Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme. Kryedemokrati, u paraqit në SPAK në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të vendosur ndaj tij, në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Berisha ka folur jashtë godinës së SPAK-ut para gazetarëve dhe ai është ndalur për të folur për gjyqtaren e GJKKO Irena Gjoka.
“Përveç kësaj, Irena me 5 mbiemra nuk ka falsifikuar vetëm në Greqi, nuk është dënuar vetëm në Greqi, por ajo ka falsifikuar të paktën pesë herë, për çka dënohet penalisht, të gjithë formularët që ajo ka plotësuar për vetingun, ILDKP-në, për emërimet e saj në gjykatën speciale. Pra janë 5 formularë në të cilët ajo ka mashtruar shtetin shqiptar. Por Altin Maneku e ka injoruar totalisht të gjithë këtë, në një kohë kur çdo person tjetër i cili është gjetur se ka falsifikuar formularin është dënuar dhe penalisht dhe është nxjerrë nga detyra.
Kjo nuk ndodh me Irenën me 5 mbiemra sepse është e mbrojtur nga familja më mafioze e Shqipërisë, që është familja Rama. Përveç këtyre, Irena Gjoka Maneku Dumani ka fshehur pasurinë e saj. Çdo zyrtar i gjetur në fshehje pasurie është ndëshkuar sipas ligjit. Irena ka fshehur apartamente dhe garazhe, por këtu e thirri Altin Dumani, i tha si i ke fshehur ti këto?
Po ti, i tha, si i ke fshehur këto 4 shtëpitë? E kuptoni se si e kanë neutralizuar njëri-tjetrin? Ju u duket si habi. Kjo ka ndodhur se këtu ndodhin çudira. Kështu që Irena me apartament të fshehur, me garazh të fshehur, në vend që të shkojë aty ku e ka vendin, në burg, i thotë Dumanit, shih pak veten tënde. Dhe këtu do i sjellim edhe ato të Dumanit. Do i bëjmë të gjitha.
Ka mashtrime të turpshme dhe ai dhe së shpejti do merrni vesh. Por thashë ta përfundojmë me klienten e tij, pastaj t’i kthehemi Troplinit. Kjo është siç e shihni të dashur qytetarë. Pyeteni veten cili qytetar shqiptar i cili ka kryer pesë shkelje të rënda ligjore, krime, nuk përballet me dënimin? Duhet të jesh gjykatës special ose prokuror special që të mos ekzistojë ligji. Këta janë llumi i shtetit shqiptar. Janë turpi i zyrtarëve shqiptarë. Këta nuk kanë ligj, moral, dinjitet përveçse krim, krim dhe vetëm krim,“ tha Berisha.
Po ashtu, Berisha deklaroi për mediat se kryeministri Rama duhet jo vetëm të dëshmojë, por të jetë subjekt hetimi në procesin gjyqësor për dosjen “Partizani”. Sipas tij, Rama ka pasur rol në zhvillimet që lidhen me territorin e ish-klubit “Partizani”, duke pretenduar se një pjesë e zonës është shndërruar në truall ndërtimi pa kërkesë nga pronarët.
“Rama është kërkuar nga të akuzuarit e dosjes që në fillim që të jetë dëshmitar. Madje jo dëshmitar, por në ndjekje penale. Sepse Edi Rama, një pjesë të mirë të territorit të klubit “Partizani;’ e kishte shndërruar në zonë ndërtimi pa asnjë kërkesë të pronarëve përveç të peshkaqenit Olsi Rama që kishte vendosur të bëhej milioner në tokën e tjetri.
Zona ishte zonuar kur as nuk u ishte kthyer pronarëve dhe ata nuk kishin bërë asnjë kërkesë. Rama dha lejet e ndërtimit te klubi Partizani. Më vonë ai mori vesh se një nga pronarët që ka marrë tokë aty dhe është bashkëndërtues është Malltezi, dhe pavarësisht se ishte dhënë leja, ai e mbajti lejen e ndërtimit, nuk e zbardh. Gjykata e urdhëron ta zbardhë, ai nuk zbatoi vendimin e gjykatës. Rama dërgoi Inspektoriatin e tij dhe bllokoi punimet. Për këtë u dënuar 320 mijë euro nga gjykata. Kjo shumë që u pagua nga buxheti i bashkisë”, tha ai.