Flash

DW: Abonime “fantazmë” dhe para që zhduken në Kosovë

Lapsi.al 13 April 2026
DW: Abonime “fantazmë” dhe para që zhduken në

Dhjetëra qytetarë në Kosovë po raportojnë se çdo muaj po u tërhiqen para nga llogaritë e tyre bankare. Kjo po ndodh pa dijeninë apo pëlqimin e tyre si dhe pa ndonjë shpjegim të qartë. Në historikun e lëvizjeve bankare, këto pagesa shfaqen si abonime për "Prime Video”, por shumë prej të prekurve theksojnë se nuk kanë bërë kurrë një abonim të tillë.

Sipas burimeve bankare vetëm në pak muajt e fundit mbi 200 klientë kanë raportuar raste të ngjashme: transaksione të vogla, në fillim të padukshme, por të vazhdueshme.

Rrjedhja e heshtur e parave: Jo gabim, sistem

Edoni, 28 vjeç, është një nga personat e prekur nga ky fenomen. "Në një moment kur kontrollova me kujdes historikun e pagesave, vura re se për 14 muaj rresht, më janë marrë para nga llogaria çdo muaj. Unë nuk e kam hapur asnjëherë Prime Video, dhe as nuk kam bërë ndonjë abonim.”

Edhe Hajdari, 65 vjeç, thotë se nuk ka përdorur kurrë shërbime streaming apo video online. "Unë mezi përdor telefonin për thirrje. Dhe kur më thanë në bankë që po paguaj për një platformë filmash online, nuk po u besoja dhe mendova se është ndonjë gabim”, tregon ai.

Por kur rastet shumëfishohen, "gabimi” nuk mjafton më si shpjegim.

Nga abonimet e fshehta tek manipulimi i përdoruesve

Rastet në Kosovë nuk janë të izoluara, por pasqyrojnë një problem më të madh global: mënyrën se si kompanitë digjitale dhe platformat online ndërtojnë sisteme që i shtyjnë shpesh përdoruesit të bëjnë regjistrime apo abonime pa dijeninë e tyre ose të hasin vështirësi në anulimin e tyre.

Në shtator 2025 kompania Amazon pranoi të paguajë 2.5 miliardë dollarë për të zgjidhur jashtë gjyqit pretendimet e autoriteteve amerikane se kishte mashtruar përdoruesit duke i regjistruar në Prime përmes regjistrimit automatik, për paqartësi lidhur me kushtet e abonimit dhe të pagesës si dhe duke e bërë të vështirë çregjistrimin.

Pra natyrshëm lind pyetja: nëse praktika të tilla ndodhin në tregje të rregulluara si në SHBA, çfarë ndodh në vende si Kosova?

Terren i lehtë për mashtrim

Eksperti i IT-së, Drilon Jaha, thotë hapur, se Kosova është më e ekspozuar ndaj rreziqeve të tilla. "Ka pak njohuri për phishing dhe sigurinë digjitale. Kjo e bën Kosovën target për mashtrime.”

Phishing – mesazhe apo email-e që imitojnë banka apo kompani – mbetet një nga mënyrat kryesore për të marrë të dhënat e kartave. Mjafton një klikim.

Por problemi nuk mbaron këtu. Ka mjaft platforma të rreme, "platforma fantazmë”, që imitojnë platforma reale dhe duket sikur ofrojnë shërbime reale apo abonime provë falas, por në fakt aktivizojnë pagesa të fshehta apo abonime të cilat kthehen në abonime automatike. Një taktikë tjetër është përdorimi i emërtimeve të paqarta lidhur me transaksionin, që e bën të vështirë ta diktosh menjëherë në ekstraktet e llogarisë bankare shkakun se përse janë tërhequr paratë.

Institucionet në heshtje

Selatin Kaçaniku nga Shoqata e Konsumatorëve të Kosovës thotë se kemi të bëjmë me një ekosistem të tërë që funksionon në kufijtë e ligjshmërisë, ose përtej tyre, përballë së cilës qytetarët në Kosovë janë të pambrojtur.

"Ankesa ka, por institucionet nuk po përmbushin rolin e tyre për informimin dhe mbrojtjen e konsumatorit,” tha ai në një prononcim me shkrim për DW.

Sipas tij në Kosovë ekzistojnë platforma online pa adresë dhe pa përgjegjësi ligjore, ka mungesë kontrolli të tregut dhe "qytetari mbetet i sulmuar nga të gjitha anët” .

Në një treg ku kontrolli institucional është i dobët, mashtrimi bëhet më i lehtë dhe më i përhapur.

Mungesa e kulturës së sigurisë

Po a janë qytetarët në Kosovë të vetëdijshëm se sa të pambrojtur janë në një botë ku gjithçka po bëhet online?

Në këtë aspekt ekspertët vënë në dukje mangësi dhe neglizhencë nga ana e vetë konsumatorëve si: fjalëkalimet e dobëta, mospërdorimi i autentifikimit me dy faktorë, apo mospërditësimi i sistemeve.

Eksperti i IT-së, Drilon Jaha, thotë se prej shumë qytetarëve "siguria shihet si shpenzim, jo si investim”.

Edhe eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, paralajmëron se, pavarësisht përparimeve niveli i mbrojtjes kibernetike në Kosovë vazhdon të jetë i pamjaftueshëm dhe kërkon më shumë investime dhe edukim.

"Rritja e këtyre rasteve ngre një pyetje thelbësore: sa të përgatitur janë qytetarët e Kosovës për t'u përballur me rreziqet digjitale? Pa më shumë ndërgjegjësim, edukim dhe reagim institucional, raste të tilla mund të vazhdojnë." - thotë Berisha

Krizë besimi

Për qytetarët e prekur, dëmi nuk është vetëm financiar, por edhe psikologjik. "Nuk është vetëm shuma e parave. Është ndjenja që dikush po merr para nga llogaria jote pa e ditur ti,” thotë Edoni.

Po ashtu shumë prej tyre thonë se, edhe pas ankesave, nuk kanë marrë rimbursim. Nga çështje teknike problemi kalon kësisoj në një krizë besimi: besimi tek bankat, tek platformat digjitale, tek institucionet./DW

Të këshilluara

Gjermania ul taksën e karburantit për 2 muaj

Gjermania ka vendosur të ndërhyjë me masa emergjente për të përballuar rritjen e çmimeve të karburanteve, të shkaktuar nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindje...

19:57

Spanja rihap ambasadën e saj në Teheran

Ambasada e Spanjës në Teheran, e cila ishte mbyllur përkohësisht për arsye sigurie, pas luftës së SHBA-së dhe Izraelit me Iranin, është rihapur. Agjencitë ir...

19:56

Kush humbi dhe kush fitoi nga rrëzimi i Orban

Fundi i një epoke në Hungari për sundimin 16-vjeçar të Viktor Orban. Me pothuajse të gjitha votat e numëruara të dielën në mbrëmje, Péter Magyar duket se ka sig...

19:36

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI