Më 11 qershor do të nisë Botërori 2026 FIFA, një edicion që do të shënojë dy risi historike: do të jetë turneu i parë me 48 skuadra (nga 32 që ishin më parë), si dhe i pari që do të zhvillohet në tre vende të ndryshme, Canada, Mexico dhe United States.
Pra mungojnë 98 ditë nga ndeshja hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, e planifikuar të luhet në stadiumin Azteca në Mexico City. Megjithatë, me përshkallëzimin e luftës në Lindjen e Mesme pas sulmit të Izraelit dhe SHBA-së ndaj Iranit, dhe me zgjerimin e konfliktit deri pranë Evropës (Irani ka lëshuar një sulm me dronë ndaj Qipros), kanë filluar të ngrihen disa pikëpyetje.
Pjesëmarrja e Iranit në Botërorin 2026 në rrezik
Së pari ekzistojnë dyshime shumë të forta për pjesëmarrjen e Iranit, i cili në një situatë lufte të vazhdueshme me SHBA-në – nëse operacionet ushtarake nuk ndalen deri në qershor – nuk do të mund të paraqitej kurrë në një Botëror të organizuar nga armiku. Kjo madje mund të ndodhë edhe në rast se konflikti përfundon para nisjes së turneut.
Ndër të tjera, të tre ndeshjet e Iranit në grup, kundër Zelandës së Re, Belgjikës dhe Egjyptit, do të zhvillohen pikërisht në Amerikë, gjë që mund të krijojë edhe probleme sigurie.
Megjithatë, për momentin FIFA vazhdon në rrugën e saj, duke përsëritur “synimin për një Kupë Bote të sigurt dhe të mbrojtur ku të marrin pjesë të gjitha skuadrat” dhe pa marrë as në konsideratë mundësinë që Irani të tërhiqet.
Madje, edhe në rast pjesëmarrjeje, tashmë është e sigurt se asnjë tifoz nuk do të mund të ndjekë kombëtaren iraniane në SHBA, për shkak të ndalimit absolut të hyrjes në territorin amerikan për mbështetësit e saj (si edhe për ata të Haitit), vendim i marrë nga Donald Trump me një urdhër ekzekutiv në qershorin e kaluar.
Profesori Chadwick shpjegon rastin ekstrem që do të sillte shtyrjen
Përveç çështjes së Iranit, ka edhe nga ata që hedhin dyshime mbi vetë zhvillimin e turneut. Nga 104 ndeshjet e planifikuara në fazën finale, 13 do të luhen në Meksikë, 13 në Kanada, ndërsa 78 të tjerat – përfshirë finalen – në Shtetet e Bashkuara.
Por a mund të shtyhet vërtet Botërori 2026? A është një hipotezë realiste? Ekziston vetëm një kusht, vërtet ekstrem dhe që do të kishte pasoja shumë më të rënda globalisht për jetën e të gjithëve, që mund të çonte në një vendim të paprecedentë.
Këtë e shpjegon për “Sportbible” Simon Chadwick, profesor i Sportit dhe Gjeopolitikës Ekonomike në SKEMA Business School në Paris, i cili ka qenë edhe drejtor kërkimi për organizatorët e Kupës së Botës 2022 në Katar.
“Kanë mbetur vetëm tre muaj deri në Kupën e Botës, ndaj një shtyrje e turneut për vitin e ardhshëm duket e pamundur. Nga pikëpamja logjistike, ekonomike dhe politike, riplanifikimi i një mega eventi të tillë do të përbënte një sfidë të madhe. Për sa kohë që konflikti mbetet i kufizuar në Lindjen e Mesme, do të jetë e vështirë të justifikohet ose të shpjegohet një shtyrje.”
Lexo më tej: Meksika mes dhunës e trazirave, FIFA panik për Botërorin:alarm sigurie në Guadalajara
Megjithatë, Chadwick shton: “Nëse sulmet do të shtriheshin edhe në Evropë dhe Amerikën e Veriut, situata do të bëhej shumë më serioze. Për më tepër, nëse udhëtimet ajrore do të ndërpriteshin ose furnizimet me naftë do të pësonin goditje të rënda, konsideratat praktike mund ta detyronin FIFA dhe Shtetet e Bashkuara të vlerësonin alternativa për kompeticionin. Megjithatë është e qartë se Trump dhe administrata e tij do ta kundërshtonin fort një riplanifikim të turneut, pasi do ta konsideronin një kapitullim.”
Pra, mundësia e një shtyrjeje ekziston, por për momentin është mjaft e largët. Me shpresën që të mbetet e tillë, me Shqipërinë ose pa kuqezinjtë në turne.