Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci tha në një konferencë për mediat se kjo forcë propozoi Glauk Konjufcën për President të Republikës meqë s’ka pasur marrëveshje me opozitën për një kandidat konsensual.
Nagavci tha se Lëvizja Vetëvendosje i kishte ofruar edhe Presidentes aktuale Vjosa Osmani 30 nënshkrime për të hyrë në garë në Kuvend, por sipas saj Osmani nuk e ka pranuar një ofertë të tillë.
“Ka pasur interesim për kandidimin e Presidentes edhe për një mandat. I kemi ofruar Vjosa Osmanit nënshkrimet për kandidaturën e saj, deri tani asnjë subjekt tillë s’e ka bërë një gjë të tillë. Osmani s’ka pranuar këtë ofertë”, - tha Nagavci.
Por kjo deklaratë është përgënjeshtruar menjëherë nga Presidenca e Kosovës. Në një njoftim në Facebook, presidenca deklaroi se një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe kjo është gënjeshtër.
“Presidentja Osmani demanton se i janë ofruar nënshkrimet dhe përkrahja nga VV për rizgjedhje si Presidente e Republikës se Kosovës. Kjo është gënjeshtër!”, - thuhet në reagim.

Pas këtij përgënjeshtrimi reagoi sërish Navagaci që garantoi se Lëvizja Vetëvendosje i ofron nënshkrimet edhe për Vjosa Osmanin.
“...sot i garantoj nënshkrimet e deputetëve, nëse themi që nuk është e vërtetë, unë sot jam e gatshme që të garantojë në emër të Lëvizjes që të ofrojë nënshkrime për të vazhduar gara”- tha shefja e deputetëve të LVV.
Këtë të mërkurë në Kuvendin e Kosovës u dorëzuan vetëm nënshkrimet e LVV për Glauk Konjfcën, por kryetarja Albulena Haxhiu tha se nuk mund ta thërriste seancën pasi sipas Kushtetutës duhet të ketë të paktën 2 kandidatë. Afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës është të enjten. ©LAPSI.al