Flash

Deputetët e PS gardh për Ballukun/ Rama rrëzon SPAK për arrestimin

Lapsi.al 9 March 2026
Deputetët e PS gardh për Ballukun/ Rama rrëzon SPAK për

Partia Socialiste sapo ka zyrtarizuar kthesën e saj më të fortë në marrëdhënien me drejtësinë duke i refuzuar prokurorëve të SPAK arrestimin e Belinda Ballukut. Vendimi zyrtar, që Rama e shpalli në mbledhjen e grupit parlamentar, është një shmangie nga kredo politike e Partisë Socialiste dhe një devijim nga korsia që udhëhoqi veprimin e saj politik të paktën në 10 vitet e fundit; premtimi për të mos e penguar drejtësinë e re në luftën kundër korrupsionit.

Në mbledhjen e grupit parlamentar, të PS, Edi Rama nxorri disa pretekste për ta paraqitur si problematike kërkesën e prokurorit Dritan Prençi, kur tha se Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion, por për “shkelje të barazisë në tendera”. Ai kujtoi se ajo është “nëna e një fëmije të mitur”, ndaj së cilës po zhvillohet një gjyq popullor, i ngjashëm me procesin që iu bë gjyshit të saj në diktaturë.

https://youtu.be/QUvCp7LlKio

Rama sulmoi direkt punën e prokurorëve të SPAK duke përsëritur se do t’i kishte nxjerrë jashtë nga salla kur të vinin me 16 mijë faqe prova.

“Nuk do të doja ta kisha përmendur që janë 16 mijë faqe dhe prova sepse ajo më provokon, më ka provokuar që ditën e parë, Po të isha unë në Këshillin e Mandateve, do t’i thoja “Çohuni! Ikni dhe kthehuni me një dosje për parlamentin e deputetin”. E dini ju ca janë ato 16 mijë faqe? Nuk janë produkt I hetimit se ska si të jenë, janë 16 mijë faaqe ku janë future brenda kontrata, studime, arkivi I ministrisë futur brenda” u shpreh kryeministri.

Kryeministri relativizoi transkriptin e bisedës që prokurorët e sollën në kuvend si provë të kërcënimit të dëshmitarëve. Sipas kësaj bisede telefonike të interceptuar mes dy punonjëseve të ministrisë, njëra prej tyre që është edhe e pandehur në proces,  tregon se është kërcënuar nga kabineti i Belinda Ballukut dhe nga disa persona “të fortë” për të ndryshuar dëshminë.

“E paska shtyrë prokurorin të marrë gjithë atë të përpjetë të vijë të kërkojë nga parlamenti i Shqipërisë arrestimin e një deputetejë, e cila, një kujtesë e vogël këtu: është prind i vetëm e një vajze miniorene. Nuk po marr fare për bazë faktin që këtë përgjim prokurori e kishte. Apo jo? E kishte! Edhe përpara se sa ta pezullonte ministrjen, ndërkohë që e nxorri vetëm kur ra masa e pezullimit duke e përdorur si rrethanë rënduese për të kërkuar me çdo kusht arrestin në një turravrap i cili më shumë se sa një hap logjik i një procedure ku shfaqet një e dhënë e re, ngjan me një reagim emocional ndaj rrëzimit të masës së pezullimit nga Gjykata Kushtetuese. Po nejse!” u shpreh Rama.

Avokatia që bëri Rama u rikonfirmua edhe në funksionet partiake, pasi Belinda Balluku do të vazhdojë të jetë drejtuese politike në Fier, ndryshe nga zyrtarët socialistë që në të shkuarën kanë pasur probleme me SPAK, por që ishin mënjanuar nga detyrat partiake. “Ajo do të vijojë të drejtojë qarkun. Pak kush nga ne I I mban si Belinda kontaktet me territorin”, deklaroi Rama që fjalën e tij e mbylli gati me një falenderim përulës për Ballukun.

"Unë e falënderoj sot Belindën për punën e madhe që bëri në detyrat që i besova për 6 vjet me radhë dhe i uroj fatin që meriton, cilido qoftë fati që meriton, në betejën ligjore për të cilën do të ketë në krah, vetëm avokatët e saj dhe i kërkoj ndjesë për refuzimet e përsëritura të tre dorëheqjeve të veta"u shpreh kryeministri.

Kur nisën shigjetat e Ramës ndaj drejtësisë së re

Sulmet e para të Ramës ndaj SPAK dhe GJKKO nisën thuajse 4 muaj më parë, kur zv.kryeministrja në detyrë u pezullua nga detyra me vendim të gjykatësit Erjon Çela, në datën 20 nëntor.

Më herët, Balluku ishte marrë e pandehur në bazë të  pasi disa mesazheve në telefonin e ish-drejtorit të ARRSH, Ervis Berberi që dëshmonin se tenderi për tunelin e Llogarasë u anulua dhe u rihap me disa dhjetëra milion euro më shumë, sipas urdhërit personal të Belinda Ballukut, e cila kishte pasur takime me drejtues të kompanisë turke që u shpall fituese.

I irrituar nga fakti se i hoqën nga kabineti njeriun e tij më të besuar, Rama e ankimoi pezullimin e Ballukut në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se kjo ishte një shkelje e parimit të ndarjes së pushteteve. Që nga ky moment, ai u rikthye në versionin e tij të vjetër, duke sulmuar drejtësinë me të njëjtën gjuhë që kishte përdorur para reformës.

Megjithatë për shumëkënd manovra politike e Ramës në raport me drejtësinë ka qenë trullosëse. Në kujtesë është ende I freskët Edi Rama euforik i fushatës elektorale, që rrihte gjoksin për reformën në drejtësi dhe e krahasonte veten me macen më të aftë për kapjen e minjve. Sot vendin e tij, e ka zënë një kryeministër që i shfrytëzon ekranet për baltosjen e gjykatësve sepse këta kërkojnë rritje rrogash dhe që me vendimet e tyre, thotë ai, kryejnë “akte brutale”.

[caption id="attachment_1069213" align="alignnone" width="1280"] Edi Rama duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar për Belinda Ballukun[/caption]

Jo shumë kohë më parë shihej në publik një Edi Ramë i eksituar nga zelli i Altin Dumanit për të futur në burg politikanët e opozitës, madje Rama e ndërsente prokurorin special nga tribuna e kongreseve socialiste. Sot, Edi Rama I kujtoi me keqardhje dhe pendesë arrestimet e Ilir Beqajt dhe të Erjon Veliajt, ndërsa ngre zërin për numrin e lartë të të paraburgosurve, citon raportet e Kolegjit të Evropës dhe i konsideron arrestimet një “modë e vrazhdë”.

Ramës së 3 muajve më parë, që mburrej se si kjo drejtësi I vjen Shqipërisë një herë në 100 vjet, sot ia ka lënë vendin politikani grindavec, që kërkon pretekste, gjen justifikime dhe flet plot pathos kundër hetimeve, duke kërcënuar me kartonat që ka në parlament.

Balluku lë ministrinë në lot: Ndoqa shembullin e Ramës, ishte shkolla më e mirë!

Por si ndodhi që Rama e humbi kaq shpejt aureolën e reformatorit të madh, që premtoi t’i jepte fund pandëshkueshmërisë përmes një drejtësie të pavarur? Çfarë e detyron sot t’i bëhet ushtar, zëdhënës dhe avokat Belinda Ballukut duke sfiduar orientimet e Bashkimit Europian?

Ndryshe nga dosjet e tjera ku janë arrestuar Erjon Veliaj, Ilir Beqaj, Lefter Koka etj, në hetimet për Ballukun porositë e kryeministrit Rama për takimet me biznesmenë që konkurojnë dhe fitojnë tenderat publikë, dalin hapur. Nga mesazhet që u gjetën në celularin e Ervis Berberit, ish-zv.kryeministrja dhe ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku e thotë qartë se thjesht është duke zbatuar kërkesat e "Ramës" apo porositë e "KM" siç i referohet ajo.

Vetë Rama e ka pranuar hierarkinë e urdhrave në mesazhet e celularëve, duke mos i lëvizur asnjë presje porosive që i ka dhënë Belinda Ballukut. I pyetur nëse edhe ai është i përfshirë në takimet që ka lënë ministres me biznesmenët që fitojnë tendera, Rama është përgjigjur: "Unë do takoj dhe kam takuar kë të më dojë e bardha zemër dhe e mira mendje. Njeriu nuk mund të fajësohet apo të dyshohet kurrë për kë takon, kurrë, kurrë."/Lapsi.al

Të këshilluara

Thumbi i Elisës për Skënderbeun

Elisa Spiropali ka shfrytëzuar një përplasje me opozitën dhe sidomos me Berishën për ti dërguar një mesazh Edi Ramës se është e pakënaqur me shkarkimin e saj si...

14:53

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

26°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI