Flash

Detaje të reja/ Si i mashtroi CIA iranianët për pilotin amerikan të rrëzuar

Lapsi.al 5 April 2026
Detaje të reja/ Si i mashtroi CIA iranianët për pilotin amerikan

I fshehur vetëm në një grykë malore pas vijës së armikut, piloti amerikan i plagosur e dinte saktësisht se çfarë duhet të bënte: të mbijetonte që të arratisej.

Për më shumë se 1 ditë, oficeri i sistemeve të armëve të avionit “F-15E Strike Eagle” i cili u rrëzua brenda Iranit, i shpëtoi kapjes nga forcat iraniane që po pushtonin territorin. Në një moment, ai u ngjit në një terren të thyer deri në një kreshtë 7,000 metra mbi nivelin e detit, i pajisur me pak më shumë se një pistoletë, një pajisje komunikimi dhe një sinjalizues gjurmimi.

Pikërisht në malet e larta, një ekip komandosh amerikanë, i shoqëruar nga avionë amerikanë që hidhnin bomba për të pastruar zonën, u turrën për të gjetur oficerin, duke e shpëtuar atë dhe veten e tyre.

Dy zyrtarë amerikanë i treguan CNN detaje të operacionit të rrezikshëm. Sipas tyre në operacion u përfshinë qindra personel ushtarak dhe të inteligjencës amerikane. Në operacion u bënë pjesë Forcat e Operacioneve Speciale që kryen misionin e suksesshëm të shpëtimit dhe operativë të CIA-s që organizuan paraprakisht një fushatë mashtrimi për të ngatërruar pengmarrësit e mundshëm iranianë.

Operacioni pati disa momente të vështira. Dy avionë shpëtimi u bllokuan në tokë duke detyruar forcat speciale që t’i hidhnin ata në erë që të mos binin në duart e iranianëve. Për të tërhequr komandot dhe pilotin u dërguan avionë të tjerë ndërsa zona u bombardua rëndë për të ndalur avancimin e iranianëve.

"E GJETËM!" - shkroi Presidenti Donald Trump në mediat sociale pasi e kaloi të shtunën duke monitoruar operacionin nga Shtëpia e Bardhë. "Gjatë disa orëve të fundit, Ushtria e Shteteve të Bashkuara kreu një nga Operacionet më të guximshme të Kërkimit dhe Shpëtimit në Historinë e SHBA-së."

Videoja dhe imazhet e publikuara nga media shtetërore iraniane dhe të gjeo-lokuara nga CNN tregojnë rrënojat e djegura të disa avionëve në provincën jugore të Esfahan në Iran. Në pamjet filmike, duket një fushë e madhe me mbeturina avionësh ende duke nxjerrë tym. Pjesë të shkatërruara të avionëve, përfshirë ato që duket se janë motorë turbohelikë, janë gjithashtu të dukshme. Nuk është e qartë se çfarë lloj avioni janë ose kujt i përkasin.

Media shtetërore pretendoi se ishin forcat iraniane që qëlluan avionin e parë në imazhe. Në një postim në Truth Social, Presidenti Trump nuk përmendi humbjet e avionëve, por tha se asnjë anëtar i shërbimit amerikan nuk u plagos ose u vra në operacion. CNN i është drejtuar për një koment ushtrisë amerikane.

Ushtria e Iranit tha se forcat amerikane përdorën një pistë uljeje të braktisur për të kryer operacionin. Një analizë e imazheve satelitore nga CNN konfirmoi praninë e një piste të vogël uljeje rreth zonës ku u morën imazhet. Imazhet përkojnë rreth 50 kilometra nga qyteti iranian i Esfahanit. CNN arriti të gjeolokonte videon dhe imazhet duke përputhur vargmalin pas rrënojave me imazhet satelitore.

Gara për të gjetur dhe rikuperuar oficerin u bë një përpjekje gjithëpërfshirëse për administratën amerikane pasi u rrëzua avioni luftarak. Piloti i aeroplanit u gjet shpejt, por Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni refuzuan të konfirmonin shpëtimin pasi një mision i dytë, më i zgjatur për të gjetur shokun e tij të ekuipazhit ishte duke u zhvilluar.

Të dy ishin hedhur nga aeroplani kur u goditën, por vendndodhja e oficerit të sistemeve të armëve nuk dihej. Pasi pësoi lëndime gjatë hedhjes, ai u fsheh në grykë mali për të shmangur zbulimin nga iranianët, udhëheqësit e të cilit kishin vënë një shpërblim për kapjen e tij.

Komunikimi i tij më forcat amerikane ishte sporadik, pasi përpiqej të shmangte zbulimin nga forcat iraniane. Në Uashington, Trump e kaloi të premten në Krahun Perëndimor, duke lëvizur midis Zyrës Ovale dhe dhomës së ngrënies ngjitur për të marrë përditësime mbi misionin për të gjetur oficerin. Rrëzimi i F-15E, së bashku me aftësinë e Iranit për të goditur një aeroplan tjetër - një A-10 Warthog - dhe një helikopter amerikan që ndihmonte në misionin e kërkim-shpëtimit, duket se minon pretendimet e administratës së tij për dominim ajror mbi Iranin.

Trump nuk luajti golf të shtunën, duke qëndruar në Shtëpinë e Bardhë pasi ishte në zhvillim operacioni për të hyrë në Iran për të gjetur pilotin e rrëzuar. Në të njëjtën kohë që planifikuesit ushtarakë po nxitonin të hartonin pjesët e operacionit, një përpjekje paralele ishte duke u zhvilluar nga CIA. Operativët e inteligjencës amerikane punuan për të qarkulluar informacion brenda Iranit se të dy anëtarët e ekuipazhit ishin gjetur, duke kërkuar të ngatërronin anëtarët e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, të cilët po kërkonin urgjentisht oficerin e rrëzuar.

Ndërkohë, Izraeli shtyu disa sulme të planifikuara në Iran për të mos ndërhyrë në përpjekjet e kërkim-shpëtimit, tha një zyrtar izraelit për CNN, dhe ofroi mbështetje të inteligjencës, sipas dy burimeve izraelite. Ishte CIA ajo që në fund identifikoi vendndodhjen e saktë të oficerit dhe ndau informacionin me ushtrinë. "Ky luftëtar i guximshëm ishte pas vijave të armikut në malet e pabesë të Iranit, duke u ndjekur nga armiqtë tanë, të cilët po afroheshin gjithnjë e më shumë me orë, por nuk ishte kurrë vërtet vetëm", - shkroi Trump. ©Përgatiti LAPSI.al

Të këshilluara

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

27°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI