Flash

Kina sheh rrezik për ekonominë dhe hyn në lojë për Iranin

Lapsi.al 1 April 2026
Kina sheh rrezik për ekonominë dhe hyn në lojë për

Ndërsa lufta në Lindjen e Mesme hyn në muajin e dytë, duke goditur furnizimin botëror me energji dhe duke shtyrë lart çmimet e naftës, Kina po përpiqet të shfaqet si ndërmjetëse për paqen. Kjo vjen në një moment kur presidenti amerikan Donald Trump thotë se veprimi ushtarak i SHBA-së në Iran mund të marrë fund “brenda dy ose tre javësh”, por ende nuk ka një ide të qartë se si do të ndodhë kjo dhe çfarë do të vijë më pas.

Kina i bashkohet Pakistanit, i cili është shfaqur si një ndërmjetës i papritur në luftën SHBA-Izrael kundër Iranit. Zyrtarë në Pekin dhe Islamabad kanë paraqitur një plan me pesë pika me synimin për të arritur një armëpushim dhe për të rihapur Ngushticën e Hormuzit, korridorin jetik të tregtisë botërore të energjisë. Pakistani, dikur aleat i ngushtë i Uashingtonit, duket se ka fituar besimin e Trump për të luajtur një rol në ndërmjetësim.

Kina, ndërkohë, hyn në këtë lojë si rivale e SHBA-së, në prag të bisedimeve të rëndësishme tregtare mes Xi Jinping dhe Trump muajin e ardhshëm. Sipas ekspertëve kinezë, mbështetja e Pekinit është shumë e rëndësishme, sepse Kina po i jep Pakistanit mbështetje morale, politike dhe diplomatike me shpresën që ai të marrë një rol më të spikatur.

Kjo është edhe një kthesë për Pekinin, pasi deri tani reagimi zyrtar i Kinës ndaj luftës ka qenë i zbutur. Arsyeja pse po hyn tani më fort lidhet jo vetëm me naftën, edhe pse kjo është një çështje e madhe, por me diçka që Xi Jinping e vlerëson shumë, stabilitetin. Kina ka nevojë për një ekonomi globale të qëndrueshme, sepse është shumë e varur nga eksportet në mbarë botën, në një kohë kur po përpiqet të ringjallë ekonominë e saj të brendshme të dobësuar.

Nëse pjesa tjetër e botës fillon të ngadalësohet ekonomikisht si pasojë e një shoku energjetik, kjo do të jetë një goditje e fortë për fabrikat dhe eksportuesit kinezë. Pikërisht për këtë arsye, disa analistë mendojnë se Kina ka sinqeritet kur kërkon fundin e luftës: Pekini është realisht i shqetësuar nga pasojat e një krize të zgjatur energjetike.

Frika është se zemra industriale e Kinës, që shërben si fabrika e botës, mund të goditet rëndë nëse kjo krizë vazhdon. Një rritje e çmimit të naftës prek të gjithë zinxhirin e prodhimit, nga plastika për lodra dhe lojëra, te materialet për tekstilet sintetike moderne, e deri te qindra komponentët që hyjnë në prodhimin e telefonave, makinave elektrike dhe gjysmëpërçuesve.

Lufta tregtare e SHBA-së me Kinën gjatë mandatit të parë të Trump shtyu shumë sipërmarrës kinezë të kërkonin tregje të reja. Si rezultat, eksportet kineze drejt Lindjes së Mesme u rritën vitin e kaluar gati dy herë më shpejt se eksportet e saj drejt pjesës tjetër të botës. Rajoni është kthyer në tregun me rritjen më të shpejtë për makinat elektrike, ndërsa Kina është edhe investitori më i madh në impiantet e desalinizimit në Lindjen e Mesme, ku uji i pijshëm është i pakët.

Përmes këtyre lidhjeve ekonomike, Kina ka ndërtuar marrëdhënie me të gjithë rajonin, si me aleatë të SHBA-së, si Arabia Saudite, ashtu edhe me kundërshtarë të saj, si Irani. Pekini dhe Teherani kanë një partneritet prej dekadash. Kina është partneri kryesor tregtar i Iranit dhe blen rreth 80% të naftës iraniane.

Kina ka provuar edhe më parë të luajë rolin e ndërmjetësit në Lindjen e Mesme, me sukses të kufizuar. Në vitin 2023 ajo ndërmjetësoi një marrëveshje mes Arabisë Saudite dhe Iranit, dy rivalë të ashpër që kishin qenë në anë të kundërta të konflikteve rajonale. Marrëveshja çoi në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes tyre, çka ishte në interesin e drejtpërdrejtë të Kinës, sepse ulja e tensioneve do të sillte më shumë stabilitet në rajon.

Një vit më pas, Pekini priti edhe liderët e 14 fraksioneve palestineze, përfshirë Fatahun dhe Hamasin. Bisedimet përfunduan me shpalljen e një qeverie uniteti kombëtar për Bregun Perëndimor dhe Gazën. Edhe pse kjo më shumë ishte një deklaratë qëllimi sesa një marrëveshje e plotë, ajo tregoi sërish se Kina kërkon të luajë një rol në rajon dhe e sheh stabilitetin e Lindjes së Mesme si pjesë të interesit të saj strategjik.

Megjithatë, ndikimi i Kinës ka kufij të qartë. Partneritetet e saj në botë nuk shoqërohen me garanci sigurie apo mbështetje ushtarake. Për Pekinin, ekonomia vjen e para, dhe pikërisht kjo ndërvarësi ekonomike me vendet e rajonit i jep ndikim dhe i lejon të projektojë njëfarë force politike.

Ekspertët kinezë thonë se Pekini është i kujdesshëm që të mos tërhiqet në konflikte më të gjera. Prioriteti i tij, si brenda vendit ashtu edhe në politikën e jashtme, mbetet zhvillimi ekonomik. Ka një konsensus të gjerë në Kinë se vendi nuk duhet të përfshihet pa mend në luftë.

Por kjo qasje ka kufizimet e saj. Kina nuk ka kapacitetet ushtarake në rajon për të ndërhyrë, edhe sikur të dëshironte. SHBA ka baza në secilin nga vendet e Gjirit, ndërsa baza më e afërt kineze ndodhet në Xhibuti, në Afrikën Lindore, dhe është ngritur vetëm në vitin 2017. Ajo shërben kryesisht si qendër logjistike për operacione kundër piraterisë, jo si bazë për projeksion force.

Edhe gjatë luftës Izrael-Iran në vitin 2025, Kina qëndroi mënjanë dhe ofroi vetëm mbështetje minimale, duke treguar kufijtë e rolit të saj si partnere. Sa i takon këtij plani të fundit për paqe, as SHBA dhe as Irani nuk kanë reaguar ende. Por duke e shtyrë përpara këtë nismë, Xi Jinping fiton mundësinë të paraqitet si ndërmjetës neutral dhe paqebërës, sërish në kontrast me liderin e superfuqisë tjetër të madhe, SHBA-së.

Megjithatë, pretendimi i Pekinit për t’u shfaqur si aktor pragmatik ndërkombëtar ka shumë kufizime. Afrimi i tij me Rusinë ngre vazhdimisht pikëpyetje për neutralitetin kinez. Kontrolli gjithnjë e më i madh mbi Hong Kongun dhe kërcënimet e përsëritura ndaj Tajvanit mbeten shqetësime serioze. Po ashtu, udhëheqësit autoritarë të Kinës shmangin çdo diskutim për të drejtat e njeriut dhe nuk dënojnë kurrë regjimet për abuzime apo shpërdorim pushteti. Të gjitha këto e bëjnë Xi Jinping një zë jo fort bindës për një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Por Kina mbetet një fuqi e madhe globale, e udhëhequr nga interesa të qarta strategjike. Ajo ka treguar se ka njëfarë ndikimi në Lindjen e Mesme dhe është e qartë se ambicia e saj është të fitojë edhe më shumë peshë në të ardhmen.

BBC, përgatiti ©LAPSI.AL 

Të këshilluara

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

29°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI