Flash

Ikja e Orban një fitore për liberalizmin në botë

Lapsi.al 13 April 2026
Ikja e Orban një fitore për liberalizmin në botë

Rrallë ndodh që një alë zgjedhje të jenë po aq të rëndësishme jashtë një vendi se sa brenda tij. Hungaria është një rast i tillë. Fitorja vendimtare e Péter Magyar-it i jep Hungarisë mundësinë të dalë nga gropa që Orbán ka hapur që prej marrjes së pushtetit në vitin 2010. Populli hungarez ka votuar në mënyrë dërrmuese për ndryshim, dhe kjo tani është e mundur – por nuk është e garantuar.

Shembulli i Polonisë tregon sa e vështirë është të zhbëhen vite autoritarizmi, sidomos kur sistemi është manipuluar për të siguruar vetë-mbijetesën. Nuk do të jetë e lehtë për Magyar-in të rindërtojë shtetin ligjor, një gjyqësor të pavarur, një shtyp të lirë, një shoqëri civile aktive dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ai do të përballet me kundërshtim të fortë nga të gjithë ata që përfituan nga kapitalizmi klientelist i Orbán-it. Prandaj, zgjedhja e Magyar-it ishte një betejë vendimtare në një luftë që mbetet e gjatë.

Rruga e Hungarisë drejt demokracisë ka gjasa të jetë e ngadaltë dhe e pasigurt, por ndikimi më i gjerë politik i humbjes së Orbán-it është i thellë dhe i menjëhershëm. Ajo heq një pengesë nga rruga e BE-së – veçanërisht në lidhje me Ukrainën.

Në nivel global, Orbán ka qenë një pararendës, simbol dhe frymëzim për të djathtën nacionaliste. Ai erdhi në pushtet kur Trump ishte zhvillues pasurish të paluajtshme, Giorgia Meloni një ministre e re pak e njohur, Marine Le Pen dhe Nigel Farage figura margjinale politike, dhe Alice Weidel një konsulente financiare. Autokrati hungarez ka shërbyer si model për politikanët e ekstremit të djathtë në Evropë dhe SHBA.

Humbja e Orbán-it nuk garanton një rikthim të menjëhershëm të demokracisë në Hungari, por shënon një fitore për liberalizmin në botë, më shumë sesa në vetë Hungarinë.

Asnjë lider i ekstremit të djathtë nuk mund ta zëvendësojë

Zgjedhjet në Hungari janë një kujtesë se diskursi publik shpesh e ekzagjeron forcën e autoritarizmit dhe dobësinë e demokracisë. Pranimi i rezultatit nga Orbán tregon gjithashtu se sa i jashtëzakonshëm ishte rasti i Donald Trump në refuzimin për të pranuar humbjen në 2020.

Rezultati do të përdoret për shumë interpretime të gabuara – nga ideja se kjo shënon fundin e ekstremit të djathtë në Evropë, deri te pretendimi se Orbán humbi për shkak të lidhjes me Trump-in. Në fakt, kjo ishte një ngjarje specifikisht hungareze, e shpjegueshme nga faktorë të brendshëm si korrupsioni dhe keqmenaxhimi ekonomik.

Megjithatë, ky rezultat ka një vlerë të fortë simbolike për politikën evropiane. Orbán i dha ekstremit të djathtë një prani të përhershme në Këshillin Evropian dhe ndikim në vendimmarrjen e BE-së.

Orbán është larguar, të paktën tani për tani. Dhe megjithëse ka shumë politikanë të tjerë të ekstremit të djathtë, asnjëri nuk ka synimin, fuqinë apo burimet për të mbushur boshllëkun që krijon largimi i tij. Kjo është arsyeja për të festuar sot.

Ky është një moment historik për Hungarinë dhe hungarezët. Një eksperiment 16-vjeçar joliberal dhe antidemokratik ka marrë fund, dhe është momenti për festë. Por me një shumicë të madhe vjen edhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme për qeverinë e re në Budapest.

Fitorja e Magyar-it i jep Evropës një mundësi për t’u forcuar dhe për t’u përballur me problemet e saj të brendshme. BE-ja duhet të mësojë nga kjo dhe të përgatitet më mirë për të trajtuar raste të ngjashme në të ardhmen.

Me zgjedhjet e vitit 2027 që afrohen, BE-ja duhet të veprojë shpejt. Ajo që Evropa do të bëjë në muajt në vijim do të përcaktojë nëse kjo fitore shënon një kthesë të vërtetë, apo thjesht një pushim të përkohshëm.

The Guardian, pergatiti T.Çela,Lapsi.al

 

Të këshilluara

Edhe korrupsion, edhe rritje ekonomike!

Kryeministri bëri një pyetje retorike: “A mund të kemi edhe korrupsion edhe rritje ekonomike në të njëjtën kohë?” Megjithëse kryeministri e shtroi këtë pyetje j...

18:42

Rezoluta, Dovleti dhe Paratë e Huaja

Në librin e tij monumental me Kujtime, Ekrem Bej Vlora ka një pasazh i cili përmbledh, në një farë mënyre, të gjithë retorikën, servilizmin dhe hipokrizinë patr...

12:30

Llogaritë e gabuara me Porto Romanon

Qeveria pretendon se po ndërton një superport në Porto Romano që do të përpunojë deri 2 milion TEU (kontenier). Sipas Dhomës Amerikane të Tregëtisë SHBA-Shqi...

13:41

Kur banditët rrethohen nga budallenjtë!

Në vitin 1976 ekonomisti Carlo Cipolla, në një ese argetuese prej 60 faqesh prezanton 5 ligjet themelore të një force që ai e perceptonte si kërcënimin më të ma...

12:25

DURANA, jo thjesht një plaçkitje!

Si njohëse jo e keqe e Kodit Doganor edhe e ligjit të Zonave të Lira, Durana nuk është një lajthitje juridike por një sajesë në kufijtë e marrëzisë. Marrëzia...

14:47

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI