Flash

Qeveria italiane zgjat periudhën e uljes së çmimit të karburanteve

Lapsi.al 3 April 2026
Qeveria italiane zgjat periudhën e uljes së çmimit të

Qeveria italiane ka zgjedhur të ndërhyjë drejtpërdrejt në çmimin e karburanteve, duke zgjatur deri më 1 maj uljen e akcizës që ishte në fuqi që prej 19 marsit dhe që fillimisht duhej të përfundonte më 7 prill. Masa synon të frenojë rritjen e çmimeve të benzinës dhe naftës, të nxitura nga tensionet dhe lufta në Lindjen e Mesme, dhe përkthehet në një ulje prej rreth 25 centësh për litër.

Kostoja e kësaj ndërhyrjeje është e konsiderueshme. Shteti italian ka vënë në dispozicion rreth 500 milionë euro për të mbuluar të ardhurat e humbura nga akcizat, pra taksat fikse që aplikohen për çdo litër karburanti të shitur.

Ministri i Ekonomisë, Giancarlo Giorgetti, e ka përshkruar këtë ndërhyrje si një masë të përkohshme, ndërsa ka paralajmëruar se në fillim të majit do të vlerësohen hapa të tjerë në varësi të zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Paralelisht, qeveria ka vendosur edhe një kreditim fiskal prej 20 për qind për sektorin bujqësor, që në praktikë përkthehet në një lehtësim për blerjen e naftës nga fermerët.

Megjithatë, efektet në treg kanë qenë më të kufizuara nga sa pritej. Në ditët e para u vu re një ulje e lehtë e çmimeve, por ajo u zbeh shpejt për shkak se çmimet bazë të karburanteve në tregjet ndërkombëtare mbetën të larta. Para ndërhyrjes, taksat përbënin rreth 55 për qind të çmimit final të benzinës, ndërsa pas uljes kjo peshë ka rënë në rreth 44 për qind. Pavarësisht kësaj, çmimet në pompë nuk kanë reflektuar një ulje domethënëse, çka tregon se rritja e çmimit të naftës bruto ka neutralizuar një pjesë të madhe të efektit të politikës fiskale.

Në javët e fundit, përfaqësues të qeverisë së Giorgia Meloni kanë ngritur edhe dyshime për “spekulim” nga kompanitë energjetike dhe distributorët, duke sugjeruar se çmimet janë rritur më shpejt dhe më shumë se sa e justifikon tregu i naftës. Megjithatë, të dhënat nuk mbështesin këtë tezë: në shumë raste, rritja e çmimeve të karburanteve, edhe pa llogaritur taksat, ka qenë më e ulët se rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare.

Italia mbetet ndër vendet me barrën më të lartë fiskale mbi karburantet në Bashkimin Europian. Ajo aplikon akcizat më të larta për naftën dhe është e dyta për benzinën, pas Holandës. Këto taksa janë të vështira për t’u ulur jo vetëm sepse përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për buxhetin, por edhe sepse kanë një funksion të qartë politikash publike: të dekurajojnë përdorimin e karburanteve fosile, të cilat janë ndër shkaktarët kryesorë të ndotjes dhe ngrohjes globale.

Në këtë kuadër, ulja e akcizës përbën një devijim nga linja e përgjithshme e Bashkimit Europian, ku shumë vende kanë bërë thirrje për kursim dhe reduktim të konsumit të energjisë, përfshirë kufizimin e udhëtimeve, në një kohë kur pasiguritë për zgjatjen e konfliktit në Lindjen e Mesme mbeten të larta.

Të këshilluara

ide

Jo dhunës, po organizimit!

Ajo që i duhet protestës sociale sot, më shumë se dhuna, është organizmi i një fronti të gjerë anti-sistem që bën bashkë përfaqësues të grupimeve të ndryshme sociale që emërues të përbashkët kanë pakënaqësinë me funksionimin e regjimit aktual politik dhe ekonomik. Ky front, që mund të quhet Fronti Flamingove, duhet të ketë përfaqësues nga studentët, pedagogët, ambientalistët, shoqëria civile, partitë e reja politike siç është Lëvizja Bashkë, punëtorët, fermerët dhe përfaqësues të komuniteteve të cilave po u grabiten tokat nëpërmjet modeleve të turizmit elitar

15:10 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

11°c

KËMBIMI EURO

90.83

aktuale

Zbulohen prapaskenat pse u rritën papritmas taksat, biznesi paralajmëron eksod në rajon

Situata politike që po kalon vendi pas protestave të studentëve vlerësohet faktori kryesor që ka detyruar qeverinë të propozojë ndryshime të papritura të taksave, përfshirë uljen e TVSH-së në 6% të produkteve të shportës ushqimore dhe rritjen për biznesin. Në mbledhjen e Këshillit Tatimor përfaqësuesi i qeverisë pranoi se propozimet për ulje të TVSH-së për […]

06:57
Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI