“Ndërtesa pranë shtëpisë sime u godit pak orë më parë. Gati sa nuk vdiqa”. Është ky mesazhi që një shqiptar nga Libani dërgoi në redaksinë e lapsi.al shoqëruar edhe me videon më poshtë.
[video width="462" height="848" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2026/04/WhatsApp-Video-2026-04-08-at-21.54.00.mp4"][/video]
Ky vend po përjeton orë tmerri pas arritjes së armëpushimit mes SHBA dhe Iranit. Izraeli thotë se marrëveshja për të ndalur 2 javë sulmet nuk përfshin Libanin ndaj ka nisur një valë sulmesh ndaj këtij vendi. Synimi sipas Tel Avivit është të shkatërrohet Hezbollahu, organizata e lidhur me Iranin, por raketat po godasin edhe zona të banuara.
Të paktën 254 persona vlerësohet se kanë humbur jetën vetëm këtë të mërkurë në Liban. Autoritetet i kanë quajtur bombardimet izraelite si më të rëndat dhe më të përgjakshmet që nga nisja e konfliktit muajin e kaluar.
Masakrat nuk po ndalen edhe pse vetë Hezbollahu deklaroi se do të ndalte sulmet ndaj Izraelit verior dhe ushtarëve izraelitë në Liban, për të respektuar marrëveshjen e armëpushimit midis Teheranit dhe Uashingtonit. Për shkak të situatës së krijuar, Teherani po kërcënon që të mos marrë pjesë në bisedime me SHBA-të nëse armëpushimi nuk zbatohet edhe në Liban.
Më shumë se 100 sulme në 10 minuta, shpërthime të vazhdueshme tronditën Bejrutin dhe tym i dendur u ngrit në qiell mbi qytet. Sipas ushtrisë izraelite, synimi ishte goditja e më shumë se 100 qendrave të komandës dhe ushtarake të Hezbollahut në kryeqytet libanez.
Në Bejrut, gazetarët e Reuters raportuan për njerëz me motoçikleta që transportonin të plagosurit në spitale, sepse nuk kishte mjaftueshëm ambulanca. Një ekip zjarrfikësish po përpiqej të shuante flakët në një garazh makinash, ku një shpërthim kishte shkatërruar plotësisht më shumë se një duzinë automjetesh.
Kreu i sindikatës së mjekëve libanezë, Elias Slela ftoi "të gjithë mjekët e të gjitha specialiteteve" që të shkonin në çdo spital që mundnin për të ofruar ndihmën e tyre. Një nga spitalet më të mëdha të Bejrutit tha se kishte nevojë për gjak të të gjitha llojeve.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se armëpushimi që i dha fund luftës në Iran nuk vlen për Libanin, duke u zotuar se operacionet ushtarake kundër Hezbollahut do të vazhdojnë.
Në krahun tjetër kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif, i cili ndërmjetësoi marrëveshjen deklaroi se armëpushimi vlen edhe për Libanin. Hezbollahu reagoi duke e quajtur "sulm barbar" veprimin e Izraelit, duke shtuar se tani ka "të drejtën e tij natyrore dhe legjitime për t'i rezistuar pushtimit dhe për t'iu përgjigjur agresionit të tij".
Edhe Garda Revolucionare e Iranit paralajmëroi gjithashtu se do të "përgjigjej" nëse sulmet ndaj Libanit nuk ndaleshin.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avishai Andrae, deklaroi se Hezbollahu ishte zhvendosur nga fortesa e tij tradicionale shiite në lagjen Dahiya të Bejrutit jugor në zona të tjera të qytetit, duke përfshirë periferitë veriore. Duke iu drejtuar Hezbollahut, ai shtoi se ushtria izraelite "do t'ju ndjekë kudo që të jeni".
Më shumë se 1500 njerëz, përfshirë të paktën 130 fëmijë, janë vrarë që nga 2 marsi, kur Hezbollahu filloi të qëllonte me raketa Izraelin në solidaritet me Iranin.
Izraeli ka lëshuar urdhra evakuimi që mbulojnë rreth 15% të Libanit, kryesisht në jug dhe në periferitë jugore të Bejrutit. Numri i personave të zhvendosur tejkalon 1.2 milionë, sipas autoriteteve libaneze. ©LAPSI.al