Djali i Ajatollah Ali Khameneit thuhet se është plagosur në luftën e Iranit. Lajmi u bë i ditur pasi ai u emërua si Udhëheqësi i ri Suprem i vendit.
Mojtaba, 56 vjeç, djali i dytë i të ndjerit Ajatollah Ali Khamenei, u njoftua si pasardhësi i tij të dielën, pasi u emërua nga asambleja prej 88 anëtarësh e regjimit, pavarësisht kundërshtimit të mëparshëm nga i ati.
Kleriku “hakmarrës” i vijës së ashpër është tashmë në shënjestër për t’u vrarë nga Izraeli, pasi ky i fundit u zotua të “eliminojë” këdo që do të pasojë Ajatollahun e vrarë. Gruaja e Mojtaba, Zahra Haddad-Adel u vra në sulmet ajrore ditën e parë të konfliktit.
Në një lajm mbi ngjitjen e tij në detyrën e Udhëheqësit Suprem në televizionin shtetëror iranian, ai përmendet si “i plagosur në luftë”.
Prezantuesi e përshkroi atë si “janbaz” apo të plagosur nga armiku, në “luftën e Ramazanit”, siç e quajnë mediat në Iran konfliktin aktual. Nuk jepen detaje se si u plagos ai, megjithëse gruaja dhe babai i tij u vranë në sulmet izraelite në Teheran.
Një analist në një transmetim më vonë sugjeroi që plagosja e Khameneit lidhet me shërbimin e tij në luftën Iran-Irak të viteve 1980. Raporti pohoi gjithashtu se Mojtaba, i cili nuk është parë në publik që nga fillimi i luftës, flet rrjedhshëm anglisht dhe ka përfunduar kurse psikologjie.
Raporti pohoi gjithashtu se ai ka njohuri për teknologjitë moderne, shkencat ushtarake dhe çështjet e sigurisë, si dhe për parimet politike dhe kërkesat ekzekutive të vendit.
Udhëheqësi i ri Suprem ka lidhje të forta me Trupat e Gardës Revolucionare Iraniane dhe u zgjodh nga Asambleja e Ekspertëve të Iranit “nën presionin e saj”, sipas mediave iraniane.
Trashëgimia nga babai te djali shihet negativisht në establishmentin klerikal shiit mysliman në Iran. Mojtaba nuk është një klerik i rangut të lartë, nuk ka mbajtur kurrë një detyrë dhe nuk ka pasur një rol zyrtar në regjim deri më tani.
Thuhet se babai i tij ka shfaqur kundërshtim ndaj kandidaturës së tij, sepse kjo do t’i ngjante sundimit të trashëguar të miratuar nga monarkia e Shahut e mbështetur nga SHBA-të, përpara se ajo të përmbysej në Revolucionin Iranian në vitin 1979.
Por, pasi është zgjedhur si Udhëheqësi Suprem i Iranit, ai do të kërkojë hakmarrje për vrasjen e babait të tij, sipas një eksperti të Iranit. Ai i tha BBC Radio 4: “Ai është hakmarrës. Ia kanë vrarë babanë dhe ai nuk do ta lërë të shkojë. Nëse ai nuk mund të hakmerret ndaj SHBA-së, do të hakmerret ndaj njerëzve të zakonshëm."
Parham Ghobadi, i shërbimit persian të BBC-së, pretendoi se “ka marrë përsipër punën më të rrezikshme në botë sepse amerikanët dhe izraelitët janë betuar të synojnë udhëheqësin e ardhshëm, duke thënë se udhëheqësi i ardhshëm i Iranit do të jetë një objektiv legjitim për vrasje".
“Ka pasur thashetheme rreth tij se ai do të jetë udhëheqësi i ardhshëm që nga protestat e vitit 2009. Njerëzit brohorisnin në rrugë “Mojtaba, shpresojmë të vdesësh. Ti kurrë nuk do të bëhesh udhëheqësi i ardhshëm”.
Pra, thashethemet qarkullonin për dekada të tëra se ai do të ishte udhëheqësi i ardhshëm... Por në përgjithësi ai ka qëndruar në hije.
Ushtria izraelite ka paralajmëruar tashmë se do të “ndjekë çdo pasardhës” të Ali Khameneit. Në një postim në X në gjuhën persi, IDF shkroi: “Pas neutralizimit të tiranit Khamenei, regjimi terrorist i Iranit po përpiqet të rindërtojë veten dhe të zgjedhë një udhëheqës të ri”. ©LAPSI.al