Flash

Rama: Ne jemi shpëtimtarët e natyrës

Kryeministri Edi Rama gjate takimit ne Shkoder me socialistet tha se ata jane shpetimtaret e natyres dhe jo shkaterrimtaret, duke sjell ne vemendje moratoriumi...

19:20

Mes kaosit në Iran, Ali Larijani del si lojtar kryesor

Lapsi.al 3 March 2026
Mes kaosit në Iran, Ali Larijani del si lojtar kryesor

Nga Ray Furlong, REL

Ndërsa Irani përballet me pasojat e sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit, që kanë vrarë disa - e ndoshta edhe dhjetëra - udhëheqës të lartë, Ali Larijani shfaqet si figurë kryesore në pushtetin e mbetur të vendit.

Politikan veteran, me një karrierë që përfshin pothuajse gjithë historinë e Republikës Islamike, Larijani u rikthye vitin e kaluar, pas një pushimi relativ, dhe që atëherë, ka një rol gjithnjë e më të rëndësishëm.

Mbulim direkt - Zhvillimet në Lindjen e Mesme

Një moment vendimtar për fatin e Larijanit ishte lufta 12-ditore e Iranit me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, në qershor të vitit të kaluar.

Vitin paraprak, 67-vjeçarit i ishte ndaluar të kandidonte për president për herë të dytë në tre vjet.

Por në gusht, pas konfliktit, ai u emërua në postin e rëndësishëm të sekretarit të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit - organit kryesor për hartimin e politikave në vend.

“Disa zhvillime të rëndësishme ndodhën gjatë luftës 12-ditore. Një çështje e madhe, siç u theksua nga zyrtarët në media, ishte llogaritja e gabuar e aftësive mbrojtëse të Iranit”, tha analisti politik iranian në Londër, Babak Dorbeigi, për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë në atë kohë.

“Megjithatë, çështja më kritike - ajo që kishte përparësi mbi të gjitha të tjerat - ishte të kuptuarit se, në kohë lufte, nuk mund të mbështetesh tek udhëheqësi suprem [Ajatollah Ali Khamenei]”, tha Dorbeigi.

Khamenei tani është i vdekur, ndërsa mbrojtja ajrore e Iranit është e mbingarkuar.

Larijani është bërë një nga zërat më të fuqishëm zyrtarë në Iran.

Deri më tani, është zë sfidues - më 2 mars, ai tha se Irani “nuk do të negociojë”.

Ai e pasoi këtë deklaratë me postime agresive në X, duke përfshirë mesazhe që, mësa dukej, tallnin presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

“Trump e tradhtoi politikën ‘Amerika e para’ për të miratuar politikën ‘Izraeli i pari’”, shkroi ai në një postim në gjuhën angleze me shkronja të mëdha.

Më 1 mars, Larijani njoftoi se është ngritur një këshill i ri udhëheqës i përkohshëm, për të qeverisur Iranin derisa të zgjidhet pasardhësi i Khameneit.

Ky këshill përbëhet nga Alireza Arafi, një figurë e lartë në establishmentin klerik; presidenti Masud Pezeshkian dhe kreu i gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni-Ejei.

Sipas Kushtetutës së Iranit, ky këshill do ta udhëheqë vendin derisa Asambleja e Ekspertëve prej 88 anëtarësh të mund të mblidhet për të zgjedhur udhëheqësin e ri suprem.

“Aktualisht, nuk ka shenja të qarta të kolapsit brenda Iranit. Strukturat vendimmarrëse mbeten funksionale. Institucionet e sigurisë po veprojnë në mënyrë kohezive”, shkroi më 2 mars në rrjetet sociale Danny Citrinowicz, studiues i lartë i Iranit në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Universitetin e Tel Avivit.

Larijani lindi në Naxhaf të Irakut në vitin 1958, në një familje klerikësh iranianë.

Familja e tij u zhvendos në Iran kur ai ishte ende fëmijë dhe, si i ri, përjetoi Revolucionin Islamik në vitin 1979.

Ai ishte komandant në Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), ku shërbeu midis viteve 1981-83, kaloi një dekadë si udhëheqës i televizionit dhe radios shtetërore nga viti 1994, ishte kryenegociator për çështje bërthamore i Iranit nga viti 2005 deri në vitin 2007 dhe shërbeu si kryetar i Parlamentit nga viti 2008 deri në vitin 2020.

Ai gjithashtu mbajti rolin aktual të sigurisë nga viti 2005 deri në vitin 2007.

Në rolet e tij të larta, Larijani fitoi famë ndërkombëtare, sidomos për mbështetjen që i dha marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera botërore.

Administrata e parë Trump u tërhoq nga kjo marrëveshje, por Larijani mbeti i përfshirë si këshilltar kryesor i Khameneit për çështjet bërthamore.

Që nga riemërimi i tij në krye të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, pushteti dhe rëndësia e tij u rritën edhe më.

Gjatë shtypjes brutale të protestuesve në janar, Uashingtoni e shtoi atë në listën e të sanksionuarve.

“Larijani ishte një nga udhëheqësit e parë iranianë që bëri thirrje për dhunë, në përgjigje të kërkesave legjitime të popullit iranian”, tha përmes një deklarate Thesari i SHBA-së më 15 janar.

Grupet e të drejtave të njeriut thanë se mijëra njerëz u vranë nga forcat iraniane të sigurisë, megjithëse numri i vërtetë mendohet të jetë shumë më i lartë.

Muajin e kaluar, Larijani vizitoi Omanin për t’u përgatitur për bisedimet indirekte me negociatorët amerikanë, që në fund dështuan të shmangnin luftën.

Ai ishte gjithashtu një vizitor i shpeshtë në Moskë muajve të fundit, por marrëdhëniet me Rusinë nuk arritën ta ndihmojnë në mbrojtjen e Iranit as në këtë dhe as në konfliktin e mëparshëm.

Gjatë kësaj kohe, Larijani dukej se po i qëndronte reputacionit të tij si pragmatist, duke deklaruar se çështja bërthamore është “e zgjidhshme” dhe duke u shprehur i hapur ndaj bisedimeve.

Por kjo, për momentin, është zëvendësuar me një ton më të ashpër.

Të këshilluara

ide

Shqipëria nuk ka pse të arrijë Europën, tani mund ta udhëheqë atë

Në një editorial për The Guardian, Lea Ypi shkruan se protestat e të rinjve tregojnë se Shqipëria mund t’i japë Europës një mësim mbi vetërespektin. Sipas saj, brezi që thotë “Shqipëria nuk është në shitje” po sfidon modelin ku natyra shitet për investime, demokracia kapet nga të pasurit dhe integrimi europian përdoret për të mbyllur gojën kritikëve.

16:35 Lea Ypi

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

MOTI TIRANA

27°c

KËMBIMI EURO

95.19

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI

Tony Awards 2026: Lista e fituesve

Ceremonia e 79-të e Tony Awards u rikthye në Radio City Music Hall, ku këngëtarja Pink bëri debutimin e saj si prezantuese në mbr...

14:43