Flash

Kur mbaron lufta në Iran? BBC jep një datë teksa përpiqet t'i përgjigjet kësaj pyetje

Lapsi.al 3 April 2026
Kur mbaron lufta në Iran? BBC jep një datë teksa përpiqet

Sa më shumë flet Donald Trump për fundin e luftës me Iranin, aq më shumë shtohen pikëpyetjet se ku po shkon realisht ky konflikt. Herë premton fitore të shpejtë, herë lë të kuptohet se përballja mund të zgjasë edhe javë të tjera, ndërsa njerëzit më të afërt të tij japin versione të ndryshme për të njëjtën luftë. Në vend të një plani të qartë, nga Uashingtoni po del vetëm një gjë, afate që ndryshojnë dhe një luftë që mund të zgjasë më shumë se sa po thuhet sot. Lexoni shkrimin e BBC, që mundohet të analizojë sinjalet që vijnë nga administrata Trump, kombinuar me historinë e luftërave të mëparshme amerikane.

BBC: 

Nga foltorja e Shtëpisë së Bardhë, presidenti amerikan Donald Trump dha edhe një tjetër afat për sa mund të zgjasë lufta e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.

Në fjalimin e tij të parë televiziv drejtuar kombit për këtë luftë, të mbajtur të mërkurën në mbrëmje, Trump tha se SHBA është në rrugën e duhur për të arritur objektivat ushtarake në Iran “së shpejti, shumë shpejt”.

Ai u kujtoi amerikanëve se konflikti deri tani ka zgjatur shumë më pak se luftëra të gjata si Lufta e Dytë Botërore apo Lufta e Vietnamit, dhe më pas dha një afat të ri.

“Gjatë dy ose tre javëve të ardhshme, do t’i kthejmë në Epokën e Gurit, aty ku e kanë vendin”, tha ai.

Por kjo nuk është hera e parë që Trump apo njerëzit e tij japin afate për luftën.

Kur njoftoi nisjen e operacionit më 28 shkurt, Trump tha se ai do të vazhdonte “aq sa të jetë e nevojshme për të arritur objektivin”. Që nga ajo ditë, presidenti ka kaluar nga deklarata se lufta është pothuajse e fituar, te deklarata se operacioni mund të zgjasë edhe disa javë. Në përgjithësi, afatet që ai ka përmendur kanë lëvizur nga dy deri në gjashtë javë. Kufiri i gjashtë javëve do të binte më 11 prill. 

Lexo më tej: Kërcënimet e Trump/ A do dalë SHBA nga NATO? 

Analistët që folën për BBC thonë se është normale që një president amerikan të japë një afat për një luftë, për të fituar mbështetje publike, dhe pastaj ta ndryshojë atë më vonë. Por sipas tyre, mënyra si po e bën këtë administrata Trump është e pazakontë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, la të kuptohej se kjo paqartësi mund të jetë edhe pjesë e strategjisë. Duke iu përgjigjur gazetarëve të mërkurën, ai tha: “Mos i trego armikut çfarë je gati të bësh ose jo, dhe mos i trego armikut kur je gati të ndalosh.” 

Hegseth tha se Trump ka folur për “katër deri në gjashtë javë, gjashtë deri në tetë javë, tre javë” dhe shtoi se mund të jetë çdo numër, por SHBA nuk do ta zbulojë saktësisht, sepse qëllimi është të përmbushë objektivat ushtarake.

Ndërkohë, gjatë vazhdimit të luftës, edhe zyrtarë të tjerë të administratës Trump kanë dhënë afate dhe komente që në disa raste janë dukur në kundërshtim me presidentin.

Më 8 mars, Hegseth tha për emisionin “60 Minutes” të CBS se ajo që ishte parë deri atëherë ishte “vetëm fillimi”. Më pak se 24 orë më vonë, edhe Departamenti i Mbrojtjes e përsëriti këtë mesazh në rrjetet sociale: “Sapo kemi filluar të luftojmë.” 

Por po atë ditë, në një konferencë për shtyp në Florida, Trump tha se SHBA kishte bërë tashmë “progres të madh” drejt objektivave të saj ushtarake në Iran. “Madje, disa mund të thonë se pothuajse janë përmbushur”, shtoi ai. 

Edhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka dhënë mesazhe të vetat, zakonisht diku mes tonit të Trump dhe atij të Hegseth. “Ne e shohim vijën e finishit”, tha Rubio për Fox News të martën, një ditë para fjalimit të Trump. “Nuk është sot, nuk është nesër, por po vjen.” 

Kjo nuk është hera e parë që një administratë amerikane përballet me pyetje të tilla. Ndonjëherë presidentët kanë dhënë afate të paqarta, ndonjëherë më konkrete. Por shumë pak luftëra, në mos asnjë, kanë përfunduar ashtu siç kishte parashikuar presidenti në detyrë.

Lexo më tej: Paralajmërimi i SHBA apo mohimi i qeverisë/ Kujt t’i besojmë për rrezikun nga Irani? 

Profesori Eric Min nga Universiteti i Kalifornisë në Los Anxhelos, i cili studion zgjidhjen e konflikteve dhe diplomacinë, thotë se është shumë e vështirë të parashikosh se sa do të zgjasë një luftë, sepse situata ndryshon në kohë reale.

Historia amerikane ka disa shembuj të tillë. Në vitin 1967, presidenti Lyndon B. Johnson tha se kishte “dritë në fund të tunelit” për Luftën e Vietnamit. Por lufta zgjati edhe tetë vjet të tjerë dhe pakënaqësia në vend e ndihmoi të mos kërkonte një mandat të dytë.

Dekada më vonë, Bill Clinton la të kuptohej në vitin 1999 se bombardimet e NATO-s ndaj Jugosllavisë mund të ishin të shkurtra. Në fakt, ato zgjatën më shumë se dy muaj.

Pastaj erdhi rasti i famshëm i George W. Bush me fjalimin “Misioni u përmbush" në një aeroplanmbajtëse, vetëm dy muaj pas nisjes së luftës në Irak. Trupat amerikane u larguan nga Iraku vetëm në vitin 2011.

Historiani Thomas Patterson nga Harvard Kennedy School thotë se presidentët shpesh japin afate për luftërat për të fituar kohë me opinionin publik, por pothuajse gjithmonë e nënvlerësojnë kohëzgjatjen e konfliktit.

Megjithatë, sipas ekspertëve që folën për BBC, rasti i Trump me Iranin dallohet për numrin e madh të herëve që ai dhe njerëzit e tij kanë ndryshuar afatin dhe arsyetimin për luftën.

“Mospërputhja e qëndrimeve brenda administratës është mjaft unike; nuk më vjen ndër mend ndonjë shembull i ngjashëm historik”, tha Eric Min.

Shtëpia e Bardhë e mohon një gjë të tillë. Zëdhënësja Karoline Leavitt tha muajin e kaluar se “Presidenti Trump dhe i gjithë ekipi i tij kanë paraqitur vazhdimisht objektiva të qarta”. 

Fjalimi i Trump të mërkurën pritej me shumë interes, sepse shumëkush mendonte se ai mund të bënte një njoftim të madh në daljen e tij të parë në “prime time” për luftën. Në Uashington kishte spekulime se ai mund të njoftonte dërgimin e trupave tokësore në Iran, ose edhe se mund të shpallte fillimin e tërheqjes nga lufta.

Por në fund, Trump foli vetëm për një afat të ri.

Përgatiti në shqip ©LAPSI.AL 

Të këshilluara

Argjentina dëbon ambasadorin iranian

Argjentina ka urdhëruar të ngarkuarin me punë të ambasadës iraniane të largohet nga vendi brenda 48 orëve. Urdhri i dëbimit vjen pasi Teherani kritikoi Argjenti...

20:13

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

30°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI