Prokuroria e Posaçme ka zbuluar episode të tjera të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Kolumbia drejt Evropës dhe Shqipërisë, për çështjen e laboratorit të drogës në Frakull të Fierit, e fshehur mes plehut organik dhe për të cilën ishin pajtuar edhe kimistë kolumbianë.
Ka shkuar në 15 persona numri i të pandehurve për dosjen voluminoze të SPAK, ndërsa 5 janë zbuluar së fundmi dhe 10 ishin dënuar më herët nga GJKKO. Mes të pandehurve dhe të dënuarve ka qenë edhe ish-kryekomunari i Frakullës, Viktor Cervanaku dhe familjarë të tij.
Për 5 të akuzuarit e fundit, GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK dhe vendosi masën e sigurisë arrest me burg. Tre prej tyre u prangosën dhe 2 të tjerë u shpallën në kërkim.
Institucioni i SPAK njoftoi sot (6 mars) se u dhanë edhe 5 masa të tjera sigurie për persona të arrestuar dhe për 2 që janë shpallur në kërkim.
“Ky procedim penal lidhet me hetimet për trafikimin gjatë vitit 2022 të një sasie prej 485.5 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e importuar nga Kolumbia dhe e fshehur në një ngarkesë me “pleh organik artificial”, e cila është sekuestruar më datë 24.11.2022 në Frakull të Madhe, Fier”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Më tej theksohet se:
“Më datë 5.3.2026, në zbatim të këtij vendimi, strukturat e Policisë së Shtetit kanë bërë të mundur ekzekutimin e masës së sigurimit për shtetasit K. Gj., M. Gj. dhe A. Z., ndërsa shtetasit K. (alias A.) M. dhe D. K. janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e tyre në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë”.
Gjithashtu janë kryer edhe 5 sekuestrime të tjera, kryesisht mjete luksoze.
Për këtë episod trafikimi janë dënuar tashmë 10 shtetas shqiptarë: Nikolin Gjolena, Viktor Çervanaku, Denilson Çervanaku, Klajdi Vrioni (alias Klajdi Kodra), Zenel Çervanku, Enxhi Ferhati, Redion Meshi, Julian Malaj, Bledar Matoshi, Marildo Rona dhe kolumbiani Samir Rosales Rodriguez.