Flash

Marrëveshja e Hormuzit/ Çfarë dimë deri tani për paktin mes SHBA-së dhe Iranit

Marrëveshja mes SHBA-së dhe Iranit ka ndalur përkohësisht luftën dhe ka rihapur Ngushticën e Hormuzit, por çështjet që shkaktuan konfliktin, si programi bërthamor iranian, rezervat e uraniumit, sanksionet, fondet e ngrira dhe përplasja me Izraelin, mbeten ende të pazgjidhura dhe do të jenë objekt i negociatave të vështira në muajt në vijim.

12:49

430 mijë dollarë për lobim, Erion Veliaj kërkon aleatë në Washington

Dokumentet e fundit të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, tregojnë se fushata e lobimit për llogari të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, u fokusua te komunikimet me institucionet amerikane lidhur me financimet për SPAK, si dhe te kontaktet me përfaqësues të Kongresit dhe organizata joqeveritare.

12:22

Kryepeshkopi Joan: Të bëhemi paqebërës në një botë që po shkatërrohet nga urrejtja!

Lapsi.al 11 April 2026
Kryepeshkopi Joan: Të bëhemi paqebërës në një

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Joani, ka përcjellë mesazhin e Pashkës për besimtarët ortodoksë, duke bërë thirrje për paqe shpirtërore, reflektim dhe kthim te Zoti në një botë që, sipas tij, po përballet me trazira të thella.

“Sot bota është e trazuar. Luftëra të përgjakshme vazhdojnë të shkaktojnë vdekje dhe vuajtje. Frika e së nesërmes mbulon popuj të tërë. Pasiguria troket kudo. Në mes të kësaj stuhie, Krishti i Ngjallur përsërit: “Paqe në ju”. Ky nuk është thjesht një urim mirësjelljeje shoqërore, por është një realitet ontologjik”, shkruan ai.

Në mesazhin e tij Kryepeshkopi u bën thirrje besimtarëve që të bëhen “paqebërës” në jetën e përditshme, duke theksuar se paqja e vërtetë fillon nga zemra e njeriut.

“Le t’i përgjigjemi, pra, thirrjes: “Paqe në ju” me të gjithë jetën tonë. Le të bëhemi ne vetë paqebërës në një botë që po shkatërrohet nga urrejtja, nga lakmia dhe egoizmi. Por, që të bëhemi paqebërës, fillimisht duhet të kemi paqe brenda nesh”, shkruan ai.

Mesazhi i Kryepeshkopit Joan

Mesazhi i Pashkës 2026

+ Joani

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

PAQJA E KRISHTIT TË NGJALLUR NË NJË BOTË TË TRAZUAR

I

Le të ndalemi në fjalët e para që tha Krishti i Ngjallur kur u shfaq para nxënësve të Tij. Ai nuk u tha atyre “fitore”, as “lavdi” dhe as “pushtet”, por u tha: “Paqe në ju” (Jn. 20:19). Hyri në dhomën ku ata ishin mbyllur nga frika dhe u dhuroi atë që bota nuk mund ta japë kurrë: paqen që nuk varet nga kushtet, nga ekuilibrat gjeopolitikë, nga marrëveshjet njerëzore, por paqen e Perëndisë që kapërcen çdo mendje (Fil. 4:7), një paqe e thellë shpirtërore, e cila vjen fillimisht nga pajtimi i njeriut me Zotin dhe pastaj shtrihet me të gjithë njerëzit.

Sot bota është e trazuar. Luftëra të përgjakshme vazhdojnë të shkaktojnë vdekje dhe vuajtje. Frika e së nesërmes mbulon popuj të tërë. Pasiguria troket kudo. Në mes të kësaj stuhie, Krishti i Ngjallur përsërit: “Paqe në ju”. Ky nuk është thjesht një urim mirësjelljeje shoqërore, por është njw realitet ontologjik. Vdekja u mund. Dhe, nëse u mund vdekja, atëherë çfarë mund të na trazojë më? Paqja e Krishtit nuk është mungesa e problemeve; është prania e Perëndisë brenda problemeve. Mbi Kryqin e Golgothasë, Krishti u përball me të gjitha pasionet e njerëzimit. Lakmia e parave e tradhtoi nëpërmjet Judës. Smira e dorëzoi te Pilati. Pushteti i trembur dhe i korruptuar e dënoi. Krenaria e talli. Urrejtja e gozhdoi në Kryq. Të gjitha pasionet shpërthyen mbi Të me tërbim, sikur bota të donte ta vriste vetë Perëndinë.

E megjithatë, në Kryq, pikërisht atje ku ligësia mendoi se triumfoi, Krishti nuk kërkoi hakmarrje. Ai thirri: “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë ç’bëjnë” (Llk. 23:34). Me këto fjalë nuk mundi thjesht vdekjen. Mundi rrethin vicioz të ligësisë. Mundi logjikën e hakmarrjes që ushqen çdo luftë, çdo urrejtje, çdo përplasje të errët në histori. Ngjallja dëshmon se dashuria është më e fortë se vdekja; se falja e shkatërron të keqen, ndërsa hakmarrja e shumëfishon atë. Krishti i Ngjallur nuk erdhi të ndëshkojë kryqëzuesit e Tij. Erdhi t’i shpëtojë e t’i paqtojë. Dhe kjo është fitorja më e madhe në histori.

II

Në kohën që po jetojmë po përballemi me një formë të re vdekjeje: mpirjen e indiferencës; ngurtësimin e zemrës; tharjen shpirtërore të një shoqërie që e harroi Perëndinë, jo sepse iu ndalua, por sepse zgjodhi ta injorojë Atë. Përplasja e bindjeve të padukshme vazhdon të shkatërrojë jetë të dukshme. “Çfarë i vlen njeriut të fitojë gjithë botën – na thotë Krishti – nëse humb shpirtin e tij?” (Mt. 16:26). Këto fjalë janë më aktuale se kurrë. Jetojmë në një epokë ku njeriu ndjek pa pushim të mirat materiale, sigurinë, statusin shoqëror, dhe megjithatë ndihet më i zbrazur, më i vetmuar, i paplotësuar, më i shqetësuar se kurrë.

Ndërsa Ngjallja na zbulon një të vërtetë të madhe: kush ka Krishtin në zemrën e tij, nuk i mungon asgjë. Dhe jo vetëm shpirtërisht. Zoti që u kujdes të ushqejë pesë mijë vetë me pesë bukë, Zoti që e shndërroi ujin në verë, Zoti që tha “kërkoni më parë Mbretërinë e Perëndisë dhe të gjitha këto do t’ju shtohen” (Mt. 6:33), ky Zot nuk i lë fëmijët e Tij pa gjërat e nevojshme. Ai kujdeset edhe për trupin, edhe për shpirtin; jep edhe bukë, edhe paqe. Plotësia nuk gjendet në grumbullimin e pasurive, por në lidhjen me Krijuesin. Vetëm tek ai ne mund të gjejmë paqe, sepse vetëm ai është paqja jonë (Efes. 2:14).

Ne e dimë çfarë do të thotë Ngjallje. Jo vetëm teorikisht, por nga përvoja e jetuar. Kisha jonë Orthodhokse kaloi Golgothanë e saj. Për dekada me radhë u përpoqën të asgjësonin çdo gjurmë besimi. Kishat u shkatërruan, klerikë u martirizuan, fjala “Perëndi” u ndalua. Kisha dukej e vdekur, e varrosur në një varr të vulosur. E megjithatë, ajo u ngjall. Guri u rrokullis. Besimi lulëzoi përsëri nga rrënojat. Kishat u rindërtuan. Komunitetet u rikrijuan. Kjo nuk ishte arritje njerëzore, ishte fuqia e Krishtit të Ngjallur që vepron brenda historisë.

III

Kisha bën thirrje përsëri për Ngjallje – këtë herë për Ngjalljen e çdo shpirti. Krishti i Ngjallur qëndron sot përpara nesh, siç qëndroi përpara Thomait, dhe na tregon plagët e Tij. Nuk i fsheh. Nuk i heq. I mban përgjithmonë mbi vete, si dëshmi e përjetshme dashurie. Këto plagë thonë: “Kaq shumë të desha, saqë pranova dhimbjen më të rëndë për ty”. Çdo person, çdo shpirt, është aq unik, aq i papërsëritshëm, saqë Perëndia do të vinte edhe sikur të ishte vetëm për një njeri.

Të dashur vëllezër dhe motra! Në këtë botë të trazuar na mjafton vetëm një siguri: Krishti u ngjall dhe jeton. Dhe nëse jeton Krishti, jetojmë edhe ne. Dhe nëse jetojmë në Krishtin, atëherë as vdekja, as ligësia, as varfëria, as përndjekja nuk mund të na ndajë nga dashuria dhe nga paqja e Tij. Dita e Ngjalljes së Zotit tonë Jisu Krisht – shkruan shën Joan Gojarti – është themeli i paqes. Sepse nga Ngjallja e Krishtit vjen Paqja e Perëndisë. Ngjallja dhe Paqja e Perëndisë nuk është një dogmë abstrakte, por një thirrje personale.

Le t’i përgjigjemi, pra, thirrjes: “Paqe në ju” me të gjithë jetën tonë. Le të bëhemi ne vetë paqebërës në një botë që po shkatërrohet nga urrejtja, nga lakmia dhe egoizmi. Por, që të bëhemi paqebërës, fillimisht duhet të kemi paqe brenda nesh. Bëni paqe në zemrën tuaj – thotë shën Serafimi i Sarovit – dhe mijëra njerëz rreth jush do të shpëtohen. Sepse nuk ka paqe aty ku është e keqja, por vetëm aty ku është i pranishëm Perëndia. Le ta gjejmë këtë paqe të Perëndisë në zemrat tona dhe pastaj ta përhapim atë kudo, sëbashku me lajmin e gëzuar se Krishti u Ngjall dhe i dhuroi botës jetën dhe paqen e përjetshme.

Me dashuri në Zotin e Ngjallur,

+ Joani

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

Të këshilluara

Parashikimi/ Si do të jetë moti për sot

Ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme. Moti parashikohet me kthjellime e vranësira të pakta deri mesatare përgjatë...

07:59

Fluks udhëtarësh në Morinë

Pika kufitare e Morinës gjatë 24 orëve të fundit është përballur me një fluks të lartë lëvizjesh, si në hyrje ashtu edhe në dalje, duke përpunuar të dhënat e rr...

09:54

Flakë në malin e Koshnicës në Gramsh

Një vatër e fuqishme zjarri është identifikuar në orët e vona të kësaj të premteje në malin e Koshnicës, në Njësinë Administrative Skënderbegas, pjesë e Bashkis...

21:00

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet ptotesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

31°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI