Nga La Republica.pe/ Rrjetet kriminale ballkanike janë vendosur në Peru dhe janë ndër trafikantët kryesorë të kokainës në Evropë. Kjo u demonstrua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për veprat e trafikimit të paligjshëm të drogës (Fetid) të qytezës Callao-s.
Kjo zyrë mori në gjykatë një urdhër paraburgimi parandalues prej 18 muajsh për anëtarët e dyshuar të një bande kriminale që kishte grumbulluar kokainë për ta trafikuar. Grupi drejtohej nga shqiptari Maglent Dybeli dhe kishte pjesë të tij edhe Rómulo Mengoni, Juan Vásquez, Shirley Ibáñez dhe Efraen Mendoza.
Mendoza kishte qëndruar gjithashtu në Kolumbi për 3 muaj për t'u koordinuar dhe për t'u siguruar që droga të mund të eksportohej nga porti kryesor. Mengoni dhe Vásquez u arrestuan nga policia antidrogë në një pronë të vendosur në Callao, ku u gjetën 98 pako në formë tulle me hidroklorur kokaine, të cilat ishin transferuar nga Comas.
Gjatë këtij operacioni, u vërtetua se Maglent Dybeli ishte financuesi i bandës dhe se ai përdorte një emër të rremë dhe kombësi italiane. Policia dhe Prokuroria Publike vazhdojnë të hetojnë përfshirjen e shtetasve të tjerë të huaj dhe peruanë në këtë rast.

Zëvendësprokurori provincial, Pako Grajeda arriti të provojë lidhjen midis të akuzuarve dhe veprave penale, prandaj ndaj tyre u vendos masa shtrënguese ndërsa hetimet vazhdojnë.
Mafia shqiptare mbërriti në rajon në fund të viteve 1990 dhe fillim të viteve 2000, pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe luftërave ballkanike, sipas një raporti nga Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI-TOC).
Sot, ata kanë kontakte me kultivuesit e kokës, mbledhësit dhe tregtarët e kokainës në Peru, prodhuesit e kokainës në Kolumbi, grupet që ruajnë drogën deri në portet e Ekuadorit dhe kartelet e fuqishme meksikane. Mafia shqiptare është vetëm një nga grupet ballkanike që ka prani në Amerikën Latine për të furnizuar Evropën me kokainë. "Ka raportime për klane boshnjake, malazeze, kosovare dhe serbe", - thotë një oficer i antidrogës.
Ata kanë ndikim në portet e Amerikës Latine nga ku droga transportohet në kontinentin e vjetër, duke përfshirë Esmeraldas dhe Guayaquil në Ekuador, Buenaventura në Kolumbi dhe Callao dhe Paita në Peru.
Eksperti thekson një veçanti të mafies shqiptare: struktura e saj është kryesisht e bazuar në familje.
“Hyn në mafian shqiptare si bir, nip, kushëri ose i afërm i njërit prej anëtarëve të saj. Meqenëse ajo përbëhet nga njerëz me lidhje gjaku, është më e vështirë për ta të raportojnë ose të japin informacione kundër klanit”, - thotë ai.
Kjo karakteristikë, e cila është e përbashkët për mafian shqiptare dhe 'Ndranghetën italiane, është arsyeja pse ato kanë qenë të vështira për t'u çmontuar, ndryshe nga strukturat e tjera kriminale evropiane.
“Mafia shqiptare, ose të paktën grupet që kanë vepruar nga Ekuadori dhe Peruja, e kanë bërë këtë me struktura biznesi të ndërtuara mirë, të cilat i kanë lejuar ata të kamuflojnë trafikun e drogës në kompanitë e transportit dhe magazinimit, por edhe në kompanitë e transportit detar që eksportojnë”, - shpjegon oficeri. ©LAPSI.al