Flash

Ekonomia shqiptare pa amortizatorë: Po ndërton shumë, por mbrohet pak

Lapsi.al 22 March 2026
Ekonomia shqiptare pa amortizatorë: Po ndërton shumë, por mbrohet

Në një botë ku tensionet gjeopolitike janë bërë pothuajse rutinë, ekonomia globale po lëviz mbi një terren gjithnjë e më të pasigurt. Kriza në Lindjen e Mesme po reflektohet menjëherë në çmimet e naftës, në kostot e transportit dhe në zinxhirët e furnizimit.

Nafta është shtrenjtuar, rrugët detare janë bërë më të rrezikshme dhe tregjet po reagojnë me nervozizëm. Si gjithmonë, vala përfundimtare përplaset te konsumatori, nga faturat e energjisë te çmimet e ushqimeve.

Bota sot është më e lidhur se kurrë, por pikërisht kjo e bën edhe më të brishtë. Një konflikt rajonal prodhon efekte globale në kohë rekord. Lufta në Ukrainë e tregoi këtë qartë: tregjet e energjisë u përmbysën, zinxhirët e furnizimit u çrregulluan dhe u deshën vite që ekonomia europiane të gjente një ekuilibër të ri. Globalizimi nuk është më vetëm një avantazh, por edhe një burim rreziku.

Në këtë realitet, Shqipëria nuk mund të jetë përjashtim. Një ekonomi e vogël dhe e hapur nuk ka luksin të izolohet nga krizat e jashtme. Por pyetja që mbetet pa përgjigje është tjetër: sa amortizatorë ka vendi për t’i përballuar këto goditje?

Në pamje të parë, gjithçka duket në rregull. Madje, nëse u beson statistikave, ka edhe lajme të mira, ekonomia po rritet me norma të qëndrueshme, duke ia kaluar shumë shteteve të Europës. Të dhënat e fundit të INSTAT treguan se sektori që po ecën më mirë është ai i pasurive të paluajtshme.

Shitjet janë rritur me rreth 36% dhe ndërtimi vijon të jetë motori kryesor i rritjes. Një lajm i shkëlqyer, nëse nuk do të ishte paksa ironik fakti që, në një kohë krize globale, ekonomia jonë po gjen siguri te tullat dhe betoni!

Në anën tjetër të tabelës, industria ka hyrë prej kohësh në territor rënës, duke humbur peshë dhe ritëm. Pra, ndërtojmë më shumë, por prodhojmë më pak. Një model që funksionon mirë në kohë të qeta, por që rrallëherë u reziston goditjeve.

Paradoksi bëhet edhe më i fortë te bujqësia. Shqipëria ka një nga peshat më të larta të këtij sektori në Europë, rreth 15% të PBB-së, shumë më lart se mesatarja prej rreth 2% në BE.

Megjithatë, raftet e tregjeve mbushen me produkte të importuara dhe çmimet për konsumatorët janë gjithnjë e më të larta, duke ia kaluar madje dhe mesatares së Bashkimit Europian, siç zbuloi së fundmi dhe indeksi i Eurostat.

Në një vend bujqësor, zarzavatet po shndërrohen në mall luksi. Zhvillimi më pozitiv i viteve të fundit ka qenë turizmi, po dhe ai në këtë rast është thikë me dy presa: Mund të ndodhë që kriza të na sjellë më shumë turistë, pasi ata do t’u largohen vendeve të konflikteve.

Por edhe mund të ndodhë që situata të përshkallëzohet dhe ata të mos lëvizin fare nga shtëpia. Askush nuk mund ta parashikojë se çfarë do të ndodhë!

Në këtë tablo, mungesa e amortizatorëve bëhet e dukshme. Në Europë, vende si Italia, kanë ndërhyrë me paketa antikrizë për të zbutur goditjet nga rritja e çmimeve dhe pasiguritë globale, si lëvizja e fundit për të ulur përkohësisht akcizën. Këto janë masa të menjëhershme, por të domosdoshme, për të mbrojtur ekonominë.

Në Shqipëri, një reflektim i tillë mungon. Nuk ka një paketë të qartë për të përballuar krizat e jashtme, ndërsa ekonomia vazhdon të mbështetet te sektorë që japin fitime të shpejta, por pak qëndrueshmëri.

Te ne këto raste i shfrytëzojnë për të ngritur Borde, apo mekanizma të tjerë, që ndonjëherë në vend të ndihmojnë, godasin më të dobëtit. Edhe vendimi për të ulur akcizën e karburantit me 20%, ka një efekt të papërfillshëm në çmim, me 8-10 lekë për litër, që nuk arrin të amortizojë rritjet e njëpasnjëshme me gati 40 lekë për litër muajin e fundit.

Dhe këtu qëndron thelbi. Në një botë që lëkundet gjithnjë e më shpesh, ekonomitë që mbijetojnë nuk janë ato që nuk goditen, por ato që kanë amortizatorë: industri funksionale, bujqësi produktive, eksporte konkurruese dhe politika të menduara për kohë të vështira.

Shqipëria, për momentin, duket se po udhëton ndryshe. Një ekonomi që ndërton shumë, por mbrohet pak. Në një kohë kur goditjet ekonomike po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, pyetja nuk është më nëse do të vijë kriza e radhës, por sa të përgatitur jemi për ta përballuar.

Dhe nëse ekonomia vazhdon të mbështetet në sektorë që japin siguri vetëm në dukje, atëherë çdo lëkundje e jashtme do të ndihet më fort se sa duhet. Sepse në fund, një ekonomi pa amortizatorë nuk është thjesht e ekspozuar, është e pambrojtur. /Nga Monitor

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI