Përcaktohen sonte katër skuadrat e para çerekfinaliste të Champions League: luhen ndeshjet e kthimit të 1/8 të kompeticionit. Tre skuadra kanë nevojë për një fitore me tre gola për ti çuar ndeshjet të paktën në shtesë. Manchester City duhet ta bëjë përmbysjen në Etihad kundër Real Madrid, Chelsea në Stamford Bridge ndaj PSG, ndërsa Sporting në Lisbonë përballë surprizës Bodo/Glimt. Nën presion është edhe Arsenal, që duhet të gjejë fitoren në Emirates ndaj Bayer, pas 1-1 në Leverkusen.
MANCHESTER CITY-REAL MADRID
Manchester City dhe Real Madrid përballen për ndeshjen e kthimit të 1/8-ave të UEFA Champions League: në ndeshjen e parë në Spanjë, Blancos kanë fituar me një 3-0 të pastër falë tripletës së Federico Valverde dhe Citizens do të tentojnë një përmbysje të vështirë për të siguruar kualifikimin në çerekfinale. Luhet sot, e martë 17 mars, me fillim në orën 21:00 në Etihad Stadium.
Do të duhet një mrekulli e vërtetë për skuadrën e Pep Guardiola pas humbjes së rëndë në raundin e parë në Santiago Bernabéu Stadium dhe tani anglezët duhet të përmbysin rezultatin ndaj Blancos për të vazhduar rrugëtimin në kompeticion. Reali i Álvaro Arbeloa dominoi para tifozëve të vet, duke mposhtur Erling Haaland me shokë falë një paraqitjeje të jashtëzakonshme të Valverdes.
Në javën e fundit të kampionatit, Manchester City barazoi me West Ham United, duke u larguar nga kreu i Premier League; ndërsa Real Madrid fitoi 4-1 ndaj Elche CF me një supergol nga gjysma e fushës i Arda Güler. Guardiola do të mbështetet te Bernardo Silva, Antoine Semenyo, Rayan Cherki dhe Jérémy Doku në mbështetje të Haaland. Arbeloa zgjedh sërish Pitarch në mesfushë së bashku me Valverde, Aurélien Tchouaméni dhe Arda Güler.
CHELSEA-PSG
Chelsea luan sot (ora 21:00) ndeshjen e kthimit të 1/8-ave të Champions kundër Paris Saint-Germain. Për londinezët, sfida në Stamford Bridge është si një mal për t’u ngjitur, duke nisur nga rezultati (shumë i rëndë) i ndeshjes së parë: 5-2 në favor të francezëve që, në fund, falë dopietës së Khvicha Kvaratskhelia, vendosën një këmbë në çerekfinale. Për të kaluar turin, Blues duhet të realizojnë një mrekulli epike (fitore me 4 gola diferencë), ndërsa skuadra e Luis Enrique mund të kënaqet edhe me një humbje.
Me kusht që të mos jetë me më shumë se 2 gola diferencë (p.sh. 2-0, 3-1 etj.), për të shmangur shtesat ose madje penalltitë duke shpërdoruar avantazhin e madh të marrë në Parc des Princes. Kush kualifikohet do të përballet në çerekfinale me një mes Galatasaray dhe Liverpool. Pavarësisht humbjes së rëndë në ndeshjen e parë, Liam Rosenior pritet të konfirmojë të njëjtin formacion. João Pedro do të jetë pika e vetme e sulmit, i mbështetur nga Cole Palmer, Enzo Fernández dhe Pedro Neto. Te PSG do të jetë Kvaratskhelia për të kompletuar treshen sulmuese me Ousmane Dembélé dhe Bradley Barcola.
SPORTING-BODØ/GLIMT
Bodø/Glimt është në një pozicion shumë të favorshëm për të vazhduar rrugëtimin e tij të pabesueshëm në Champions League dhe për të arritur çerekfinalet në debutim. Fitorja 3-0 ndaj Sporting në ndeshjen e parë e lë skuadrën portugeze përpara një misioni pothuajse të pamundur këtë të martë në mbrëmje, edhe pse në fazën e ligës ishte shumë e fortë në shtëpi.
Sporting ishte perfekt në shtëpi gjatë fazës së ligës, por vetëm një fitore mund të mos mjaftojë për vendasit, duke parë avantazhin e madh të Bodø nga ndeshja e parë. Shqetësuese për portugezët është diferenca e dukshme mes dy skuadrave, me ekipin e Kjetil Knutsen që tregoi shumë personalitet dhe cilësi. Duke parë vështirësinë e sfidave të mëparshme, kjo përballje dukej si një shëtitje për surprizën e Eliteserien.
Ata po luajnë me një harmoni dhe bindje që çdo skuadër do ta dëshironte, me stilin e tyre të lirë që i bën shumë tërheqës për t’u parë. Neutralët shpresojnë që përralla e tyre të vazhdojë, me një çerekfinale të mundshme kundër Arsenal që mund t’i presë.
ARSENAL-BAYER LEVERKUSEN
Arsenal pret Bayer Leverkusen në Emirates Stadium për ndeshjen e kthimit të 1/8-ave të Champions League, me rezultatin e përgjithshëm 1-1 nga ndeshja e parë. Shumëkush priste një kualifikim të qetë për liderët e Premier League, por Gunners u kapën në befasi në Gjermani javën e kaluar. Robert Andrich kaloi në avantazh skuadrën e Kasper Hjulmand në fillim të pjesës së dytë dhe anglezëve iu desh një penallti në fund nga Kai Havertz për të shpëtuar rezultatin.
Kishte pritshmëri që kualifikimi të ishte pothuajse i mbyllur përpara ndeshjes në Londër, por Leverkusen bëri një paraqitje shumë të mirë në takimin e parë. Gabimet në ndërtimin e lojës kishin penalizuar skuadrën në fazën e ligës, por javën e kaluar ata ishin të saktë për të shmangur presionin e Arsenal dhe për ta hapur lojën. Mesfushorët teknikë Aleix García dhe Exequiel Palacios ishin të shkëlqyer dhe skuadra gjermane do të duhet të jetë po aq e guximshme në veri të Londrës për të shmangur dominimin.
Leverkusen fitoi në transfertë ndaj Manchester City në fazën e ligës, por do të duhet diçka e veçantë për të kaluar përballë Arsenal. Gunners nuk kanë qenë në formën më të mirë në gjashtë javët e fundit, por po bëjnë mjaftueshëm për të marrë rezultatet.