Flash

Flasin ekspertët për aeroportin e Vlorës/ Kush i mban peng aksionet e MABCO

Lapsi.al 7 April 2026
Flasin ekspertët për aeroportin e Vlorës/ Kush i mban peng

Shtatë vite pasi u shpall si një nga projektet më ambicioze infrastrukturore të vendit, aeroporti i Vlorës ka hyrë në një fazë tjetër, si objekt hetimi penal. SPAK ka kaluar nga verifikimet paraprake të hetimit në akuza zyrtare duke marrë të pandehurit e parë, disa anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave pranë Ministrisë së Infrastrukturës, të cilët akuzohen për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera dhe ankande publike”. Hetimi, i drejtuar nga prokurori i posaçëm Klodian Braho, është përqendruar te dyshimet se gjatë procesit të vlerësimit të ofertave “është cenuar barazia në garë”, një linjë që SPAK e ka ndjekur edhe në hetimet e kaluara për Belinda Ballukun.

Nëse kthehemi pas në kohë, duhet thënë se ka qenë kryeministri Edi Rama që shpalli publikisht në vitin 2018 se kishte marrë një “kërkesë zyrtare” nga një konsorcium turk për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Më pas, në prill 2021, u shpall fitues konsorciumi i përbërë nga “Mabco Construction”, “YDA Group” dhe “2A Group”, me një investim prej 104.3 milionë eurosh, ndërsa kontrata u firmos më 20 prill 2021 nga ministrja e atëhershme e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Zhvillimet e mëvonshme treguan se projekti ishte ndërtuar mbi një ekuilibër të brishtë.

E pandehura Balluku futet në Aeroportin e Vlorës/ Palë me pakicën 2% të Valon Ademit

Në shtator 2022, kompania turke “YDA Group” u largua nga projekti dhe aksionet e saj u shitën te “Mabco Construction”, e cila arriti të kontrollojë rreth 98% të kapitalit të shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport”. Në çdo logjikë normale ekonomike dhe korporative, ky moment duhej ta bënte të qartë edhe kontrollin mbi projektin, sepse shumica dërrmuese e aksioneve, bashkë me barrën financiare të investimit, duhet të përkthehej në drejtim të qartë të punimeve dhe të vendimmarrjes. Por pikërisht këtu nis paradoksi që sot është shndërruar në zemrën e konfliktit që ka bllokuar projektin.

Në shtator 2025, aksioneri minoritar Valon Ademi me “2A Group”, që zotëron vetëm 2% të aksioneve, iu drejtua Gjykatës së Tiranës me kërkesë për sigurim padie, duke pretenduar njohjen e 49% të aksioneve sipas një firme që Mabco e konsideron të paligjshme.

SPAK merr të pandehurit e parë për Aeroportin e Vlorës, projekti peng i pakicës me 2%

Por ajo që ndodhi më pas, tregon se pas 2% të “2A Group” kishte interesa të tjera më të fuqishme. Brenda dy ditësh, gjykata mori një vendim të ndërmjetëm që pezulloi të drejtën e votës së “Mabco Construction”, pra të aksionerit që zotëron pothuajse të gjithë projektin. Për pasojë raporti i pronësisë u përmbys: aksioneri me 98% u nxorr jashtë vendimmarrjes dhe sot ankohet për shkpronësim de facto, ndërsa aksioneri me 2% mori kontrollin faktik të administrimit dhe të kantierit. Që nga ai moment, aeroporti i Vlorës është kthyer në shembullin më të keq mënyrës se si një projekt strategjik mund të bllokohet nga disa vendime të ndërmjetme gjyqësore, krejt absurde dhe të shoqëruara me një mbështetje politike në vend.

Eksperti i ekonomisë Zef Preçi e sheh situatën aktuale një pasojë të mënyrës se si u lejua të transformohej vetë struktura e konsorciumit pas largimit të partnerit turk. Sipas tij, problemi është tek qeveria.

Kjo situatë është rezultat kryesisht i mosrespektimit të ligjit nga qeveria shqiptare dhe autoriteti përgjegjës shtetëror, mbasi me largimin e atij partneri vetë konsorciumi duhej riformatuar si përmes futjes së një kompanie tjetër me përvojën dhe kapacitetet e duhura ose ndoshta duhej rishpallur nga fillimi” thotë Preçi.

Por Preçi shkon edhe më tej, duke sugjeruar se pas agresivitetit të aksionerit minoritar dhe vendimmarrjeve të diskutueshme gjyqësore mund të ketë interesa të tjera, të padukshme në sipërfaqe.

“Lehtësia me të cilën autoritetet përgjegjëse mundësuan kalimin e aksioneve të palës turke në kompaninë e krijuar posaçërisht për zbatimin e asaj kontrate të shtyn të mendosh se kjo është nxitur nga interesa private të palëve të treta të interesuara për t’u bërë aksionerë të njohur ose jo zyrtarisht në projektin në fjalë. Ndoshta këtu është edhe shpjegimi më i besueshëm për agresivitetin e aksionerit në minorancë dhe vendim-marrjet e diskutueshme gjyqësore”. Pra, për Preçin, fuqia e pazakontë që ka treguar një aksioner me 2% duke ndikuar në vendimet abuzive të gjykatave nuk shpjegohet vetëm me konfliktin formal mes ortakëve, por me një interes më të gjerë që mund të ketë vepruar në prapaskenë.

Trekëndëshi Balluku-Abazi-Ademi/ E vërteta për bllokimin e aeroportit të Vlorës

Në këtë logjikë, ai kërkon qartë që hetimi i SPAK të mos kufizohet te hallka më e ulët administrative, por të ngjitet më sipër. “Mendoj se rasti në fjalë është i denjë për t’u hetuar nga SPAK sepse shkalla e përfshirjes se zytarëve të lartë, biznesve të lidhura me to, mundësia e pastrimit të parave dhe cënimit të kontratës koncesionare nga ndërhyrjet e paleve të mësipërme e bën të pazgjidhshëm rastin nga gjykatat e zakonshme” thotë Preçi.

Me fjalë të tjera, eksperti I ekonomisë sugjeron se aeroporti i Vlorës nuk është më një dosje që zgjidhet me interpretim civil mes ortakësh, por një rast ku duhet hetuar ndërthurja mes interesit privat, vendimmarrjes shtetërore dhe deformimit të kontratës nga interesat politike.

Edhe ekonomisti Mateo Spaho e sheh çështjen si një sinjal negativ, që kjo histori u dërgon investitorëve të huaj.

“Situata e Aeroportit të Vlorës, ku një projekt strategjik bllokohet për një afat të pacaktuar nga vendime të ndërmjetme gjyqësore të kontestuara nga të gjitha palët, tregon një nivel të lartë pasigurie ligjore dhe institucionale. Për investitorët e huaj, ky është një sinjal negativ: edhe kur një kompani mbulon shumicën e aksioneve, 98% në rastin e Mabco, proceset gjyqësore paralele dhe ndërhyrjet shtetërore mund të vonojnë ose të bllokojnë investimin.” Spaho shton se ky problem mund të kthehet në precedent dhe paralajmërim për çdo investitor që hyn në Shqipëri me bindjen se kapitali, kontrata dhe e drejta e pronës do të jenë të mbrojtura.

Ai e thellon më tej këtë ide kur thotë se “Kjo tregon për një klimë biznesi të paqëndrueshme, ku fuqia reale për të çuar përpara projekte të mëdha nuk varet vetëm nga investimi apo planifikimi, por edhe nga aftësia për të përdorur lidhje politike ose ndikim informale.” Kjo është ndoshta goditja më e fortë që del nga analiza ekonomike e këtij rasti, sepse ajo e zhvendos çështjen nga debati teknik te problemi strukturor i modelit të biznesit në Shqipëri: jo kush investon më shumë, por kush ka akses më të madh te pushteti dhe te mekanizmat informalë të ndikimit.

Për më tepër thotë ai “Vonesa e hapjes së Aeroportit të Vlorës ka pasoja konkrete për turizmin në jug të vendit. Së pari, pengon fluksin e turistëve dhe vonon kthimin e investimeve në hoteleri dhe shërbime, pasi operatorët nuk mund të planifikojnë me siguri. Së dyti, dëmton besueshmërinë e destinacionit për agjencitë e turizmit në vendet e tjera”.

Tashmë është e qartë që dosja e aeroportit të Vlorës përmban më tepër sesa një hetim për barazinë në tender. Në këtë panoramë hyjnë edhe pikëpyetjet mbi rolin e Belinda Ballukut, lidhjet e saj me aksionerin minoritar, si dhe mbështetja e qartë që 2A Group ka marrë nga vendime gjyqësore të ndërmjetme, të cilat jo vetëm kanë bllokuar investitorin me 98% të aksioneve, por kanë prodhuar efektin e një shpronësimi de facto të shumicës.

Prandaj hetimi është edhe një test për SPAK, nëse drejtësia do të ndalet te zyrtarët e nivelit të mesëm, apo do të ndjekë hallkat politike, administrative dhe gjyqësore që prodhuan këtë deformim. Sepse pikërisht aty qëndron problemi i çështjes: Si është e mundur që një aksioner me 2% të marrë kontrollin faktik të një projekti strategjik, ndërsa aksioneri me 98% të mbetet i përjashtuar nga të drejtat bazë të vendimmarrjes? Kush qëndron pas vendimeve të absurde të gjykatave? Cilat janë fijet që e lidhin Valon Ademin, një biznesmen nga Prishtina me qendrën e pushtetit në Tiranë? Dhe nëse SPAK nuk arrin t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve, atëherë jo vetëm aeroporti i Vlorës, por edhe besimi te siguria juridike e investimeve në Shqipëri, do të mbetet peng i të njëjtit mekanizëm./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI