Flash

Ekskluzive e New York Times: Si e bindi Netanyahu Trump-in të sulmojë Iranin?

Lapsi.al 10 April 2026
Ekskluzive e New York Times: Si e bindi Netanyahu Trump-in të sulmojë

Ndikimi i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu mbi Donald Trump ka luajtur një rol vendimtar në vendimin për të hyrë në luftë kundër Iranit. Sipas fragmenteve të një libri të gazetarëve Maggie Haberman dhe Jonathan Swan, që pritet të botohet së shpejti, vendimi i Trump u përshpejtua pas një prezantimi të bërë nga Netanyahu gjatë një takimi sekret në Shtëpinë e Bardhë, në muajin shkurt.

Brenda rrethit të ngushtë të Trump-it pati pak kundërshtime. Vetëm nënpresidenti JD Vance shprehu disa rezerva për një përshkallëzim të tillë ushtarak. Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, ishte më skeptik ndaj parashikimeve optimiste të kryeministrit izraelit për një ndryshim të mundshëm regjimi në Iran. Ndërkohë, Marco Rubio dhe Donald Trump  u mbështetën më shumë tek instinktet sesa tek analizat e ekspertëve për ta marrë vendimin, thuhet në artikullin e NYT, që Lapsi.al e ka lexuar.

Përpjekjet e Netanyahu për të bindur SHBA-të të sulmonin Iranin kishin filluar që gjatë mandatit të Bushit në vitet 2000. 

Ndwrsa marrëdhënia e veçantë që ai ruan me Donald Trump i  mundësoi më në fund të arrinte të përfshinte fuqinë e parë botërore në një operacion që ai e percepton si misionin e vet historik.

Libri me titull “Regime Change: Inside the Imperial Presidency of Donald Trump” (“Ndryshimi i regjimit: në zemër të presidencës perandorake të Donald Trump”), që pritet të botohet nga dy gazetarët nuk trajton ndryshimin e pushtetit ne Teheran, por në Shtetet e Bashkuara gjatë mandatit të dytë të Donald Trump. Ky president i thyerjes së tradites, i cili dëgjon instinktet e tij më shumë se ekspertët dhe preferon mendimet e disa liderëve të huaj para atyre të aparatit shtetëror amerikan, është mburrur se duke sulmuar një regjim që sfidon Shtetet e Bashkuara prej dyzet e shtatë vitesh, ka marrë një vendim që asnjë nga paraardhësit e tij nuk kishte guxuar ta merrte.

Haberman, e New York Times, e cila e ndjek Trump pothuajse që nga fillimi i karrierës së saj si gazetare, dhe Swan, nga faqja Axios, e paraqesin ndikimin e Netanyahut si një nga faktorët thelbësorë të këtij vendimi.

Kryeministri izraelit, sipas asaj që shkruhet në libër ia paraqiti Donald Trump-it planet e një operacioni kundër Iranit më 11 shkurt, gjatë një takimi sekret në Situation Room të Shtëpisë së Bardhë, ku liderët e huaj priten rrallë. Prezentë janë vetëm pak njerëz. Susie Wielles, sekretare e përgjithshme e Shtëpisë së Bardhë, këshilltari për sigurinë kombëtare, Marco Rubio, sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura, gjenerali Dan Caine, John Ratcliffe, drejtorin e CIA-s, si dhe dy negociatorët e Trump-it, Jared Kushner, dhëndri i presidentit dhe miku i tij Steve Witkoff. Zv presidenti JD Vance, që ndodhej në një udhëtim zyrtar, mungonte atë ditë.

Netanyahu ulet përballë tyre. Ai e ka përgatitur mirë prezantimin e tij. Drejtori i Mossad-it, Daniel Barnea, drejtues të tjerë ushtarakë dhe të sigurisë izraelite ndërhyjnë në takim përmes videos. Izraelitët e paraqesin sulmin kundër Iranit si një fitore pothuajse të sigurt. Regjimi është i dobësuar, mjetet e tij të mbrojtjes kundërajrore janë shkatërruar nga “lufta dymbëdhjetëditore” e një vit më parë duke e provuar këtë me argumentin se reagimet e tij në atë kohë kanë qenë minimale.

Netanyahu shpjegon gjithashtu se goditjet precize mund ti'a “ulin kokën” Iranit duke eliminuar ajatollahun Ali Khamenei dhe se kapacitetet e tij ushtarake mund të neutralizohen. Ai përmend perspektivën historike të një ndryshimi regjimi, duke ringjallur kryengritjen popullore të janarit, dhe paraqet kandidatë të mundshëm që do të pasonin në pushtet Republikën Islamike.

Netanyahu, i cili prej njëzet vitesh përpiqet të bindë Shtetet e Bashkuara të sulmojnë Iranin, argumenton se momenti është i favorshëm. Dhe se “kostoja e një ndërhyrjeje vetëm do të rritej nëse goditjet shtyhen për më vonë dhe nëse Iranit i lihet më shumë kohë për të përshpejtuar prodhimin e raketave dhe për të krijuar një mburojë mbrojtëse rreth programit të tij bërthamor”.

Kryeministri izraelit kujton se Republika Islamike përfaqëson prej dyzet e shtatë vitesh një problem për Shtetet e Bashkuara dhe se rasti është historik.

Trump duket qartaz i impresionuar.

“Më duket mirë”, thuhet se deklaroi ai në fund të paraqitjes.

Të nesërmen ai mblodhi kabinetin e tij të ngushtë. Shërbimet amerikane të inteligjencës që kanë vlerësuar argumentet izraelite, i konsiderojnë të realizueshme pjesët e para të planit: “prerjen e kokës” së regjimit dhe neutralizimin e kapaciteteve ushtarake iraniane. Por ata mendojnë se perspektiva e një kryengritjeje popullore në Iran dhe ajo e një ndryshimi regjimi nuk janë realiste.

“Delirante”, thuhet se kishte thënë shefi i CIA-s, John Ratcliffe. “Me fjalë të tjera, budallallëqe”, ka shtuar Rubio.

Gjenerali Caine, i vetmi ushtarak profesionist i pranishëm, pyetet drejtpërdrejt nga Trump: “Nga përvoja ime, kjo është metoda e zakonshme e izraelitëve”, i thotë ai presidentit. “Është e tepruar dhe planet e tyre nuk janë gjithmonë të përpunuara mirë. Ata e dinë se kanë nevojë për ne dhe për këtë arsye këmbëngulin kaq shumë.”

Caine, të cilin burime në Pentagon e përshkruajnë prej muajsh si personalisht shumë skeptik, e paralajmëron presidentin për rreziqet e operacionit, konsumimin e rezervave të municioneve dhe rrezikun që Irani të mbyllë ngushticën e Hormuzit. Por ai nuk bën asnjë rekomandim në favor të një obsioni apo tjetrit, duke u mjaftuar të përgjigjet vetëm për aspektet teknike dhe ushtarake të çështjes.

Askush nuk i kundërvihet Trumpit. Nëse presidenti jep urdhrin, forcat e armatosura do ta zbatojnë. Nëse Rubio dyshon për realizueshmërinë e një ndryshimi regjimi ose për nxitjen e një kryengritjeje, ai mendon se shkatërrimi i programit të raketave të Iranit është i mundur. Pete Hegseth është më pro sulmit nga të gjithë. Pasi u emërua sekretar i Mbrojtjes, ai s'ka se ç'kërkon më shumë.

I vetmi që mund të shprehte hapur rezervat ishte zëvendëspresidenti JD Vance. Përfaqësues i rrymës izolacioniste në koalicionin MAGA, armiqësor ndaj aventurave ushtarake, ai mund të paralajmëronte për pasojat e paparashikuara të një lufte në rajon, por edhe për votuesit amerikanë armiqësorë ndaj aventurave të jashtme dhe ndaj ndikimit të Izraelit. Vance fillimisht do të kishte rekomanduar veprime të kufizuara. Por kur ai e kuptoi se Trump ishte i vendosur të nisë një fushatë në shkallë të gjerë, ai rekomandoi përdorimin e forcave të panumërta për të arritur sa më shpejt objektivat.

“Kishim një divergjencë të vogël filozofike”, do të pohonte Trump për Vance sapo filloi lufta.

Këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë në mandatin e dytë të Trump nuk janë rekrutuar në punë për sinqeritetin e tyre. Mes tyre Caine është i vetmi ushtarak profesionist. Por, ndryshe nga paraardhësi i tij, gjenerali Mark Milley, i cili shpesh kundërshtonte impulsivitetin e presidentit, Caine nuk jep mendim kundër Trumpit dhe nuk e kundërshton. Kabineti nuk përfshin personalitete me peshë si Jim Mattis, ish-gjenerali i Marinës që u bë sekretar i Mbrojtjes, apo John Kelly, një tjetër marins që u bë sekretar i përgjithshëm i Shtëpisë së Bardhë. Përveç Rubios, i cili ka tashmë një karrierë politike pas vetes, të gjithë ia detyrojnë postin e tyre përkushtimit ndaj presidentit.

“Trump shpesh duket se dëgjon vetëm atë që dëshiron të dëgjojë”, shpjegojnë autorët e librit në artikullin e lexuar nga Lapsi.al.

Ai ndoshta e ka marrë tashmë vendimin. Irani zë një vend të veçantë në mendjen e Trumpit. Prej kohësh ai është i bindur, ashtu si dhe paraardhësit e tij, se Irani është një kërcënim. Ai tundohet nga perspektiva për t’u bërë presidenti që e zgjidhi çështjen, që arriti aty ku të gjithë kanë dështuar. Vendimet e tij të guximshme deri tani kanë qenë shpesh të suksesshme. Reagimet iraniane kishin qenë minimale pas vrasjes së Qassem Soleimanit në vitin 2020, pastaj pas bombardimeve të instalimeve bërthamore në qershor 2025. Dhe mbi të gjitha suksesi i operacionit të guximshëm kundër Nicolas Maduro-s, i rrëmbyer pas një bastisje me helikopter në qendër të Karakasit, e inkurajojnë Trumpin të veprojë me guxim.

Mbetet kalendari. Negociatat midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara kanë rifilluar përmes ndërmjetësimit të Omanit, të udhëhequra nga Jared Kushner dhe Steve Witkoff.  Iranianët sapo kanë refuzuar një propozim për t’u furnizuar me uranium për programin e tyre civil bërthamor.

Por, mbi të gjitha, izraelitët dhe amerikanët kanë një informacion sipas të cilit ajatollah Khamenei duhet të drejtojë një takim në mes të ditës në Teheran, duke bërë të mundur eliminimin e tij me një goditje të synuar.

Të enjten, më 26 shkurt, një mbledhje zhvillohet përsëri në Situation Room. Pjesëmarrësit janë të njëjtët si në takimet e mëparshme, me këshilltarin juridik të Shtëpisë së Bardhë, David Warrington, zëdhënësen Karoline Leavitt dhe Steven Cheung, drejtor i komunikimit. Janë gjithashtu të pranishëm besnikët e Trumpit që e dinë se ai nuk urren asgjë më shumë sesa të kundërshtohet.

“Besoj se duhet ta bëjmë”, u thotë Trump.

Të nesërmen, në bordin e Air Force One, ai jep urdhrin:

“Operacioni Fury Epike miratohet. Nuk ka anulim. Fat të mbarë.”

Burimi New York Times, përgatiti T.Çela, Lapsi.al

 

 

 

 

Të këshilluara

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

24°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI