Flash

Në mungesë të parkut fizik, qeveria e kthen “Duranën” në park virtual

Lapsi.al 30 March 2026
Në mungesë të parkut fizik, qeveria e kthen

Një projektligj për ndryshimin e ligjit të vitit 2022 për funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore, i inicuar nga deputeti socialist, Ramion Kurti, u miratua të hënën në dy komisione parlamentare.

Në projektligj futet për herë të parë përkufizimi ligjor për funksionimin virtual, ndërkohë që ligji në fuqi përkufizonte vetëm një park fizik, i cili aktualisht nuk ekziston.

Sipas dispozitave të reja, veprimtaritë e parashikuara në parkun teknologjik “mund të zhvillohen në mënyrë virtuale/në distancë…” dhe se “veprimtaria e parkut virtual/në distancë fillon me lidhjen e marrëveshjes midis zhvilluesit dhe institutionit përgjegjës”.

Parku teknologjik “Durana” u planifikua të vendoset në Xhafzotaj të Durrësit, me qëllim tërheqjen e investimeve vendase dhe të huaja për kompanitë e IT, universitete apo nomadë digjitalë. Sipas ligjit, për bizneset që do të operonin në këtë park teknologjik parashikohen lehtësira fiskale si zero tatim mbi fitimin për 15 vjet, zero tatim mbi pagat e personelit për 10 vjet dhe lehtësira të tjera.

Pavarësisht se parku fizik nuk është ndërtuar, ‘Durana Tech Park’, një shoqëri aksionere në pronësi të Korporatës së Investimeve ka filluar operimin, duke regjistruar kompani rezidente në park dhe funksionimin në formë virtuale.

Drejtoresha ekzekutive e ‘Durana Tech Park’, Florenca Haxhi, tha se 52 kompani ishin regjistruar deri më tani në park, ndërsa pretendoi se asnjëra prej tyre nuk kishte përfituar realisht deri më tani nga përjashtimet fiskale.

Gjatë diskutimit të projektligjit, deputetët e opozitës ngritën shqetësim për shkeljen e ligjit nga ana e shoqërisë dhe për favorizim të disa kompanive të lidhura me qeverinë ose të përfshira në hetimet ndaj Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve të Informacionit, AKSHI,

“Sot kemi një park që praktikisht nuk ekziston. Kemi një park virtual, teorik, në letër. Ndërkohë janë rreth 50 kompani që përfitojnë favore fiskale. Kompani të cilat, sipas raportimeve, lidhen me një grup të strukturuar që përfiton nga këto skema,” tha kryetarja e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, ndërsa shtroi disa pyetje për përfaqësues të ministrisë së Ekonomisë dhe drejtuesit e parkut.

Sipas Tabakut, nuk ka një analizë për impaktin në buxhet që ka ulja e taksave për këto kompani, ndërkohë që ngriti shqetësimin për shkelje të direktivave të BE-së, që kërkojnë kërkojnë trajtim të barabartë të operatorëve ekonomikë.

“Ky projekt ndërhyn në treg dhe krijon një korsi preferenciale për disa kompani, duke deformuar konkurrencën,” tha Tabaku, ndërsa shprehu gjykimin se ligji “krijon favore fiskale dhe një model selektiv që prish konkurrencën në sektorin e teknologjisë së informacionit”.

Edhe deputeti i PD-së, Igli Cara ngriti shqetësime të ngjashme në Komisionin e Ekonomisë.

“Pra po pranoni se kemi shkelur ligjin, sepse duhej të ishte territor fizik, me portë hyrëse e dalëse dhe pikë doganore. Tani u shpik dhe modeli virtual,” tha ai.

Cara pyeti drejtuesit e Durana Park se pse në listën e kompanive të regjistruara ishin të njëjtat që merrnin tendera nga AKSHI apo përfliten për lidhje me qeverinë dhe politikën.

Administratori Gjergji Taho iu përgjigj deputetit se përzgjedhja e kompanive lidhej me plotësimin e kushteve dhe jo me favorizim.

“Nuk mund të jemi diskriminues se kush aplikon për t’u bërë pjesë e parkut, ka zero përzgjedhje, vetëm kush kalon procesin e kushteve për të qenë pjesë,” tha Taho.

I pyetur nga Cara nëse parku do të bëhej ndonjëherë fizik, Taho tha se po bëhej projektimi i parkut fizik në varësi të nevojave që kanë kompanitë e regjistruara. “Virtualiteti në këtë fazë është për të kuptuar nëse do të jetë i nevojshëm ndërtimi fizik,” shtoi ai.

Opozita po ashtu apeloi për transparencë mbi kompanitë që përfitojnë nga ky ligj.

Në një konferencë për mediat të hënën, deputeti i PD-së Enno Bozdo tha se Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit kishte refuzuar të jepte informacion mbi kompanitë e rregjistruara virtualisht. Sipas Bozdos, koncepti i “virtualitetit” ka qënë i paligjshëm dhe për këtë arsye lehtësitë fiskale të marra nga kompanitë janë të paligjshme./Reporter.al

Të këshilluara

ide

Po sikur Lali të dalë nga burgu?

Një pakt është përvijuar mes kryeministrit dhe kryebashkiakut të burgosur për të kthyer këtë të fundit në zyrë. Po cila do të qe konseguenca për një reformë në drejtësi, që pushtetarët e lartë ia shkëlyen dyert e qelive?

16:02 Andi Bushati

Një moment vendimtar për Shqipërinë

Është hera e parë që shqiptarët ndihen se mund ta formësojnë debatin kombëtar pa pritur që partitë politike të marrin drejtimin. Përvoja na mëson se demokracia varet jo vetëm nga zgjedhjet, por edhe nga qytetaria aktive mes tyre.

15:53 Ditmir Bushati

MOTI TIRANA

35°c

KËMBIMI EURO

92.16

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Greqia ul çmimet e ushqimeve, Rama: Nuk ndërhyjmë, nuk na e lejon “sistemi”

Qeveria greke ka ulur çmimet e më shumë se 1,700 produkteve përmes një marrëveshjeje me industrinë, furnitorët dhe supermarketet; në anën tjetër, qeveria shqiptare thotë se nuk mund të ndërhyjë te çmimet sepse e ndalon "sistemi" dhe premton vetëm “transparencë”, në një kohë kur shqiptarët po paguajnë ushqimet më shtrenjtë se mesatarja e Bashkimit Europian dhe me rritje çmimesh shumë më të lartë se fqinjët.

13:15

Me sytë katër

PAPARAZZI