Flash

Presidenti i ri i Kosovës/ Haxhiu: Duhen dy kandidatë për seancën!

Lapsi.al 4 March 2026
Presidenti i ri i Kosovës/ Haxhiu: Duhen dy kandidatë për

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit Albin Kurti e ka propozuar zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, për president të Kosovës, si dhe u ka bërë thirrje partive të tjera ta propozojnë kandidatin e tyre.

Konjufca është kandidati i vetëm i propozuar deri më tani, teksa po afrohet afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se për ta thirrur në seancë pr zgjedhjen e presidentit, nevojiten të paktën dy kandidatë në garë.

“Derisa nuk kemi së paku dy kandidatë që nuk kanë siguruar 30 nënshkrime për garën për president, unë nuk mund të thërrasë seancën për zgjedhjen e presidentit”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se kemi edhe “30 orë kohë” deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri.

Por, Kushtetuta, në nenin për zgjedhjen e presidentit, thotë se presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para se të përfundojë mandati i presidentit aktual, që në rrethanat e tanishme është data 5 mars, para se Vjosa Osmani ta mbyllë mandatin e saj më 4 prill.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha për Radion Evropa e Lirë se edhe nëse Kosova nuk e zgjedh presidentin deri më 5 mars, vendi nuk do të përballet me zgjedhje.

Sipas tij, nëse nuk përmbushet ky afat 30-ditor, bëhet shkelje kushtetuese, por nuk ka pasojë juridike si shkuarja në zgjedhje. Miftaraj thotë se nuk ekziston një nen ku mund të bazohej dekreti për shpërndarjen e Kuvendit.

Duke propozuar Konjufcën, LVV-ja tha në Facebook se si subjekt politik "është i bindur se në vendin tonë ka shumë emra të denjë për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore, rreth të cilëve do të mund të ndërtohej një pajtueshmëri për të ecur përpara".

"Në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme", tha partia në pushtet.

I menjëhershëm ishte reagimi i partive opozitare.

Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK) tha në Facebook se “qasja e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi".

Sipas LDK-së, për shkak të qasjes “së papërgjegjshme politike të VV-së, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja”.

Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), deputetja Vlora Çitaku tha se "tashmë është e qartë: Albin Kurti nuk kërkon zgjidhje, por pushtet total".

Çitaku shkroi në Facebook se "në kohën kur Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për maturi, unitet dhe përgjegjësi shtetërore, ai me vetëdije po e shtyn vendin drejt një krize të re politike".

Burime brenda PDK-së thanë për Radion Evropa e Lirë se deputetët e kësaj partie nuk shkojnë fare në seancë "derisa ka kandidatë partiakë pa marrëveshje politike".

Prej ditësh, në media janë përmendur emra të ndryshëm si kandidatë të mundshëm, të cilëve sot u janë shtuar edhe Konjufca, dhe ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.

Osmani më herët kishte shprehur gatishmërinë për të kandiduar edhe për një mandat tjetër në krye të shtetit.

Ajo ishte propozuar nga Vetëvendosje kur u zgjodh për herë të parë më 2021, por jo edhe këtë herë.

Kurti, i pyetur nga gazetarët më 2 mars pse nuk po e propozon Osmanin, la të kuptohej se ajo nuk gëzon mbështetje të gjerë, duke thënë se "ne duhet t'i kemi 80 veta që qëndrojnë në sallë dhe votojnë minimalisht".

"Prioritet absolut e kemi shmangien e zgjedhjeve të reja, duhet të sigurohemi që jo t'i kemi 80, por 84 apo 85", tha Kurti.

Gjatë ditës, deputetë të të gjitha partive janë parë pranë Kuvendit, të mbledhur në takime të grupeve parlamentare.

Një kandidat duhet t’i sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendin me 120 karrige, ndërsa kuorumi arrihet me 80 deputetë. Nëse në dy rundet e para një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61.

Vetëvendosje tha se është e gatshme t'ua mundësojë partive opozitare të propozojnë kandidat duke iu dhënë nënshkrimet e nevojshme prej 30 sosh.

Sipas Kushtetutës, po dështoi zgjedhja në këto tre runde, zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Zhvillimet e sotme pasojnë një sërë takimesh të ditëve të fundit mes kryeministrit Kurti dhe liderëve të partive opozitare, si Bedri Hamza i PDK-së dhe dy takime të njëpasnjëshme të hënën dhe të martën me Lumir Abdixhikun e LDK-së.

Takimet përfunduan pa ndonjë marrëveshje konkrete dhe pa konsensus mes palëve për emrin e kandidatit për president./Evropa e Lirë

Të këshilluara

ide

Shqipëria nuk ka pse të arrijë Europën, tani mund ta udhëheqë atë

Në një editorial për The Guardian, Lea Ypi shkruan se protestat e të rinjve tregojnë se Shqipëria mund t’i japë Europës një mësim mbi vetërespektin. Sipas saj, brezi që thotë “Shqipëria nuk është në shitje” po sfidon modelin ku natyra shitet për investime, demokracia kapet nga të pasurit dhe integrimi europian përdoret për të mbyllur gojën kritikëve.

16:35 Lea Ypi

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.19

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI