Flash

Të pathënat e policisë sekrete në Serbi, cila është fuqia reale?

Lapsi.al 20 April 2026
Të pathënat e policisë sekrete në Serbi, cila

Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit në Serbi (BIA) – institucion kryesor i inteligjencës civile – prej kohësh ndodhet në qendër të debatit publik: a është një mekanizëm për mbrojtjen e shtetit, apo një instrument i pushtetit për kontroll politik?

E themeluar në vitin 2002 si pasardhëse e strukturave të mëparshme të sigurisë, BIA ka mandat të qartë ligjor: mbledhjen e informacionit, kundërzbulimin dhe mbrojtjen e rendit kushtetues të Serbisë.

Megjithatë, mënyra se si ky mandat zbatohet në praktikë, ka nxitur kritika të vazhdueshme nga ekspertë, aktivistë dhe organizata ndërkombëtare.

Një nga shqetësimet kryesore të tyre lidhet me, siç thonë, ndërhyrjen e BIA-s në jetën politike në Serbi.

“Ne nuk do të jetonim në një vend si ky nëse Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit do të merrej me atë që thotë ligji”, thotë për programin “Ura” të Radios Evropa e Lirë avokati Bozho Prelleviç, i cili pas rënies së Sllobodan Millosheviçit në Serbi ishte ministër i Brendshëm në Qeverinë e përkohshme të këtij vendi.

“Jo vetëm BIA, por edhe shërbimet e tjera të inteligjencës merren kryesisht me ruajtjen e fuqisë së partisë në pushtet”, shton ai.

Këtë pikëpamje ndan edhe Predrag Petroviç, drejtor i kërkimeve në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë.

“Për shumë vite, BIA është marrë kryesisht me mbrojtjen e regjimit dhe njerëzve të afërt me partinë në pushtet”, thotë ai.

Që nga fundi i vitit 2024, Serbia përballet me protesta masive antiqeveritare, të udhëhequra nga studentët, të cilat shpërthyen pas një incidenti tragjik në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona.

Studentët kanë drejtuar akuza ndaj pushtetit, duke ia atribuuar një pjesë të përgjegjësisë për ngjarjen, kryesisht për shkak të mungesës së transparencës në nënshkrimin e kontratave me kompanitë ndërtimore.

Petroviç thotë se qasja e BIA-s ndaj këtyre studentëve është shqetësuese, pasi i trajton ata si “armiq të brendshëm”.

Ai i referohet një filmi propagandistik, të transmetuar gjatë festimit të Ditës së BIA-s në tetor të vitit të kaluar, ku lëvizja studentore paraqitej si element destruktiv dhe ku theksohej se agjencia, së bashku me presidentin e shtetit, Aleksandar Vuçiç, kishin arritur të parandalonin një të ashtuquajtur “revolucion me ngjyra”.

Sipas tij, kjo tregon qartë se për regjimin aktual, studentët janë shndërruar në “armikun numër një”.

“Nuk kam iluzione se BIA do të ishte edhe më represive ndaj studentëve, nëse Serbia nuk do të ishte në Evropë dhe e rrethuar nga anëtarë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, thotë Petroviç.

“Natyrisht”, thotë Petroviç.

“Brenda saj ka një qendër monitorimi, e pajisur me teknologji për mbikëqyrje digjitale, përfshirë edhe programe të posaçme për ndjekjen e telefonave mobilë”, shpjegon ai.

Sipas pretendimeve të organizatës Amnesty International, kujton Petroviç, BIA ka zhvilluar bashkëpunim edhe me shërbimet ruse të sigurisë.

Dhe, gjatë këtyre proceseve të mbikëqyrjes, sipas tij, shpesh nuk respektohet detyrimi ligjor që përgjimi të bëhet vetëm me urdhër gjykate.

“Së voni kishim rastin e dy studentëve nga Novi Pazari, të cilët u arrestuan bazuar në një bisedë të përgjuar, e që, sipas avokatëve të tyre, nuk ishte subjekt i urdhrit të gjykatës”, thotë Petroviç.

Prelleviç shpjegon se, në parim, nuk është e ndaluar që pjesëtarët e BIA-s t’i legjitimojnë qytetarët gjatë protestave, por shton se kjo çështje në Serbi nuk është e rregulluar në të njëjtën mënyrë si në shumë vende evropiane.

Sipas tij, në shumicën e shteteve evropiane legjitimimi i qytetarëve lejohet vetëm në raste kur ekziston një arsye e qartë apo një shkelje e kryer.

“Te ne është e mundur që qytetarët të legjitimohen kudo”, thotë Prelleviç.

Ai kritikon ashpër mënyrën se si është zhvilluar BIA, duke theksuar se ajo nuk është konceptuar si polici sekrete, por si institucion për mbrojtjen e integritetit territorial, luftën kundër krimit ekonomik e ekologjik dhe kundërzbulimin.

Ai thotë se problemi qëndron në faktin se, në vend të një shërbimi të kontrolluar dhe të balancuar, është krijuar një strukturë me fuqi të pakontrolluar që mund të përdoret edhe për frikësim, ndërsa mungesa e kontrollit parlamentar dhe të brendshëm e bën atë të rrezikshme për qytetarët dhe të përshtatshme për abuzim nga pushteti.

“Kur nuk ka kontroll parlamentar dhe të brendshëm, atëherë nuk ka fare kontroll mbi shërbimin e sigurisë. Atëherë, ka një shërbim sigurie të përshtatur për ata që janë më të prirë ta uzurpojnë pushtetin”, thotë Prelleviç.

Kujt i raporton BIA sipas ligjit?

Petroviç thekson se BIA, në teori, duhet t’i përgjigjet Qeverisë dhe të jetë nën kontrollin e një “rrjeti institucionesh”, si Kuvendi, Avokati i Popullit dhe Komisionari për informacione publike, por në praktikë ky sistem, sipas tij, është dobësuar, për shkak të rrëshqitjes së Serbisë drejt autoritarizmit.

Të dy ekspertët thonë se qytetarët nuk kanë asnjë detyrim ligjor t’u përgjigjen të ashtuquajturave “biseda miqësore” me BIA-n, edhe pse në praktikë ato thirrje prezantohen si vullnetare dhe pa pasoja.

Por, fakti që në këto biseda zakonisht thirren persona që kritikojnë ose kundërshtojnë pushtetin, ngre dyshime serioze për qëllimin e tyre, sipas Prelleviçit.

“Qartazi, bëhet fjalë për abuzim të shërbimit të sigurisë”, pohon edhe Petroviç.

Ai vlerëson se BIA, në praktikë, i shërben udhëheqjes së partisë në pushtet, presidentit Aleksandar Vuçië dhe rrethit të tij më të afërt, duke u përdorur për mbrojtjen e pushtetit dhe interesave të tyre./REL

Të këshilluara

ide

Jo dhunës, po organizimit!

Ajo që i duhet protestës sociale sot, më shumë se dhuna, është organizmi i një fronti të gjerë anti-sistem që bën bashkë përfaqësues të grupimeve të ndryshme sociale që emërues të përbashkët kanë pakënaqësinë me funksionimin e regjimit aktual politik dhe ekonomik. Ky front, që mund të quhet Fronti Flamingove, duhet të ketë përfaqësues nga studentët, pedagogët, ambientalistët, shoqëria civile, partitë e reja politike siç është Lëvizja Bashkë, punëtorët, fermerët dhe përfaqësues të komuniteteve të cilave po u grabiten tokat nëpërmjet modeleve të turizmit elitar

15:10 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

10°c

KËMBIMI EURO

90.83

aktuale

Zbulohen prapaskenat pse u rritën papritmas taksat, biznesi paralajmëron eksod në rajon

Situata politike që po kalon vendi pas protestave të studentëve vlerësohet faktori kryesor që ka detyruar qeverinë të propozojë ndryshime të papritura të taksave, përfshirë uljen e TVSH-së në 6% të produkteve të shportës ushqimore dhe rritjen për biznesin. Në mbledhjen e Këshillit Tatimor përfaqësuesi i qeverisë pranoi se propozimet për ulje të TVSH-së për […]

06:57
Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Analiza/ Pse Perëndimi mbyll sytë për cenimin e demokracisë në Shqipërinë e Ramës

Në këmbim të besueshmërisë gjeopolitike, bashkëpunimit për emigrantët dhe kontrollit të kufijve, kryeqytetet perëndimore kanë toleruar centralizimin e pushtetit nga kryeministri. “Revolucioni Flamingo” ka vënë në pikëpyetje një pakt që rrezikon të nxisë pikërisht paqëndrueshmërinë që supozohej të parandalonte.

21:01 Gianluca Eramo

Me sytë katër

PAPARAZZI