Teherani kërcënoi këtë të diel se do të godiste infrastrukturën kyçe në Lindjen e Mesme, duke iu përgjigjur ultimatumit të vendosur nga presidenti amerikan për të hapur Ngushticën e Hormuzit brenda 48 orëve. Trump paralajmëroi se përndryshe SHBA-të do të godisnin dhe shkatërronin termocentralet iraniane.
“Nëse Irani nuk hapet plotësisht, pa pasur një kërcënim për Ngushticën e Hormuzit brenda 48 orëve nga ky moment, Shtetet e Bashkuara do të sulmojnë dhe shkatërrojnë termocentralet e tyre të ndryshme, duke filluar nga më i madhi”, - kërcënoi Donald Trump në një mesazh të postuar në Truth Social.
Irani u përgjigj menjëherë se nëse Uashingtoni e zbaton kërcënimin e tij, ushtria iraniane do të godasë infrastrukturën e "energjisë, teknologjisë, informacionit dhe shkripëzimit të ujit" në rajonet e lidhura me Izraelin dhe SHBA-në.
Mëngjesin e sotëm ushtria izraelite njoftoi se kishte nisur sulme "në zemër të Teheranit ", pa dhënë detaje të mëtejshme. Irani goditi dy herë Izraelin jugor të shtunën, duke shkaktuar dëme dhe shumë të plagosur. Sulmi i parë shënjestroi një zonë banimi në Dimona, një qytet ku ndodhet një qendër strategjike kërkimore bërthamore në shkretëtirën e Negevit, dhe rezultoi në plagosjen e rreth 30 personave, njëri prej të cilëve rëndë.
I dyti u krye kundër qytetit të Aradit ku plagosi 84 persona, 10 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë. “Është një natë shumë e vështirë në betejën për të ardhmen tonë”, - tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. "Ne jemi të vendosur të vazhdojmë të godasim armiqtë tanë në të gjitha frontet", theksoi ai.
Sipas Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, "nuk u vu re asnjë rrjedhje e materialeve radioaktive" në Natanz, i cili u bombardua gjithashtu në fillim të marsit. Pas sulmeve në Natanz të Iranit dhe Dimona të Izraelit, shefi i IAEA-s, Rafael Grossi, bëri thirrje për "përmbajtje maksimale ushtarake" me qëllim shmangien e rrezikut të katastrofës bërthamore.
Izraeli konsiderohet i vetmi vend në Lindjen e Mesme që zotëron armë bërthamore, megjithëse nuk e konfirmon zyrtarisht këtë. Rreth 20 vende, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Britaninë, Francën dhe Japoninë, thanë se ishin "të gatshme të kontribuonin në përpjekjet" e nevojshme për të hapur Ngushticën. ©LAPSI.al