Nëse deri dje Kamza njihej për ritmin e saj urban dhe sfidat tipike të periferisë, sot duket se ka hyrë në hartën globale… të buzëqeshjeve. Jo për ndonjë revolucion urbanistik, por sepse sipas Taulant Balles, qyteti po kthehet në një destinacion të rëndësishëm për turizmin dentar.
Gjatë një vizite në klinike dentare në zonën e Paskuqani, së bashku me kryetarin e bashkisë Rakip Suli, Balla zbuloi atë që deri dje ndoshta as vetë banorët nuk e kishin kuptuar: se Kamza nuk është thjesht një qytet në zhvillim, por një “perlë” e re e turizmit mjekësor.
Dhe ja ku jemi: turistët nuk vijnë më vetëm për bregdetin apo trashëgiminë kulturore, por për një mbushje dhëmbi në Paskuqan. Sepse, siç dihet, nuk ka asgjë më relaksuese sesa të kalosh pushimet duke dëgjuar zhurmën e turbinës dentare.
Sipas Ballës, vetëm pak vite më parë ishte e paimagjinueshme që kjo zonë do të arrinte këtë nivel. Një deklaratë që tingëllon më shumë si një zbulim i vonuar sesa si një analizë zhvillimi. Sepse ndërkohë që qytetarët ende përballen me problematika bazike urbane, vizioni i ri duket se fokusohet tek implantet dhe fasetat si motori i ekonomisë lokale.
Në këtë realitet të ri, infrastruktura shëndetësore dhe shërbimet mbështetëse po “transformojnë” jetën e banorëve. Dhe ndoshta kanë të drejtë: sepse kur ke një klinikë moderne pranë, çdo problem tjetër duket më i vogël… ose të paktën më pak i dhimbshëm, pasi mund ta trajtosh me një anestezi lokale.
Në fund, mbetet për t’u parë nëse ky “boom” i turizmit dentar do të shoqërohet edhe me zhvillime të tjera po aq mbresëlënëse. Deri atëherë, Kamza mund të mburret me një avantazh unik: është ndoshta i vetmi vend ku mund të shkosh për pushime dhe të kthehesh me një buzëqeshje të re… dhe një histori për të treguar.