Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi rritjen e çmimit të naftës në 224 lekë për litër, duke i cilësuar masat e qeverisë së Edi Ramës si qesharake.
“Çmimi i naftës arriti në 224 lekë, një çmim ndër më të lartët në botë. Nuk ka dyshim se lëvizja e çmimit të naftës diktohet nga kriza energjitike, e krijuar për shkak të luftës në Lindjen e Mesme dhe të goditjeve të vendeve të Gjirit nga Irani. Por një rritje të tillë çmimi s’e ka asnjë vend tjetër në botë. Shqiptarët duhet ta dinë se qeveria shqiptare ka vendosur taksën më të lartë në botë mbi naftën. Asnjë vend tjetër nuk takson kaq rëndë, nuk takson naftën në shkallën 60% të çmimit të saj. Shqipëria është rekord në Evropë dhe botë në taksimin e naftës, cka detyron kompanitë të mbajnë çmime stratosferike. Së dyti, nëse e bëjmë me proporcion rrogash apo të ardhurash ditore, Shqipëria rezulton se duhet të paguajnë për naftën që blejnë 6-8 herë më shumë se qytetarët e vendeve të tjera në raport me të ardhurat e tyre. Nafta është ndëshkim i vërtetë dhe është taksë absurde, të cilën e paguajnë cdo qindarkë qytetarët shqiptarë. Edi Rama taton naftën 1.1 euro për litër, sa asnjë vend tjetër në botë. 60 përqind të çmimit. Masat që ka shpallur janë qesharake, nuk kanë asnjë ndikim. Masa të vërteta janë ato të cilat shpalli Australia dhe po i shpallin vendet e tjera, përgjysmim i menjëhershëm i barrës fiskale mbi naftën, me fjalë të tjera nëse Shqipëria merr 1.1 euro për litër, qeveria duhet ti ulë këto taksa 055 euro për litër naftë. Dhe me këtë nu bën gjë tjetër, veçse barazon taksën me shumicën e vendeve anëtare të BE.
Duhet të luftohet kontrabanda qeveritare se janë 350 mijë ton naftë që vijnë me anije të padoganuara, dhe mund të kalojnë vetëm kontrabanda e ministrave të Ramës. Zgjidhja që kërkon Rama është mashtrim, do të shtrijë duart e tij të zeza dhe të krijojë një ndërmarrje, si AKSHI-n dhe e- Albanian, që të jetë përfituesi kryesor. Ftoj qytetarët të bashkohen në revoltën e PD kundër këtij regjimi.”, tha Berisha.