Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kërcënuar Spanjën me ndërprerje të plotë të marrëdhënieve tregtare, pasi shteti evropian refuzoi që t’i jepte Uashingtonit leje për përdorimin e dy bazave që operohen në mënyrë të përbashkët në jug të Spanjës për sulmet amerikane ndaj Iranit. Trump njoftoi gjithashtu se i ka thënë sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, që t’i ndërpresë të gjitha lidhjet tregtare me Spanjën.
“Spanja ka qenë e tmerrshme. Ne do ta ndërpresim tërë tregtinë me Spanjën. Nuk duam të kemi asgjë me Spanjën," tha Trumpi para gazetarëve gjatë një takimi me kancelarin gjerman, Friedrich Merz.
Kërcënimi i presidentit amerikan erdhi disa orë pasi ministri i Jashtëm i Spanjës i kishte minimizuar gjasat për ndonjë masë hakmarrëse nga Uashingtoni.
“Bazat e përdorura në mënyrë të përbashkët me ShBA-në janë baza sovrane spanjolle që operojnë brenda kornizës së traktatit me Shtetet e Bashkuara dhe ato mund të përdoren brenda këtij kushti – sovranitetit tonë dhe kornizës së traktatit”, tha ministri Jose Manuel Albares para gazetarëve pas një takimi javor të kabinetit qeveritar spanjoll të martën.
“Prandaj, nuk ka asgjë të çuditshme apo befasuese për këtë dhe ne nuk presim ndonjë pasojë. Unë nuk kam pasur asnjë bisedë të vetme me ndonjë përfaqësues amerikan e as nuk kam pasur ndonjë kërkesë në lidhje me këtë”, tha ministri spanjoll.
Trumpi gjithashtu e kritikoi Spanjën për refuzimin e propozimit të NATO-s që shtetet anëtare të aleancës t’i rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5 për qind të prodhimit vendës bruto (GDP).
“Të gjithë kishin entuziazëm për këtë Gjermania, të gjithë e Spanja nuk e bëri këtë. Tani Spanja tha se ne nuk mund t’i përdorim bazat e tyre në rregull është. Ne do të mund t’i përdornim bazat e tyre. Po të donim, vetëm do të lëshoheshim me fluturime dhe t’i përdornim. Askush nuk do të na thotë që të mos i përdorim, por nuk na duhen. Por ata ishin jomiqësorë”, tha më tej presidenti amerikan.
Pas deklaratave të Trump, qeveria spanjolle i është përgjigjur presidentit, duke theksuar se vendi është anëtar kyç i NATO-s dhe fuqi eksportuese e Bashkimit Evropian.
“Spanja respekton angazhimet e saj, është një partner tregtar i besueshëm për 195 vende në botë, përfshirë SHBA-të, me të cilat ruajmë një marrëdhënie historike dhe të ndërsjellë përfitueshme. Nëse qeveria amerikane dëshiron ta rishikojë këtë marrëdhënie, duhet ta bëjë duke respektuar autonominë e bizneseve private, legjitimitetin ndërkombëtar dhe marrëveshjet dypalëshe midis Bashkimit Evropian dhe SHBA-së,” thuhet në deklaratën e shpërndarë nga zyra e kryeministrit.