Udhëheqja e Iranit po e hedh poshtë publikisht çdo mundësi për të negociuar me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për t'u dhënë fund sulmeve SHBA-Izrael, por në prapaskenë duket se janë duke u bërë përpjekje sekrete për të nisur kontaktet.
Sipas zyrtarëve të informuar mbi këtë çështje, një ditë pasi filluan sulmet, zyrtarët iranianë të inteligjencës iu drejtuan në mënyrë indirekte CIA-s nëpërmjet një agjencie inteligjence të një vendi të tretë, duke propozuar të diskutonin kushtet për përfundimin e konfliktit.
Sipas të njëjtave burime, zyrtarët amerikanë janë skeptikë nëse kjo iniciativë është një përpjekje e vërtetë për uljen e tensioneve. Ata thonë se, të paktën për momentin, as administrata Trump dhe as Irani nuk duken të gatshëm të kërkojnë një rrugëdalje të menjëhershme nga lufta.
Informacioni në lidhje me këto lëvizje të CIA-s u raportua për “New York Times” nga zyrtarë të Lindjes së Mesme dhe Perëndimit, të cilët folën në kushte anonimiteti. Shtëpia e Bardhë dhe qeveria iraniane nuk iu përgjigjën kërkesave për koment, por edhe CIA refuzoi të bënte ndonjë deklaratë.
Megjithatë, ky kontakt ngre një çështje thelbësore: nëse ka ende zyrtarë në Iran që mund të ndërmjetësojnë një marrëveshje armëpushimi, në një kohë kur udhëheqja e vendit është në trazira dhe zyrtarët e saj të lartë po vriten në sulmet izraelite.
Zyrtarët izraelitë, të cilët kërkojnë një operacion ushtarak sa më të gjatë dhe që do t’u shkaktonte dëme maksimale aftësive ushtarake të Iranit dhe potencialisht të rrëzojë qeverinë e vendit, i kanë kërkuar Shteteve të Bashkuara ta injorojnë këtë qasje. Për momentin, propozimi nuk shihet si serioz në Uashington.
Vetë Trump, pasi e la të hapur mundësinë e negociatave për ditë të tëra, shkroi në mediat sociale të martën se tani ishte "tepër vonë" për bisedime me Iranin. Duke folur me gazetarët më vonë, ai vuri në dukje se shumë nga zyrtarët iranianë që SHBA-të i kishin konsideruar si udhëheqës të mundshëm të ardhshëm tashmë janë vrarë në sulme.
Kjo qasje e fshehtë dhe destabilizimi i udhëheqjes iraniane nxjerrin në pah dilemën themelore me të cilën përballet Uashingtoni: çfarë forme pushteti mund të shfaqej në Iran pas luftës. Fillimisht, Trump kishte folur për mundësinë e një kryengritjeje popullore që do të përmbyste regjimin. Tani ai duket më pragmatik, duke marrë në konsideratë mundësinë e formave më të moderuara të pushtetit që dalin nga brenda sistemit politik ekzistues.
Sidoqoftë, zyrtarët e administratës Trump pritet të kërkojnë që Irani të braktisë ose të kufizojë në mënyrë drastike programin e tij bërthamor, programin e raketave balistike dhe mbështetjen për grupe si Hezbollahu, si kusht për t'u dhënë fund bombardimeve. Në këmbim, Trump ka lënë të kuptohet se mund t'u lejojë udhëheqësve mbijetues të Iranit të ruajnë pushtetin e tyre politik dhe ekonomik.
Presidenti amerikan madje ka përmendur shembullin e Venezuelës si model për një zgjidhje të mundshme. Pas arrestimit të Maduros, pasardhësi i tij pranoi, nën kërcënimin e presionit të mëtejshëm, t'ua dorëzojë SHBA-ve kontrollin e eksporteve të naftës me kushte të kufizuara për reforma politike.
Megjithatë, analistët paralajmërojnë se zhvillimi i krizës në Iran është jashtëzakonisht i vështirë për t’u parashikuar. Përpara se të fillonin sulmet, CIA kishte përgatitur një vlerësim të inteligjencës për skenarët e mundshëm në lidhje me formën e lidershipit që mund të dilte pas një operacioni ushtarak. Sipas zyrtarëve, asnjë nga skenarët nuk shoqërohej me një shkallë të lartë sigurie, pasi faktorët e panjohur janë të shumtë.
Disa e konsiderojnë të pamundur që opozita të marrë pushtetin. Po i kushtohet më shumë vëmendje mundësisë që një grup oficerësh të Gardës Revolucionare të dalë si forcë dominuese.
Në të njëjtën kohë, analistët paralajmërojnë se shteti iranian mund të humbasë kontrollin në zonat e largëta të vendit të dominuara nga pakicat etnike, siç janë kurdët, ose edhe të shembet plotësisht, duke çuar në kaos dhe dhunë të ngjashme me atë të parë në luftërat civile në Siri dhe Libi.
Gjithashtu mbetet e pasigurt nëse një kryengritje popullore do të çonte në një regjim miqësor ndaj Perëndimit. Disa analistë besojnë se një shtet i ri që del nga një luftë nuk ka gjasa të zhvillohet në një demokraci liberale. ©LAPSI.al