Kompania 2A Group, që zotëron vetëm 2 për qind të aksioneve në koncesionin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, ka ndërmarrë një akt të hapur presioni duke ndaluar aksesin në ambientet e terminalit për drejtuesin e një grupit të punëtorëve të një kompanie nënkontraktore të MABCO-s, aksionerit që zotëron 98 për qind të projektit dhe që financon ndërtimin e tij. Lëvizja shihet si tentativa e radhës për të bllokuar punimet në projektin që konsiderohet strategjik për turizmin.
Episodi vjen në vijim të konfliktit të ndezur mes aksionerëve, pas rastit të rrafshimit të një zone kodrinore në fshatin Mifol, pranë aeroportit.
Në atë rast, 2A Group mori dheun e kodrës pranë aeroportit për mbushjen e pistës pa lejet përkatëse. Por banorët e Mifolit reaguan masivisht dhe ankesat e tyre u pasuan u pasqyruan në media, siç shihet më poshtë:
Pas kësaj, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ndërhyri, ndaloi aktivitetin dhe vendosi gjobë për shkelje ndaj kompanisë 2A Group.
Në vend që përgjegjësia të mbyllej me sanksionin administrativ, konflikti u zhvendos në një tjetër plan. 2A Group ndaloi dy ditë më parë hyrjen në terminal për z. Aldi Boriçi, drejtues i një sektori të një kompanie nënkontraktore të MABCO-s, me argumentin se ai “ka dëmtuar mediatikisht VIA-n”, për shkak se kishte mbështetur publikisht banorët në kundërshtimin e tyre për marrjen e dheut.
Në thelb, pas një shkeljeje të konstatuar dhe të ndëshkuar nga autoritetet shtetërore, masa ndëshkuese nuk bie mbi aktin e paligjshëm, por mbi një përfaqësues të palës që financon dhe mban peshën kryesore të investimit.
Veprimi merr një dimension edhe më të rëndë në kontekstin e situatës së brendshme të projektit. Edhe pse zotëron vetëm 2 për qind të aksioneve, 2A Group ka arritur të marrë kontrollin administrativ të aeroportit përmes vendimeve gjyqësore, të cilat prej kohësh janë kontestuar dhe janë depozituar ankesa në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë.
Në praktikë, këto vendime kanë prodhuar një realitet paradoksal: aksioneri minoritar ushtron kontroll faktik mbi kantierin deri në veprime abuzive, ndërsa aksioneri mazhoritar, që mban 98 për qind të aksioneve dhe financimin e projektit, përballet me kufizime operative në terren.
Ky bllokim i punimeve për arsye “mediatike” ngre pikëpyetje serioze për mënyrën se si po administrohet aeroporti. Në vend që konflikti të zgjidhet në rrugë institucionale dhe sipas peshës reale të kapitalit, po shkon drejt veprimeve abuzive, që shkaktojnë vonesa në kantier, në përpjekje për ta paralizuar funksionimin normal të punimeve.
Pyetja mbetet e hapur: Si është e mundur që në një investim ku 98 për qind e kapitalit dhe riskut mbahen nga një kompani, kontrolli praktik mbi territorin dhe aksesin në kantier të ushtrohet nga pala që zotëron vetëm 2 për qind? Mos ndoshta qëllimi real është bllokimi total i punimeve te aeroportit?
Përgjigjia e kësaj pyetjeje shkon përtej përplasjes mes dy aksionerëve. Ajo prek thelbin e funksionimit të rendit juridik dhe të sigurisë së investimeve në një projekt që është shpallur strategjik dhe që përfaqëson një nga ndërhyrjet më të mëdha infrastrukturore në jug të vendit.
Denoncimi në Vlorë: 2A Group e Valon Ademit po më vjedh, policia nuk e ndal!
Më poshtë teksti i emailit të Vegim Hoxhës, administrator i emëruar nga kompania me 2% të projektit, që urdhëron ndalimin në ambjentet e aeroportit të kompanisë nënkontraktore të MABCO, që ka 98% të aksioneve.
From: Vegim Hoxha <[email protected]>
Date: Tue, Feb 24, 2026 at 2:24 PM
Subject: Njoftim mbi ndalimin e hyrjes dhe operimit – Z. Aldi Boriçi
To: Sazan Gorishova <[email protected]>
I nderuar z. Sazan Gorishova,
Në cilësinë e Administratorit të shoqërisë Vlora International Airport sh.p.k. (VIA), ju njoftoj se është vendosur ndalimi i menjëhershëm i hyrjes dhe operimit të z. Aldi Boriçi në ambientet e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Ky vendim është marrë duke marrë në konsideratë dëmin e shkaktuar ndaj shoqërisë VIA, si dhe daljet publike mediatike, të cilat kanë cenuar interesat dhe imazhin institucional të shoqërisë.
Me respekt,
Vegim Hoxha
Administrator
Vlora International Airport