.
Edhe neve – neve që shpesh e trazuam dhe jo rrallë e harruam – tash kur s’e kemi fizikisht, na mbetet ta kujtojmë njëlloj. Mes librash, me mendjet më të ngritura të botës shqiptare./ Klan Kosova