Flash

Një vit pas pezullimit, gjykata urdhëron rihapjen e "Zërit të Amerikës"

Lapsi.al 18 March 2026
Një vit pas pezullimit, gjykata urdhëron rihapjen e "Zërit

Gjykata Federale në SHBA ka vendosur sot hapjen e te gjitha filialeve të Zërit të Amerikës (VOA) dhe nisjen e transmetimeve të lajmeve. Vendimi u mor nga gjykatësi Royce C. Lamberth, i cili vlerësoi se administrata e Presidentit Donald Trump kishte shkelur mandatet e Kongresit duke zvogëluar ndjeshëm stafin dhe burimet e agjencisë.

Gjykatësi i dha Agjencisë Amerikane për Median Globale një javë kohë për të hartuar një plan për transmetimin e Zërit të Amerikës. Një javë më parë, Lamberth tha se Kari Lake, e cila kishte qenë zgjedhja e Trump për të drejtuar agjencinë, nuk kishte autoritetin ligjor për të bërë atë që kishte bërë në Zërin e Amerikës sepse nuk kishte konfirmimin e Senatit.

Gjykatësi e rrëzoi vendimin e administratës për të pushuar 1042 nga 1147 punonjësit e Zërit të Amerikës dhe për t'i zvogëluar transmetimet e saj të kërkuar nga Kongresi, lëvizje që e detyruan Zërin e Amerikës të kufizonte ndjeshëm programet e saj. Lamberth i quajti lëvizjet arbitrare dhe tha se qeveria nuk i mori parasysh ligjet federale që përcaktojnë se cilat gjuhë dhe rajone duhet t'u shërbejë Zëri i Amerikës.

"Të pandehurit nuk kanë ofruar asgjë që i afrohet një baze parimore për vendimin e tyre", shkroi Lamberth.

Lake e kishte denoncuar vendimin e Lamberth të 7 marsit, duke thënë se do të apelohej. Që atëherë, Trump emëroi Sarah Rogers, nënsekretaren e shtetit për diplomacinë publike, për të drejtuar USAGM. Kjo kërkon miratimin e Senatit, një hap që nuk u ndërmor me Laken.

Patsy Widakuswara, shefe e zyrës së Shtëpisë së Bardhë të Zërit të Amerikës dhe paditëse në padinë për ta rikthyer atë, tha se është thellësisht mirënjohëse për vendimin.

"Ne mezi presim të fillojmë riparimin e dëmit që Kari Lake i ka shkaktuar agjencisë sonë dhe kolegëve tanë, të kthehemi në mandatin tonë kongresional dhe të rindërtojmë besimin e audiencës globale të cilës nuk kemi qenë në gjendje t'i shërbejmë gjatë vitit të kaluar.

E dimë që rruga për të rivendosur operacionet dhe reputacionin e Zërit të Amerikës do të jetë e gjatë dhe e vështirë. Shpresojmë që populli amerikan do të vazhdojë të mbështesë misionin tonë për të prodhuar gazetari, jo propagandë," tha ajo për Associated Press.

Zëri i Amerikës ka transmetuar mbulim lajmesh në vende anembanë botës që nga formimi i tij në Luftën e Dytë Botërore, shpesh në vende pa traditë të shtypit të lirë. Përpara urdhrit ekzekutiv të Trump, VOA kishte operuar në 49 gjuhë të ndryshme, duke transmetuar për 362 milionë njerëz. /LAPSI.al

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

32°c

KËMBIMI EURO

92.01

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Po sikur Lali të dalë nga burgu?

Një pakt është përvijuar mes kryeministrit dhe kryebashkiakut të burgosur për të kthyer këtë të fundit në zyrë. Po cila do të qe konseguenca për një reformë në drejtësi, që pushtetarët e lartë ia shkëlyen dyert e qelive?

16:02 Andi Bushati

Me sytë katër

PAPARAZZI