Një përplasje e fortë ka shpërthyer në kantierin e Aeroportit të Vlorës, ku kompania MABCO denoncon se punimet janë bllokuar si pasojë e vendimeve të njëanshme të administratorit të VIA, Vegim Hoxha, duke e cilësuar situatën si një ndërhyrje të drejtpërdrejtë që rrezikon projektin.
Në reagimin e saj, kompania thekson se ajo që nisi si një pretendim për siguri është kthyer në një skenar përjashtimesh dhe bllokimi. Sipas saj, situata ka kaluar “nga pretendime të pabazuara për incidente sigurie në masa ekstreme, përfshirë përjashtimin e stafit drejtues, ndalimin e aksesit dhe pezullimin e punimeve”.
Pika e nisjes ishte vendimi i 8 prillit, ku VIA ndaloi punimet në pistë duke pretenduar “punime shpimi të paautorizuara”. MABCO i rrëzon këto akuza, duke deklaruar prerë se “deklaratat tuaja refuzohen kategorikisht si të pavërteta, çorientuese dhe pa asnjë bazë ligjore apo kontraktuale”.
Kompania pretendon se në realitet problemi qëndron te shkeljet e sigurisë nga vetë pala operuese. Në një email zyrtar, ajo sinjalizon se “është evidentuar prania e një personi të paautorizuar në kantier, pa identifikim dhe pa pajisje të detyrueshme sigurie”, duke ngritur shqetësime serioze për menaxhimin e kantierit.
Situata u përshkallëzua më 21 prill, kur administratori i VIA vendosi të përjashtojë drejtues të MABCO-s, duke i akuzuar për kërcënim. Por sipas kompanisë, ata thjesht kishin ndërhyrë për të larguar një person të paautorizuar nga kantieri, për të cilin VIA ishte njoftuar më parë.
Kulmi i konfliktit u arrit më 22 prill, kur përfaqësuesit e MABCO u ndaluan fizikisht të hynin në kantier, duke sjellë një bllokim total të punimeve. Kompania e cilëson këtë si një akt të hapur arbitrar, duke theksuar se “po ndërmerren masa të njëanshme, arbitrare dhe në kundërshtim të hapur me rolin dhe të drejtat e investitorit kryesor”.
Sipas MABCO, pasojat janë të drejtpërdrejta: janë ndërprerë procese kritike të ndërtimit, përfshirë sistemin e ndriçimit të pistës (AGL), duke vënë në rrezik përfundimin në kohë të projektit.
Në këtë situatë, kompania kërkon tërheqjen e menjëhershme të vendimeve dhe rifillimin e punimeve, ndërsa paralajmëron se çdo vonesë apo dëm i shkaktuar është rezultat i këtyre ndërhyrjeve. Në thelb, përplasja në Vlorë nuk është më një çështje teknike, por një konflikt i hapur për kontrollin e një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore në vend.
Më poshtë njoftimi i MABCO:
DEKLARATË PËR MEDIA
MABCO Constructions SA
Tiranë, 22 Prill 2026
Përplasje në Aeroportin e Vlorës: MABCO akuzon për bllokim arbitrar të projektit dhe përjashtim të qëllimshëm të stafit drejtues
MABCO Constructions SA, në cilësinë e kontraktorit kryesor dhe investitorit mazhoritar me 98% të aksioneve në projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, shpreh shqetësimin e thellë për përshkallëzimin e një konflikti institucional dhe kontraktual në kantier, i cili ka ngritur pikëpyetje serioze mbi menaxhimin e projektit dhe marrëdhëniet mes palëve të përfshira. Në qendër të kësaj përplasjeje qëndron një seri vendimesh të marra nga administratori i kompanisë operuese VIA sh.p.k., z. Vegim Hoxha, i cili ka urdhëruar në mënyrë të njëanshme përjashtimin e figurave kyçe të kontraktorit MABCO, ndalimin e aksesit në kantier dhe pezullimin e punimeve në zona kritike të projektit.
I. Pretendimet për ndërhyrje në pistë dhe pezullimi i punimeve
Vendimi i parë, i datës 8 prill 2026, u justifikua nga VIA me një pretendim për “ndërhyrje të paautorizuar” në zonën e pistës (runway), ku sipas saj ishin kryer punime shpimi pa leje.
Ky pretendim është kundërshtuar menjëherë nga MABCO, e cila në reagimin zyrtar të datës 9 prill e ka cilësuar atë si të pavërtetë, çorientuese dhe pa asnjë bazë ligjore apo kontraktuale. Kompania thekson se personeli i saj ka qenë në kantier në përputhje të plotë me kontratën dhe detyrimet përkatëse. Një procesverbal zyrtar i policisë i të njëjtës ditë nuk konstaton asnjë aktivitet të paligjshëm apo hyrje të paautorizuar. Sipas MABCO, ndërprerja e punimeve nuk erdhi si rezultat i ndonjë shkeljeje nga ana e saj, por si pasojë e ndërhyrjeve dhe pengesave të krijuara në terren.
II. Shkelje të përsëritura të rregullave të sigurisë në kantier
Në vijim, përmes një sërë komunikimesh zyrtare, MABCO ka dokumentuar raste të përsëritura të shkeljes së rregullave të sigurisë dhe aksesit nga persona të lidhur me VIA, përfshirë hyrje të paautorizuara në ambientet e terminalit dhe mungesë të standardeve bazë të sigurisë në kantier. Në disa raste, është evidentuar prania e personave pa identifikim dhe pa pajisje mbrojtëse (PPE), në kundërshtim flagrant me procedurat e sigurisë, duke krijuar rrezik real për mbarëvajtjen e punimeve.
III. Përshkallëzimi i konfliktit dhe përjashtimi i stafit drejtues
Situata arriti kulmin më 21 prill 2026, kur administratori i VIA ndërmori një tjetër vendim për përjashtimin e dy përfaqësuesve të rëndësishëm të MABCO, duke i akuzuar për sjellje të papërshtatshme dhe kërcënuese. Edhe kjo masë u konsiderua nga kontraktori si arbitrare dhe në shkelje të hapur të kontratës. Sipas një komunikimi të datës 22 prill, kjo praktikë nuk është ndalur. Përkundrazi, “avazi i përjashtimit të stafit teknik dhe menaxherial nga ana e pseudo-administratorit të VIA-s ka vazhduar”, duke kulmuar me ndalimin e dy drejtuesve teknikë në hyrje të kantierit.
Sipas këtij komunikimi, arsyeja e pretenduar lidhej me faktin që përfaqësuesit e MABCO kishin shoqëruar jashtë kantierit një person të paidentifikuar, i cili kishte hyrë pa njoftim dhe në kundërshtim me rregullat e sigurisë. MABCO thekson se i njëjti person ishte paralajmëruar edhe më parë për shkelje të këtyre rregullave dhe se administratori i VIA ishte informuar për këtë situatë.
IV. Bllokimi i projektit dhe ndërprerja e proceseve kritike
Më 22 prill 2026, situata ka arritur në një pikë kritike, ku përfaqësues të rëndësishëm të projektit janë ndaluar fizikisht të hyjnë në kantier, duke penguar organizimin teknik dhe zinxhirin e nënkontraktimit në një fazë vendimtare të punimeve. Si pasojë direkte, janë ndërprerë procese kritike të projektit, përfshirë punimet në sistemin e ndriçimit të pistës (AGL), duke rrezikuar seriozisht përfundimin në kohë të aeroportit.
MABCO thekson se përjashtimi i figurave kyçe teknike dhe ndalimi i aksesit për nënkontraktorët ndërkombëtarë ka krijuar një situatë bllokimi që ndikon drejtpërdrejt në ritmin dhe cilësinë e punimeve.
V. Qëndrimi i MABCO
MABCO akuzon se vendimet e marra nga administratori i VIA janë “ultra vires”, pra përtej kompetencave të tij, dhe përbëjnë një shkelje materiale të marrëveshjes kontraktuale, duke krijuar artificialisht një situatë të pretenduar mos-përmbushjeje që në fakt i atribuohet vetë palës operuese. Në këtë kontekst, kompania kërkon:
tërheqjen e menjëhershme të vendimeve për përjashtim dhe ndalim aksesi;
rikthimin e plotë të aksesit në kantier;
rifillimin e menjëhershëm të punimeve pa ndërhyrje të mëtejshme.
Përtej përplasjes mes palëve, situata aktuale ekspozon një problem më të thellë: mungesën e një kufiri të qartë mes autoritetit operacional dhe të drejtave kontraktuale në projekte strategjike publike. Kur vendimmarrja bëhet e njëanshme dhe pa mekanizma kontrolli, rreziku nuk është vetëm një konflikt mes kompanive, por paralizimi i vetë projektit. Në këtë kontekst, shtrohet një pyetje thelbësore:
A kemi të bëjmë me një incident sigurie, apo me një përpjekje të strukturuar për të përjashtuar kontraktorin dhe për të marrë kontrollin operacional të projektit?
Nëse kjo e fundit rezulton e vërtetë, atëherë nuk kemi më një konflikt teknik, por një krizë të hapur në menaxhimin e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri.