Pas dy dështimeve me tenderat, pritet që të ndryshojë projekti i portit të ri në Porto Romano, ndërsa kryeministri Rama këmbëngul se porti ekzistues në qytetin e Durrësit duhet zhvendosur, sepse nuk mund të jetë nyja e duhur strategjike për Korridorin VIII.
Por në konferencën me gazetarët këtë të premte Rama nuk pranoi se tenderi u anulua pas presionit të amerkanëve apo të kancelarive të Bashkimit Europian, nga ku kishin ardhur disa oferta serioze nga kompani me reputacion global, të cilat nuk dolën fituese në tenderin që po hetohet nga prokurorët e SPAK.
Rama u përpoq të justifikohet për ngërçin që ka krijuar me portin e Durrësit, si një pengesë e Korridorit VIII që nis nga Italia, kalon në Shqipëri, shkon më tej në Maqedoninë e Veriut për të mbërritur deri në portet e Bullgarisë. Shkak të vonesave sipas Ramës janë ndërhyrjet nga jashtë, ndërsa ankesat e kompanive dhe hetimet e SPAP sugjerojnë se shkak ka qenë korrupsioni i brendshëm me tenderat.

Sipas Ramës anulimi i tenderit ishte thjesht një "koincidencë e pashmangshme që doli në momentin e fundit", por që nuk do ta ndalě ndërtimin e një porti të ri.
"Gara është organizuar dy herë dhe në të dy herët ka pas interes shumë të madh. Çështja ka qenë që herën e parë, kriteret kanë qenë shumë të forta, por kjo nuk do të thotë që s'ka pas kompani që nuk i ofron, por duan të thonë që nëse nuk i përgatit dot në kohë të gjitha gjërat që duhen për atë garë, nuk kualifikohesh dot.Herën e parë gara është anuluar, këtë herë ndodh kjo koincidencë fatkeqe. Dhe e përsëris, kompania e ka shkruar tërheqjen e saj me argumentin e krizës dhe çmimeve dhe normalisht, nëse gjërat nuk kthehen në normalitet, e bën shumë të vështirë marrjen përsipër, të ndërtimit të atij porti me ato çmime që janë vendosur aty dhe me atë financim që është vendosur aty. Nuk e kemi fare informacion që ka pas ndonjë komponent tjetër që ka ndikuar në tërheqjen e kompanisë” u shpreh Rama në konferencën për mediat.
Gjithsesi tenderi i dytë për portin e Durrës është shoqëruar nga pakënaqësi dhe ankesa të kompanive të huaja në garë.
Skualifikimi nga gara i kompanive me reputacion në Bashkimin Europian
[caption id="attachment_1070398" align="alignnone" width="1024"]
Kreu i Komisionit të Prokurimeve në SPAK. Jonaid Myzyri[/caption]
Ndryshe nga sa thotë Rama, pengesat për tenderimin me sukses të portit të ri në Porto Romano kanë të bëjnë me “thembrën e Akilit” të qeverisjesë së tij, që janë trukimet në garën e sistemit të prokurimit.
Kompanitë europiane u skualifikuan nga tenderi për Portin e Ri të Durrësit sipas një modeli që ngjante me një skemë të mbyllur eliminimi. Në fazën e parakualifikimit u përjashtuan konsorciume të mëdha europiane si Jan De Nul dhe grupi Vinci dhe arsyeja zyrtare lidhej me mungesën e disa dokumenteve mbështetëse për një projekt konkret në ishullin Reunion, edhe pse bëhej fjalë për një nga projektet infrastrukturore më të njohura në botë, të realizuar nga një konsorcium ku Vinci ishte lider.
Praktikisht, një kompani me dekada përvojë, qindra mijëra punonjës dhe dhjetëra miliarda euro xhiro vjetore u përjashtua për një formalitet që nuk cenonte aspak kapacitetin real teknik apo financiar të ofertuesit.
Kur Jan De Nul dhe Vinci tentuan të ankimonin skualifikimin, procesi u bllokua sepse autoritetet kërkuan pagesën e 0.5 për qind të vlerës së tenderit, rreth 2 milionë euro, vetëm për shqyrtimin e ankesës, duke lënë vetëm dy ditë afat për kryerjen e pagesës. Praktikisht, Komisioni i Prokurimit Publik refuzoi ta shqyrtonte ankesën dhe autorizoi vijimin e procedurës, duke mbyllur derën për çdo kontroll real ligjor mbi vendimin e skualifikimit.
Negociatat/ Mbetet pezull tenderi i portit të ri të Durrësit
Hapi i fundit i skemës ishte eliminimi edhe i Van Oord, kompanisë hollandeze me reputacion global në ndërtimin e porteve dhe marinave. Skualifikimi i saj u justifikua me mosparaqitjen në kohë të ekuivalentimit të licencave dhe dokumentacionit të stafit, edhe pse kompania kishte kuptuar se këto kërkesa do të plotësoheshin vetëm para nënshkrimit të kontratës dhe kishte nisur procedurat në e-Albania, duke kërkuar shtyrje afati.
Autoritetet nuk pranuan asnjë shtyrje dhe ndërprenë komunikimin, duke e lënë kompaninë jashtë gare. Kështu, pas një serie përjashtimesh të njëpasnjëshme mbi baza formale, në garë mbeti vetëm filiali qipriot i Archirodon.
Preferenca e NATO-s për portin e vjetër të Durrësit
Si përfundim, qeveria shqiptare duket se është tërhequr nga projekti aktual i portit të ri në Porto Romano. Kësaj radhe, duket se do të ketë një koordinim me NATO-n që do të ngrejë aty një bazë ushtarake.
"Korridori VIII u fut edhe ne rrjetin e lëvizjes së sigurt të NATO-s dhe projekti ynë i portit të kombinuar tregtar dhe ushtarak është në tryezën e NATO-s dhe ka kaluar të gjitha nivelet teknike të NATO-s si një domosdoshmëri. Si mendoni ju? Mund të bënim ne një bazë ushtarake që të shfrytëzohej nga NATO aty në atë pellgun e portit të Durrësit? Nuk mund ta bënim. Mund të ishte porti aktual, nyja për të cilin po flas? Nuk mund të ishte" tha Rama.
Në fakt, pak ditë më parë, Rama mori një email nga kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Grant Vancleve ku i kërkohej një zgjerim i portit të ri dhe një angazhim më i madh i NATO-s me disa vende si Italia, Holanda, Turqia dhe SHBA. Bëhet fjalë për emailin që Lapsi.al e botoi ekskluzivisht.
Në mesazh thuhej: “Portet ndërtohen një herë në shekull dhe gabimet strategjike të bëra në ndërtimin e tyre mund të ndikojnë fatin e një vendi për një shekull. Nëse Porto Romano ndërtohet në shkallën e kufizuar aktuale, Korridori 8 do të dështojë strukturalisht, dhe flukset e mallrave në Evropën Juglindore do të vazhdojnë të kapen nga Pireu dhe Selaniku, duke e lënë Shqipërinë jashtë sistemit kryesor logjistik të Mesdheut për shekullin e ardhshëm”.
Van Cleve shkonte më tej në emailin që siguroi Lapsi.al, duke ofruar edhe një model alternativ zhvillimi: “Një Porto Romano më të madh brenda këtij viti, të bashkëfinancuar nga partnerë nga Shtetet e Bashkuara dhe Italia dhe të zbatuar nga furnitorë strategjikë kryesorë nga SHBA, Italia, Holanda dhe Turqia”.
Ajo që binte në sy në kërkesën e nënshkruar nga kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë ishte se oferta nuk paraqitej si një iniciativë e izoluar amerikane. Në propozimin e tij përfshihen Italia, Holanda dhe Turqia, tre vende me peshë në NATO dhe në arkitekturën strategjike të rajonit.
Por në konferencën e sotme, megjithëse e anuloi tenderin e dytë, megjithëse la të kuptohet se do ta ndryshojë projektin, Rama refuzon të pranojë se është vënë me shpatulla pas muri nga ndërkombëtarët dhe se planet e tij për një port të vogël bien ndesh me strategjinë e NATO-s për një korridor logjistik dhe ushtarak që kalon nga Durrësi.
"Nuk kemi të dhëna që kompania është ndodhur nën ndonjë presion, por i gjithë procesi është zhvilluar nën presion. Por jo në presionin e SHBA siç thuhet për asnjë argument. Se s'ka pasur asnjë shqetësim të shprehur as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as nga Bashkimi Europian as nga askush" është shprehur kryeministri në konferencë.
Mbetet e paqartë se sa kohë do të duhet për të ndërtuar portin e ri në Porto Romano tani që gjithçka u kthye në pikën zero.
Rama tha se asgjë nuk do ta ndalë projektin, por nuk dha një afat për përfundimin e tij. Situata duket si një rrugë qorre, mbi të cilën rëndon edhe projekti tjetër i Durrës Marina që kërkon zhvendosjen me urgjencë të portit ekzistues në Durrës për ndërtimin e pallateve dhe hoteleve me vlerë deri në 1.6 miliard dollarë që kishte premtuar të investojë arabi Muhamet Alabbar.
Anulohet tenderi i Porto Romanos/ Ç’do të ndodhë me kullat e Alabbar në Durrës?
Për momentin, Rama duket se nuk e ka një rrugëzgjidhje dhe e sheh veten mes dy zjarreve. Ajo që i mbetet është të premtojë sërish për projekte që do t'i çojnë shqiptarët në një nivel tjetër, por ajo që kemi aktualisht është një gropë e hapur në Durrës dhe një projekt në letër në Porto Romano./Lapsi.al