Flash

Berisha: Çiftimi i Shqipërisë me Serbinë, akti më antikombëtar i Ramës

Lapsi.al 16 March 2026
Berisha: Çiftimi i Shqipërisë me Serbinë, akti më

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD se afrimi i Shqipërisë me Serbinë përbën “aktin më antikombëtar” të ndërmarrë nga kryeministri Edi Rama. Sipas Berishës, ky veprim është ndërmarrë “in ekstremis” për të shpëtuar veten nga përballja me drejtësinë.

Berisha pretendoi se vendimet janë miratuar në parlament pavarësisht paralajmërimeve serioze nga disa vende anëtare të BE-së, të cilat, sipas tij, kanë shprehur kundërshtim të fortë ndaj një orientimi të tillë politik. Ai paralajmëroi se kjo qasje mund të çojë në bllokimin apo edhe prishjen e procesit të integrimit europian, duke rrezikuar marrëveshjet e arritura ndër vite me BE-në.

Berisha kritikoi gjithashtu iniciativat për bashkëpunim ekonomik rajonal, duke i cilësuar ato si forma të reja të projektit “Ballkani i Hapur”. Ai theksoi se Shqipëria nuk ka probleme gjeopolitike me BE-në apo me fqinjët, ndryshe nga Serbia, e cila sipas tij mbart tensione të pazgjidhura rajonale dhe politike.

Në përfundim, lideri demokrat e cilësoi afrimin strategjik me Serbinë si “një akt të mirëfilltë antikombëtar”, duke kërkuar rishikim të kursit politik të qeverisë.

Më poshtë fjala e plotë e Berishës:

Edi Rama ndërmori këtë veprim, një akt in ekstremis për të shpëtuar lëkurën e tij.

Por viktimë tjetër madhore, në qoftë se SPAK ishte viktimë direkte, viktimë tjetër madhore e këtij akti është çdo qytetar shqiptar, i cili ka për aspiratë integrimin e tij në BE.

Në të vërtetë, vendimet u morën në parlament me gjithë paralajmërimin më serioz të jo një, por disa vendeve anëtare të BE, se ato nuk mund të pajtohen kurrë me një vendim të tillë.

Dhe se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, jo vetëm që ndalon, por edhe mund të shpërbëhet nga alfa gjer në alfën ku ka filluar.

Kur themi këtë shpërbërje, do të thotë anulim i të gjitha marrëveshjeve të firmosura me BE-në, që nga viti 1992 që është marrëveshja e parë tregtare.

Megjithatë, midis fatit të bardhë të shqiptarëve, integrimi në BE, sepse të themi atë që është, kjo fjala fat merr interpretime të ndryshme, por po të jetë për një popull si populli ynë, me problematikat që ka përjetuar, integrimi evropian, integrimi në NATO ishte fati i tij më i madh.

Kështu që Edi Rama, pavarësisht nga paralajmërimet që mori, pavarësisht nga reagimet që mori, vendosi që para procesit të integrimit të zgjedhë mburojën e tij ligjore për vjedhjet që ka bërë, të mos dorëzohet para ligjit ai dhe as dhe rrethi i tij i ngushtë familjar.

Por një gjë është prapë e qartë, se e gjithë kjo përplasje e madhe me opozitën, me partnerët ndërkombëtarë, bëhet vetëm për Edi Ramën dhe rrethin e tij të ngushtë familjar.

Pra, çdo shqiptar paguan për vjedhjet e Ramës, njerëzve me të cilët ka vjedhur, familjarëve të tij, Lindës së tij, baxhanakut dhe të tjerëve me radhë.

Si rrugëdalje, ai ka zgjedhur shkelmimin haptas të interesit të çdo shqiptari, integrimin mbi bazë merite në BE, bllokimin e tij dhe kërkesën që bëri me Aleksandër Vuçiç për një integrim tregtar. Një marrëveshje tregtare me BE-në, por jo paketë politika dhe ligjet komunitare, thjesht një partneritet në tregti.

Me çiftimin e Shqipërisë me Serbinë, Edi Rama kreu një akt ndër më të egrit armiqësorë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Cilado që të jenë problemet e Shqipërisë, Shqipëria nuk ka asnjë problem madhor në rrafshin strategjik, gjeostrategjik dhe politik me BE-në, që ka Serbia.

Serbia, jo nga Shqipëria, por nga qëndrimet dhe historia e saj, është konsideruar dhe konsiderohet Rusia e vogël në Ballkan. Shqipëria nuk është konsideruar kurrë zonë influence ruse.

Rusët bëjnë çdo përpjekje që TAP-i të dështonte, të mos kalonte nga Shqipëria, vetëm e vetëm se e dinin se gazi i tyre nuk mund të kalonte nga Shqipëria.

Serbia ka probleme të mëdha politike për të zgjidhur, marrëdhëniet me fqinjët, me Kosovën dhe Bosnjen, me Republikën Srapska që e ka përdorur si një koloni, me kërcënime të mëdha për bashkim, etj, etj.

Shqipëria nuk ka asnjë problem gjeopolitik me asnjë nga fqinjët tanë. Ka vetëm marrëdhëniet me të mira, më normale në të gjitha aspektet.

Serbia nuk njeh gjenocidin serb në Srebrenicë, i shpallur gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare dhe të gjitha institucionet dhe një kusht i vendeve demokratike për të afruar Serbinë.

Shqipëria, falë ndërhyrjes së fuqishme të opozitës, votoi më së fundmi rezolutën për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë.

Pra, imagjinoni ju, përpjekjen e Edi Ramës për t’i zbardhur faqen Vuçiçit, në një kohë kur ai akuzohet si një nga pjesëmarrësit në safarin njerëzor në Sarajevë.

Tani, argati i del në krah dhe shkruan letër të hapur me të për fatin e përbashkët të shqiptarëve dhe serbëve, në një marrëveshje tregtare me BE, që nuk është gjë tjetër vetëm Ballkani i Hapur.

Një akt më antikombëtar se ky nuk mund të bëhet.

Një akt i mirëfilltë antikombëtar.

Të këshilluara

ide

Shqipëria nuk ka pse të arrijë Europën, tani mund ta udhëheqë atë

Në një editorial për The Guardian, Lea Ypi shkruan se protestat e të rinjve tregojnë se Shqipëria mund t’i japë Europës një mësim mbi vetërespektin. Sipas saj, brezi që thotë “Shqipëria nuk është në shitje” po sfidon modelin ku natyra shitet për investime, demokracia kapet nga të pasurit dhe integrimi europian përdoret për të mbyllur gojën kritikëve.

16:35 Lea Ypi

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

95.19

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI