Flash

Leku vendos tjetër rekord historik kundrejt euros

Lapsi.al 24 March 2026
Leku vendos tjetër rekord historik kundrejt euros

Kriza e çmimeve të energjisë dhe rreziqet inflacioniste nuk po e prekin aspak kursin e këmbimit të Lekut; përkundrazi, monedha vendase është forcar sot ndaj të gjitha valutave kryesore dhe ka shënuar një rekord të ri historik në kursin e këmbimit me Euron.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye sot me 95.92 Lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Që nga fillimi i këtij viti, kursi Euro-Lek ka rënë me 0.9%, ndërsa krahasuar me një vit më parë rënia ka arritur në 3%.

Kriza gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe efektet në çmimin e naftës kanë trazuar tregjet botërore dhe kanë rritur frikën për një valë të re inflacioni.

Në krizën e fundit inflacioniste, të vitit 2022, kursi i këmbimit Euro kaloi një fazë disaditore paniku, e shoqëruar me një forcim të shpejtë të Euros, që gjithsesi u amortizua shpejt, edhe me ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë. Këtë herë, as frika për një goditje inflacioniste nuk ka sjellë qoftë edhe përkohësisht një trysni mbi kursin e Lekut, që vazhdon të shënojë rekorde të reja historike.

Agjentët e këmbimit valutor shprehen se oferta e Euros në tregun e brendshëm vazhdon të jetë e lartë, edhe në nivele jo të zakonta për tremujorin e parë të vitit. Nga ana tjetër, politika fiskale shtrënguese, me suficite të mëdha, vazhdon të ketë gjithashtu një rol dytësor në forcimin e Lekut në kursin e këmbimit.

Banka e Shqipërisë ndërkohë vazhdon të ndërhyjë në mënyrë të vazhdueshme në tregun valutor, nëpërmjet blerjes së Euros, por kjo vetëm sa po e ngadalëson rënien e monedhës europiane, që, në mungesë të rolit të Bankës Qendrore, do të kishte rënë në nivele edhe më të ulëta.

Për momentin, kriza që ka shkaktuar konflikti i radhës në Lindjen e Mesme po reflektohet në rritjen e fortë të çmimeve të naftës edhe në tregun shqiptar. Çmimet e naftës janë rritur me afërsisht 25% krahasuar me nivelin e parakrizës, ndërkohë që qeveria shqiptare është angazhuar të ndërhyjë me ulje të nivelit të akcizës dhe rikthimin e Bordit që kontrollon çmimet me pakicë.

Shtrenjtimi i naftës nuk është përcjellë ende në zinxhirin e tregtimit të mallrave dhe shërbimeve, por, nëse çmimet nuk bien, një gjë e tillë do të jetë e pashmangshme.

Megjithatë, tregu financiar shqiptar për momentin nuk duket të shfaqë shqetësim lidhur me pritshmëritë për rritje të inflacionit. Leku vazhdon të forcohet, ndërsa edhe normat e interesit dhe yield-et e titujve qeveritarë ngelen në nivele shumë të ulëta.

Në rast se rreziku inflacionist për ekonominë botërore do të materializohet, është e pashmangshme që rritja e çmimeve të përcillet edhe në tregun shqiptar. Duke pasur parasysh pozicionin e thellë negativ në tregtinë e mallrave, bilanci i llogarisë korrente të vendit do të vendoset nën presion të fortë. Në teori, një skenar i tillë do të krijonte premisa për zhvlerësimin e Lekut dhe ringritjen e valutave të huaja, sidomos Euros.

Por, një skenar i tillë nuk ndodhi në krizën e vitit 2022, kur, falë prurjeve të mëdha valutore nga burime të tjera, Leku i rezistoi thellimit të deficitit tregtar dhe vazhdoi të forcohej, duke ndihmuar edhe në nivele inflacioni më të ulëta, krahasuar me Eurozonën dhe ekonomitë fqinje. /Monitor

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI