Një torpedo e lëshuar nga një nëndetëse amerikane fundosi një anije luftarake iraniane në brigjet jugore të Sri Lankës. Administrata Trump vijon të godasë forcat ushtarake dhe udhëheqjen politike të Teheranit.
Të paktën 87 marinarë iranianë humbën jetën nga sulmi. Fregata po lundronte në ujëra ndërkombëtare teksa po kthehej nga një stërvitje detare e organizuar nga India në Gjirin e Bengalit. Sulmi me torpedo është vënë në pikëpyetje nga ish-zyrtarët amerikanë nëse qëllimi i Uashingtonit për të eliminuar të gjithë ushtrinë e Iranit shkel ligjin ndërkombëtar.
Incidenti ndodhi teksa sulmi ajror SHBA-Izrael ndaj Iranit po mbushte ditën e pestë.
Zyrtarët e Uashingtonit paralajmëruan se sulmet së shpejti do të godisnin objektiva "më thellë" në Iran. Forcat amerikane gjithashtu shënjestruan milicitë pro-iraniane në Irak, ndërsa Korpusi i Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC) njoftoi se do të vazhdonte sulmet me raketa dhe dronë ndaj objektivave në të gjithë Lindjen e Mesme.
Pete Hegseth, ish-prezantuesi i Fox News që tani drejton Pentagonin si Sekretar i Luftës, konfirmoi se SHBA-të fundosën fregatën. Pentagoni publikoi pamje bardh e zi të një torpedoje të rëndë “Mark 48” që godet fregatën.
Ky është një nga rastet e pakta që një nëndetëse fundos një anije që nga Lufta e Dytë Botërore dhe një shembull i rrallë i një sulmi ndaj një anijeje luftarake të huaj që nuk është pjesë e armiqësive direkte.
Zyrtarët e Sri Lankës thanë se kishin shpëtuar 32 persona nga anija, e cila besohej se mbante 180 anëtarë të ekuipazhit. Ekipet e emergjencës nxorën 87 trupa nga uji.
Wes Bryant, një ish-shef i operacioneve speciale të forcave ajrore amerikane tha se sulmi ishte i paligjshëm.
“A përbënte ajo anije luftarake në mënyrë aktive një kërcënim apo merrte pjesë në armiqësi? Nuk mund të thuash se kjo anije luftarake ishte një kërcënim i menjëhershëm për këdo. Duke e shënjestruar atë, a po thotë administrata Trump se kërcënimi i menjëhershëm është e gjithë qeveria dhe ushtria e Iranit? Nëse po, ky është një shembull tepër i rrezikshëm i tejkalimit ushtarak” – tha ai. ©LAPSI.al