Flash

CNN: Kina po dërgon armë në Iran, përfshi sistemet kundërajrore 'Manpads'

Lapsi.al 11 April 2026
CNN: Kina po dërgon armë në Iran, përfshi sistemet

Informacione nga shërbimet e inteligjencës amerikane tregojnë se Kina mund të jetë duke përgatitur dërgimin e sistemeve të reja kundërajrore në Iran gjatë javëve në vijim.

Sipas raportimeve nga CNN, një lëvizje e tillë konsiderohet veçanërisht provokuese, pasi vjen menjëherë pas një armëpushimi të brishtë që kishte ndalur përkohësisht përplasjet mes Iranit dhe SHBA.

Sipas të njëjtave burime, Tehrani mund të jetë duke shfrytëzuar armëpushimin për të rinovuar sistemet e saj kritike ushtarake me ndihmën e partnerëve të huaj, gjë që mund të ndikojë në balancën e forcave në rast të rifillimit të konfliktit.

Dy nga burimet që folën për CNN thonë se ka indikacione që Pekini po përpiqet të kanalizojë dërgesat përmes vendeve të treta, me qëllim fshehjen e origjinës reale të pajisjeve.

Sistemet e përmendura janë të tipit MANPADS (sisteme portative kundërajrore), të cilat përbëjnë kërcënim të rëndësishëm për avionët ushtarakë që fluturojnë në lartësi të ulët.

Sipas vlerësimeve amerikane, këto sisteme lidhen me rrëzimin e një avioni luftarak F-15 mbi Iran javën e kaluar. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se avioni u godit nga një “raketë portative me drejtim termik”, ndërsa autoritetet iraniane thanë se është përdorur një “sistem i ri” kundërajror, pa dhënë detaje të tjera. Nuk është e qartë nëse sistemi i përdorur është me origjinë kineze.

Nga ana e saj, ambasada e Kinës në Uashington i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke deklaruar se “Kina nuk ka furnizuar kurrë me armë asnjë palë në konflikt” dhe duke i cilësuar pretendimet si “të pabazuara”. Pekini thekson gjithashtu se po punon për de-përshkallëzimin e situatës dhe arritjen e paqes.

Një dërgesë e mundshme e MANPADS do të përbënte një përshkallëzim të rëndësishëm të mbështetjes kineze për Iranin, përtej praktikave aktuale të kufizuara kryesisht në teknologji me përdorim të dyfishtë. Sipas burimeve, këto teknologji kanë ndihmuar Teheranin në zhvillimin e sistemeve të tij ushtarake dhe në përmirësimin e kapaciteteve të navigimit.

Koha e zhvillimeve konsiderohet delikate, pasi pritet një takim i nivelit të lartë mes SHBA-së dhe Kinës muajin e ardhshëm në Beijing, me fokus edhe situatën në Lindjen e Mesme. Sipas Shtëpisë së Bardhë, ka pasur tashmë komunikime mes dy palëve gjatë negociatave për armëpushimin.

Analistët vlerësojnë se Kina po përpiqet të ruajë një ekuilibër të ndërlikuar: të mbajë marrëdhëniet strategjike me Iranin, nga i cili varet energjetikisht, pa u përfshirë drejtpërdrejt në një konflikt me SHBA-në dhe Izraelin, të cilin e konsideron të pafavorshëm. Në këtë mënyrë, Pekini synon të mbetet zyrtarisht neutral, duke ruajtur njëkohësisht hapësirë për mohim të mundshëm.

Ndërkohë, raportohet se Rusia ka ofruar mbështetje të një natyre tjetër për Iranin, kryesisht përmes shkëmbimit të inteligjencës që ka ndihmuar në identifikimin e objektivave amerikanë në rajon.

Nga ana tjetër, Irani ruan lidhje të ngushta me të dy fuqitë, duke i dhënë Rusisë dronë për luftën në Ukrainë dhe duke eksportuar sasi të mëdha nafte drejt Kinës, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare.

Të këshilluara

ide

Jo dhunës, po organizimit!

Ajo që i duhet protestës sociale sot, më shumë se dhuna, është organizmi i një fronti të gjerë anti-sistem që bën bashkë përfaqësues të grupimeve të ndryshme sociale që emërues të përbashkët kanë pakënaqësinë me funksionimin e regjimit aktual politik dhe ekonomik. Ky front, që mund të quhet Fronti Flamingove, duhet të ketë përfaqësues nga studentët, pedagogët, ambientalistët, shoqëria civile, partitë e reja politike siç është Lëvizja Bashkë, punëtorët, fermerët dhe përfaqësues të komuniteteve të cilave po u grabiten tokat nëpërmjet modeleve të turizmit elitar

15:10 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

90.83

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Analiza/ Pse Perëndimi mbyll sytë për cenimin e demokracisë në Shqipërinë e Ramës

Në këmbim të besueshmërisë gjeopolitike, bashkëpunimit për emigrantët dhe kontrollit të kufijve, kryeqytetet perëndimore kanë toleruar centralizimin e pushtetit nga kryeministri. “Revolucioni Flamingo” ka vënë në pikëpyetje një pakt që rrezikon të nxisë pikërisht paqëndrueshmërinë që supozohej të parandalonte.

21:01 Gianluca Eramo

Me sytë katër

PAPARAZZI