Kryeministri Edi Rama deklaroi se projekti për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano po përballet me pengesa të qëllimshme nga interesa të vendeve të tjera, të cilat sipas tij veprojnë të nxitura nga xhelozia dhe synojnë të bllokojnë realizimin e projektit. Rama tha se qeveria është e vetëdijshme për autorët e këtyre përpjekjeve, por zgjodhi të mos përmendë emra.
Komentet vijnë një ditë pasi kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Grant Vancleve i dërgoi një letër Edi Ramës ku i kërkonte anulimin e tenderit dhe zgjerimin e portit me ndihmën e SHBA, Holandës, Italisë, Turqisë dhe vendeve të tjera të NATO-s.
Shtyhen afatet e portit të ri në Porto Romano/ Operatori i vetëm në garë kërkon kohë
“Dua të them dy fjalë për Porto Romanon. Është një nga proceset me të ndërlikuara që ne kemi bërë. Është një plan strategjik që ka krijuar edhe xhelozi. Xhelozitë janë të zakonshme mes vendeve që janë në stade të caktuara zhvillimi”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se projekti është zhvilluar përmes një procesi të ndërlikuar teknik dhe ndërkombëtar, duke përfshirë studiot më të mëdha të projektimit dhe kompani me reputacion global në ndërtimin e infrastrukturës portuale. Sipas tij, gara për ndërtimin e portit është monitoruar nga kompania ndërkombëtare Royal HaskoningDHV.
“Nuk do flas gjatë, por një gjë do ta them: Ata që e luftojnë projektin, ata që nuk po lënë gurë pa luajtur për ta bllokuar projektin dhe ne i dimë kush janë. I kanë bërë llogaritë gabim sepse projekti do bëhet”, tha kryeministri.
Ekskluzive/ Porti i ri i Durrësit, SHBA me një ofertë të re për Edi Ramën
Sipas Van Cleeve, ndërtimi i portit me përmasat e planifikuara aktualisht mund të rrezikojë që Shqipëria të humbasë një mundësi të rëndësishme për t’u shndërruar në një qendër kryesore logjistike në rajonin e Ballkanit, duke kërkuar më shumë kohë për të rishikuar parametrat e projektit dhe për të analizuar më gjerë ndikimin e tij afatgjatë.
Ndërkohë, tenderi për portin e ri të Durrësit në Porto Romano është shoqëruar me shumë kritika, pasi skualifikoi nga gara konsorciume të rëndësishme me kompani të mëdha holandeze, italiane dhe franceze duke lënë deri në minutën e fundit fituese një kompani të regjistruar në një zonë offshore në Qipro.
Shpallja e fituesit për projektin e portit të ri të Durrësit në Porto Romano ishte premtuar për në datën 31 Janar, por data kur do të zbulohet oferta e kompanisë qipriote Archiridon, e cila ka mbetur e vetme në garë, është shtyrë për në 9 Mars.
Më herët Autoriteti Portual Durrës ka konfirmuar për Lapsi.al se shtyrja e afatit në procedurën e prokurimit për ndërtimin e “Portit të Ri Tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano – Faza I” deri në 9 Mars është bërë pas një kërkese zyrtare të operatorit të vetëm të kualifikuar në fazën finale të garës.
Në përgjigjen zyrtare drejtuar redaksisë së Lapsi.al, Autoriteti Portual Durrës sqaroi se bashkimi i operatorëve “ARCHIRODON CONSTRUCTION (OVERSEAS) COMPANY LIMITED – DEME DREDGING NV – SOCIETÀ ITALIANA DRAGAGGI S.P.A.” ka kërkuar në Sistemin e Prokurimit Elektronik shtyrjen e afatit për dorëzimin e ofertës, me argumentin se i nevojitej kohë shtesë.
Qëllimi i kërkesës sipas operatorit të vetëm të mbetur në garë, Archiridon ishte “për të paraqitur një ofertë teknike dhe tregtare gjithëpërfshirëse dhe të studiuar me kujdes, duke analizuar në detaje të gjitha aspektet e këtij tenderi, përfshirë punimet e përmirësimit të tokës dhe rikuperimit, të cilat kërkojnë kohë të konsiderueshme për koordinim me nënkontraktorët tanë të specializuar dhe furnitorët lokalë, me qëllim vlerësimin e mëtejshëm të alternativave për sigurimin e materialeve dhe shërbimeve si dhe rritjen e përmbajtjes vendore, kërkojmë me mirëkuptim që të merret në konsideratë një shtyrje e afatit për dorëzimin e ofertës”.
Porti i Durrësit më pas i është përgjigjur pozitivisht bashkimit të operatorëve Archiridon duke i konfirmuar shtyrjen e afatit. “Autoriteti Kontraktor pranon kërkesën për shtyrje të afatit, duke marrë në konsideratë kompleksitetin e objektit të punimeve… Në këto kushte, afati i ri për dorëzimin e ofertave përcaktohet më 09 mars 2026, ora 14:00”.