Flash

Mbledhja e grupit/ 4 modelet që diskuton PS për një hartë të re territoriale

Lapsi.al 28 March 2026
Mbledhja e grupit/ 4 modelet që diskuton PS për një hartë

Katër modele të ndryshme për riformatimin e hartës administrativo territoriale janë vënë mbi tryezën e grupit parlamentar të PS nga bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar, në një moment kur mazhoranca po përpiqet të rishkruajë hartën vendore përtej reformës së vitit 2014. Sipas socialistëve, asnjë prej tyre nuk është zgjedhje përfundimtare, por të katër përfaqësojnë drejtimet e mundshme të ndërhyrjes shkruan Lapsi.al.

Skenari i parë, i ashtuquajturi Konsolidimi Funksional, parashikon bashkimin e bashkive të vogla me njësitë më të mëdha fqinje, ndërsa qarqet mbeten në rolin aktual koordinues. Sipas socialistëve, ky është varianti më i thjeshtë për t’u zbatuar, me kosto të ulët politike dhe pa nevojë për ndryshime kushtetuese. Por dobësia kryesore mbetet mungesa e një niveli strategjik ndërbashkiak, çka kufizon përputhjen me kërkesat e Bashkimit Europian.

Skenari i dytë, Konsolidim dhe Decentralizim, shkon më tej. Ai parashikon krijimin e bashkive të mëdha në nivel ish rrethesh si njësi kryesore ekzekutive, ndërsa njësitë aktuale shndërrohen në qytete me kryetar dhe këshill të zgjedhur drejtpërdrejt. Sipas socialistëve, ky model kombinon legjitimitetin demokratik me efikasitetin administrativ, por kërkon një riorganizim të thellë të kufijve, stafit dhe aseteve.

Skenari i tretë, Forcimi i Qarkut, është më konservator në formë, por më radikal në funksion. Kufijtë aktualë nuk ndryshojnë, por qarku shndërrohet nga një strukturë koordinuese në një nivel ekzekutiv real, me zgjedhje të drejtpërdrejta. Avantazhi kryesor, sipas socialistëve, është shmangia e tensioneve territoriale dhe ekzistenca e modeleve të ngjashme në Europë. Megjithatë, rreziku mbetet i dukshëm, kapacitetet aktuale të qarqeve janë të kufizuara dhe mund të mos përballojnë rolin e ri.

Skenari i katërt, Rajonet Strategjike, është më ambiciozi dhe njëkohësisht më i debatueshmi. Ai shton një nivel të ri rajonal për planifikimin afatgjatë, menaxhimin e infrastrukturës dhe thithjen e fondeve të BE-së, duke e afruar vendin me strukturat e Bashkimit Europian. Sipas socialistëve, ky model rrit kapacitetin për projekte madhore, por krijon një shtresë të tretë qeverisjeje, me rrezik për rritje të burokracisë dhe legjitimitet të dobët demokratik.

Burime brenda mbledhjes thanë për Lapsi.al se të katër skenarët janë analizuar në aspektin ligjor dhe në raport me Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, ndërsa zgjedhja përfundimtare do të vijë vetëm pas një faze të gjerë konsultimesh publike.

Sipas socialistëve, shtysa kryesore për reformën lidhet me ndryshimet e thella që ka pësuar vendi në një dekadë. Shqipëria e vitit 2025 nuk ka më të njëjtën hartë demografike si në vitin 2014, ndërsa modeli aktual i financimit nuk reflekton më realitetin territorial.

Problemet që kërkojnë ndryshim

Analiza e prezantuar nga komisioni, sipas socialistëve, identifikon tetë fusha kryesore ku sistemi aktual ka ngecur.

Në planin demografik, lëvizja e popullsisë drejt qyteteve ka krijuar boshllëqe në zonat rurale, ndërsa bashkitë bregdetare përballen me presion sezonal që nuk reflektohet në financim.

Në aspektin ekonomik, hendeku mes bashkive është thelluar. Shumica e njësive vendore varen nga transfertat qendrore dhe investimet mbeten të fragmentuara.

Në shërbimet publike, sipas socialistëve, mungojnë standardet minimale dhe cilësia ndryshon nga një bashki në tjetrën. Qytetari, në praktikë, trajtohet ndryshe në varësi të vendbanimit.

Problemet shtrihen edhe në kapacitetet institucionale, ku bashkitë e vogla kanë mungesë stafi dhe ekspertize, ndërsa bashkëpunimi ndërbashkiak mbetet i kufizuar.

Integrimi europian u konsiderua si një nga pikat më kritike. Njësitë vendore, sipas socialistëve, nuk kanë kapacitetet për të zbatuar legjislacionin e BE-së, ndërsa afati politik lidhet me zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Në dimensionin e qeverisjes, u evidentuan probleme me transparencën dhe pjesëmarrjen qytetare, ndërsa subsidiariteti mbetet më shumë formal sesa real.

Referencat ndërkombëtare tregojnë se reforma të tilla janë pjesë normale e zhvillimit institucional, ndërsa sfidat e reja kërkojnë njësi më të mëdha dhe më të forta.

Në fund, sipas socialistëve, u theksua edhe dimensioni i identitetit vendor, si një element që nuk mund të injorohet pa rrezikuar legjitimitetin e reformës.

Objektivat dhe kalendari

Mbi këtë bazë, janë përcaktuar pesë objektiva strategjikë, që lidhen me efikasitetin e bashkive, përputhjen me kërkesat e BE-së, ruajtjen e identitetit lokal, balancën mes afërsisë dhe funksionalitetit, si dhe zhvillimin e barabartë territorial.

Procesi pritet të zhvillohet gjatë periudhës shkurt qershor 2026, me dëgjesa në të gjitha qarqet, konsultime me partnerët ndërkombëtarë dhe sondazhe publike.

Sipas socialistëve, drafti përfundimtar do të depozitohet në Kuvend brenda qershorit. Reforma paraqitet si proces me bashkëpjesëmarrje politike, por në thelb mbetet një vendim që do të përcaktojë jo vetëm hartën administrative, por edhe raportin e pushtetit mes qendrës dhe territorit për vitet në vijim.

Të këshilluara

Sherri/ Plagosje me thikë në Korçë

Një konflikt mes katër personave ka përfunduar me përdorimin e thikës në Korçë. Ngjarja ka ndodhur në një pikë servisi në lagjen nr.10. Njëri prej tyre ës...

10:56

Rama mbledh sot qeverinë dhe grupin e PS

Kryeministri Edi Rama do të mbledh ditën e sotme Grupin Parlamentar si dhe qeverinë. Mbledhja do të nis në orën 11:00 dhe fjalën hapëse do ta ketë Sekretari i P...

09:58

ide

Fillimi i fundit të pushtetit të Ramës

Fillimi i fundit mund të jetë mu ky moment, kur piqet bindja e rrëzimit të një kryeministri a qeverie a rendi - pra të një lloj bindjeje se gjërat nuk do të kthehen aty ku ishin para se të fillonte protesta

09:47 Veton Surroi

MOTI TIRANA

26°c

KËMBIMI EURO

94.81

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI