Flash

Nga Uashingtoni në Moskë, Hungaria 'fushëbeteja' e vëmendjes globale

Lapsi.al 11 April 2026
Nga Uashingtoni në Moskë, Hungaria 'fushëbeteja' e

Europa po mban frymën në prag të zgjedhjeve parlamentare vendimtare të kësaj të diele në Hungari, në një përplasje ku kufiri mes politikës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare duket gjithnjë e më i paqartë. Për ta kuptuar rezultatin, duhet parë medalja nga të dyja anët: nga brenda, një vend i ndezur nga protestat dhe tensionet ndaj kryeministrit Viktor Orbán, i cili ka vënë në lëvizje gjithë aparatin politik për të siguruar edhe një mandat tjetër katërvjeçar; nga jashtë, një klimë e rënduar nga akuzat për ndërhyrje të huaja, që kulmuan me pretendime për një tentativë sabotimi ndaj tubacionit “Rrjedha Turke”, përmes të cilit gazi rus mbërrin në Hungari, si dhe me deklarata mbështetëse nga figura ndërkombëtare që kanë shtuar më tej tensionin në vijën e finishit.

Ndërhyrja e huaj është shndërruar në një bosht qendror të fushatës së Orbán, në një garë që shumë analistë e cilësojnë si më të rëndësishmen në historinë e fundit të Bashkimit Europian, jo vetëm për këtë vit, por për një periudhë më të gjatë. Në Hungari, këto zgjedhje shihen si një moment vendimtar në trajektoren politike të vendit, ndërsa në nivel europian ato konsiderohen ndër më përcaktuese të viteve të fundit. Rezultati i tyre pritet të ndikojë ekuilibrat brenda BE-së dhe nivelin e ndikimit rus në kontinent, por edhe të ardhmen e së djathtës populiste në Europë.

Duke pasur parasysh peshën gjeopolitike, këto zgjedhje janë kthyer në një votim që nuk ndiqet vetëm në Budapest. Uashingtoni, Moska, Kievi dhe Brukseli i ndjekin zhvillimet me interes të shtuar, secili me llogaritë e veta, në një garë ku rezultati mund të ketë pasoja të menjëhershme shumë përtej kufijve të Hungarisë.

Një humbje për Orbán pas 16 vitesh në pushtet do t’i hiqte konservatorve në mbarë botën një kampion ideologjik, duke i privuar njëkohësisht si Shtëpisë së Bardhë ashtu edhe Kremlinit një aleat të besueshëm. Për kundërshtarët e tij, këto zgjedhje përfaqësojnë një mundësi të rrallë për të ndalur rrëshqitjen e vendit drejt autokracisë, për të zbutur shqetësimet e BE-së mbi korrupsionin dhe sundimin e ligjit, si dhe për të hequr një pengesë kryesore për ndihmën ndaj Ukrainës.

Pretendimet se pranë tubacionit u gjetën eksplozivë ngritën frikën se Orban mund të përdorë pretekstin e ndërhyrjeve të jashtme si justifikim për të kontestuar një rezultat të pafavorshëm. Por, pretendimet e Orban, që lidhën incidentin e tubacionit me ndërhyrje ukrainase, hasën në kundërshti.

Ekspertë të sigurisë, duke iu referuar burimeve të inteligjencës hungareze, kishin paralajmëruar më herët për një operacion sabotimi fals, që mund të targetonte infrastrukturën energjetike. Péter Magyar, rivali i Orbán në zgjedhje, e cilësoi këtë skenar si një “farsë të dobët” të inskenuar nga një “qeveri fasadë”. Aktualisht, partia e tij Tisza kryeson me rreth 13 pikë në sondazhet e pavarura, ndërsa sondazhet pranë qeverisë i japin Fidesz një avantazh prej 6.5 pikësh. Mbështetja për qeverinë është dobësuar tre vitet e fundit pasi vendi është zhytur gjithnjë e më shumë në varfëri dhe inflacioni për momentin është më i larti në BE. Pakënaqësia publike është shtuar për shkak të kapitalizmit klientelist dhe kontratave publike të manipuluara në favor të njerëzve të afërt me Orbán, ndërsa pretendimi moral i Fidesz është dëmtuar nga skandalet që lidhen me fshehjen e dy rasteve të pedofilisë.

Ndërsa dita e zgjedhjeve afrohet, mundësia e humbjes së Orbán ka shqetësuar aleatët e tij ndërkombëtarë.

Lideri i së djathtës ekstreme në Holandë, Geert Wilders, e quajti Orbán “një luan në një kontinent të udhëhequr nga dele”. Po ashtu, administrata e Donald Trump u shpreh hapur pro Orban. Në një vizitë dyditore në Budapest, zëvendëspresidenti JD Vance deklaroi se ishte në Hungari “për ta ndihmuar Orbani në këtë fushatë”, ndërsa kritikoi ashpër ndërhyrjen nga Brukseli. Vance vlerësoi “bashkëpunimin moral” mes Amerikës së Trump dhe Hungarisë së Orbán në “mbrojtje të qytetërimit perëndimor”. “Jam një admirues i madh i Viktor-it,” tha Trump. “Jam me të deri në fund. SHBA është me të deri në fund.”

Një humbje e Orbán do të largonte gjithashtu një qeveri miqësore ndaj Pekinit dhe shpesh të nënshtruar edhe ndaj Moskës. Marrëdhënia e përzemërt me këtë të fundit u bë e dukshme edhe në një bisedë telefonike që kryeministri pati me presidentin rus Vladimir Putin.

“Dje miqësia jonë arriti një nivel kaq të lartë sa unë mund të ndihmoj në çdo mënyrë,” raportohet se i ka thënë Orbani-Putinit. “Në çdo çështje ku mund të jem i dobishëm, jam në shërbimin tuaj.” Për të theksuar idenë, mediat raportuan se Orban iu referua një fabule të Ezopit, ku një mi që ishte kursyer nga një luan, e shpëton më pas atë nga një rrjetë gjuetarësh. Komenti, sipas transkriptit të mediave, shkaktoi të qeshura nga ana e Putinit. Ndërkohë, ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó është akuzuar se ka ndarë informacione konfidenciale me zyrtarë rusë.

Vendi që do e ndiente menjëherë efektet e një ndryshimi pushteti në Budapest është Ukraina.

Marrëdhëniet mes dy vendeve janë tensionuar nga mosmarrëveshjet për të drejtat e minoritetit hungarez në Ukrainën perëndimore, furnizimet me energji dhe qëndrimet pro-Kremlinit të Orbán. Në fushatat e mëparshme, Orbán ka folur për ndërhyrje të jashtme duke sulmuar figura si George Soros apo liderë europianë si Ursula von der Leyen. Këtë herë, objektivi i shfryrjes dhe patosit te tij politik ishte  presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Orbán ka bllokuar një kredi prej 90 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën, një veprim që zyrtarë europianë e kanë kritikuar si një shkelje të solidaritetit brenda Unionit. Ekspertët paralajmërojnë se edhe nëse rizgjidhet, Orbán nuk ka gjasa të zbusë qëndrimet e tij, por përkundrazi mund të radikalizohet më tej. Në thelb, këto zgjedhje do të përcaktojnë nëse Hungaria do të mbetet një demokraci funksionale apo do të rrëshqasë më tej drejt autoritarizmit, duke vënë në provë vetë integritetin demokratik të Bashkimit Europian./ Financial Times ©Lapsi.al 

Të këshilluara

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI