Flash

Lufta në Iran/ Shqipëria sulmon me rezoluta regjimin e ajatollahëve

Lapsi.al 17 March 2026
Lufta në Iran/ Shqipëria sulmon me rezoluta regjimin e

Në një botë që po përgatitet për më të keqen me dronë inteligjentë, avionë të teknologjisë së fundit dhe sisteme mbrojtëse raketore, Shqipëria ka zgjedhur mjetet e saj të betejës: lëpirjen dhe servilizmin, sipas shembullit që dha i pari Edi Rama kur vizitoi Izraelin disa muaj më parë.

Dritëshkurtër në planet e sigurisë dhe të infektuar deri në palcë nga vesi i korrupsionit, deputetët e parlamentit shqiptar nuk arritën dot ta ngrenë nivelin e diskutimit përtej bindjes së verbër ndaj partisë. Ata nuk prodhuan asnjë ide të re dhe nuk artikuluan asnjë këndvështrim të ri, në një situatë të rrezikshme kudo në botë, kur erërat e luftës po fryjnë gjithnjë e më afër.

Edhe pse kudo në botë po analizohet një rend të ri global, ideja e vetme që mbizotëroi në politikën shqiptare ishte gara se kush e shan më shumë Iranin si shtet armik dhe terrorist, me fjalime që të kujtonin estradën e vjetër të futbollistëve që merrnin angazhim se do të bënin gola edhe me hundë ndaj kundërshtarit. Ironia qëndron në faktin se ndërsa rezolutat dhe fjalimet nxjerrin tym e flakë, ushtria shqiptare qëndron krejt e pashqetësuar.

Gjithçka thuhet, votohet dhe nënshkruhet, bëhet për efekt mediatik dhe diplomatik, sepse e vetmja gjë që ka lëvizur realisht në Shqipëri është vlera në çmimin e naftës, që brenda pak ditësh shkoi në 200 lekë për litër duke mbushur xhepat e oligarkëve dhe politikanëve pranë tyre.

Arti i luftës me rezoluta (modeli shqiptar)

Në parlament, Partia Socialiste siguroi 79 vota pro për rezolutën, që e shpall Iranin “shtet sponsor të terrorizmit”, një gjuhë që e fut Shqipërinë në një klub me SHBA për nga ashpërsia e retorikës. Në tekstin e miratuar thuhet: “Shpall Republikën Islamike të Iranit si Shtet Sponsor të Terrorizmit dhe si shtet që përdor mjete terroriste në ndjekje të objektivave të tij të politikës së jashtme”. Dhe duke shkuar më tej, i kërkohet qeverisë të shpallë edhe Gardën Revolucionare dhe Hezbollahun si organizata terroriste.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e formuloi qëndrimin e PS si më poshtë: “Ne jemi vend që kemi zgjedhur anën e demokracive, bashkëpunimit ndërkombëtar kundër terrorizmit. Shqipëria ka jo vetëm të drejtën, por edhe të kontribuoj në sigurinë kolektive të NATO-s dhe komunitetit ndërkombëtar” u shpreh ai.

[caption id="attachment_1071122" align="alignnone" width="1280"]Votimi në parlament, gjysma e sallës bosh Gjysma e sallës bosh në parlament, PD bojkoton por del me deklaratë të ngjashme nga selia blu[/caption]

Në këtë vrull kundër Iranit dhe Gardës Revolucionare nuk mbeti pas Partia Demokratike që kishte bojkuar seancën, por nuk mund t'i linte fushë të lirë socialistëve në përpjekjet për t'iu servilosur amerikanëve.

Përmes një deklarate bombastike, PD doli në mbështetje të ofensivës ushtarake të Izraelit dhe të SHBA kundër Iranit me tone po aq luftarake për “përmbysjen e diktaturës mizore teokratike të Ajatollahëve”. “Partia Demokratike e Shqipërisë shpall Gardën Revolucionare të regjimit diktatorial të Teheranit si organizatë terroriste. Ajo e cilëson shtetin obskurantist të Ajatollahëve si sponsorin kryesor të terrorizmit në botë dhe një kërcënim madhor për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe kudo në glob” thuhej në deklaratën e opozitës, që për hir të së vërtetës, akoma s'ka mbaruar punë me regjimin këtu në Tiranë.

[caption id="attachment_1071089" align="alignnone" width="1254"]Deputeti i lëvizjes Bashkë, Redi Muçi Deputeti i lëvizjes Bashkë, Redi Muçi[/caption]

Sa për kronikë, në votim me deputetët e Partisë Socialiste u bashkua edhe vota pro e deputetit të Partisë Mundësia, Erald Kapri, i cili në fjalën e tij të sinqertë e pranoi vetë se po votonte një rezolutë servile.

I vetmi ndryshim në qëndrime u pa tek Redi Muçi i Lëvizjes "Bashkë", që abstenoi. Duke shpjeguar votën e tij, Muçi u shpreh se “S’ka hipokrizi më të madhe të na paraqesin këtë rezolutë, ndërkohë që kryeministri juaj shkoi dhe u ul në gjunjë përballë Netanjahut një njeri që ka urdhër arrest për krime kundër njerëzimit dhe krime kundër lufte dhe që e përdori Izraelin për të masakruar 70 mijë civilë palestinezë”.

"Kjo nuk është lufta e Europës"

Një rezolutë më tepër në anën e SHBA dhe Izraelit nuk përbën asgjë të jashtëzakonshme për parlamentin e Shqipërisë. Por bota po hyn në një rend të ri global.

Shqipëria ka pasur gjithnjë leverdi të jetë në anën e Shteteve të Bashkuara dhe në aleancë me Izraelin, por balancat po ndryshojnë nga një orë në tjetrën. Dy ditët e fundit, europianët kanë refuzuar të përfshihen në luftën me Iranin që po sjell kosto të mëdha ekonomike.

Përgjigjen e prerë dhe të thatë, presidenti i SHBA, Donald Trump e mori të hënën nga ministrat e 27 vendeve të Bashkimit Europian: nuk do t’ju ndihmojmë për sigurimin e Ngushticës së Hormuzit. Ky korridor jetik për transportin e naftës është bllokuar në masë të madhe nga Irani si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit.

Bashkimi Europian ra dakort që ky është një problem që e krijoi vetë Amerika dhe duhet ta zgjidhë vetë Amerika. “Europa nuk ka interes për një luftë të hapur pa afat”, tha shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, pas takimit. “Kjo nuk është lufta e Europës, por interesat e Europës janë drejtpërdrejt në lojë.”

Trump deklaroi për Financial Times gjatë fundjavës se do të ishte “shumë keq për të ardhmen e NATO-s” nëse vendet europiane nuk i përgjigjen thirrjes së tij.  Trump këmbënguli se “nuk kemi nevojë për askënd” dhe se “jemi kombi më i fortë në botë”, por kërkesa e tij për ndihmë shihej si një test solidariteti për të parë reagimin e aleatëve europianë, ndërsa mbyllja e ngushticës nga Irani po rrit çmimet e naftës. “Kam thënë prej vitesh që nëse do të kishim ndonjëherë nevojë për ta, ata nuk do të ishin aty”, tha presidenti amerikan. Megjithatë, kryeqytetet europiane nuk kanë dëshirë të përfshihen dhe duket se preferojnë që Trump të ndalë presionin.

"Amerikanët e zgjodhën këtë rrugë, së bashku me izraelitët”, tha ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, duke shtuar se përgjegjësia kryesore e Gjermanisë është mbrojtja e territorit të NATO-s. “Ne nuk e nisëm këtë luftë”, theksoi ai.

Edhe kancelari gjerman Friedrich Merz hodhi poshtë idenë e përfshirjes së Berlinit në konfliktin e nisur pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Teheranit më 28 shkurt. “NATO është një aleancë mbrojtëse, jo ndërhyrëse. Dhe pikërisht për këtë arsye NATO nuk ka asnjë vend këtu”, u shpreh ai.

Interesi i Shqipërisë së vogël

Në këtë situatë të paqartë, kur shtete të mëdha europiane refuzojnë të bëhen pjesë e luftës, qëndrimet e Shqipërisë së vogël i ngjajnë një turravrapi nga frika, kur të mëdhenjtë sapo kanë nisur sherrin me njëri-tjetrin.

Njësoj si ai fëmija i vogël që ia kris vrapit, në kërkim të ndonjë të rrituri që do ta marrë në mbrojtje, ashtu edhe qeveria shqiptare duket e dëshpëruar të gjejë strehën e saj në këto momente të paqarta. Vetëm se situata është aq kaotike dhe e tensionuar, saqë ndonjëherë më mirë është të mos dëgjohesh shumë, sidomos kur rastis që je i vogël. Se dihet çfarë është më mirë se i vogël./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

23°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI