Flash

Reformat për shtetin dhe reformat për pushtetin

Lapsi.al 27 February 2026
Reformat për shtetin dhe reformat për pushtetin

Reformat që bëhen për të forcuar shtetin kanë dy karakteristika themelore. Së pari, ato zgjidhin një problem real dhe të rëndësishëm me të cilin përballet shteti, demokracia apo shoqëria në përgjithësi. Së dyti, reforma të tilla duhet të rrisin standartin e qeverisjes në nivelet më të larta të pushtetit. 

Nëse një reformë apo ndryshim legjislativ nuk përmbush këto dy kritere bazë, atëherë kemi të bëjmë me një reformë që nuk synon forcimin e shtetit por të pushtetit. 

Ky është rasti i ndryshime që po i bën Kodit të Procedurës Penale shumica socialiste. Në thelb të këtyre ndryshimeve është ndalimi i pezullimit të ministrave nga SPAK. Ofrohet një zgjidhje për një problem që nuk ekziston as për shtetin, as për kushtetutën dhe as për demokracinë shqiptare. 

Përkundrazi, është një zgjidhje që  përkeqëson problemet reale dhe madhore me të cilat përballet drejtësia, politika dhe shoqëria shqiptare, siç janë paraburgimi, përdorimi i pushtetit politik si imuntet përballë drejtësisë apo mungesa e standarteve morale në qeverisje. 

Le ti marrim me rradhë të dy aspektet e mësipërme, duke filluar me faktin që pezullimi i ministrave nga drejtësia nuk është aspak një problem themelor i qeverisjes dhe shtetit shqiptar, as historikisht, as ligjërisht dhe as institucionalisht.

Historikisht, në më shumë se tre dekada tranzicion, vetëm një herë sistemi i drejtësisë ka urdhëruar pezullimin e një ministri, siç ishte rasti Balluku. Pra, nuk kemi të bëjmë me një problem kronik dhe të përsëritur që kërkon një zgjidhje urgjente, siç po bën shumica socialiste sot. Nxitimi i tyre për të zgjidhur një problem që ende nuk ka lindur mirë është tejet i dyshimtë në një vend që ka plot probleme që janë rritur dhe pjekur me kohë në sistemin e drejtësisë, siç është paraburgimi apo vonesat e tmerrshme në dhënien e vendimeve nga gjykatat. 

Off the record/ Fjalët e Ramës në "funeralin politik" të Ballukut

Aq më tepër kur pezullimi i Ballukut nuk ishte një rast arbitrar dhe i beftë që bllokoi qeverisjen apo goditi shtetin dhe shoqërinë shqiptare. Bëhej fjalë për një pezullim sa të vonuar edhe të paralajmëruar. Ministria që ajo drejtonte prej më shumë se dy vitesh ishte përfshirë në një vorbull korrupsioni dhe skandalesh që rezultoi në arrestime në nivelet më të larta administrative, duke përfshirë  edhe bashkëpunëtorë të ngushtë të ministres Balluku.

Po ti shtojmë kësaj edhe evidencat e zbardhura në media, telefonatat dhe përgjimet e vetë ministres që tregonin qartë se tenderat jepeshin me gisht dhe jo me ligj, pezullimi i SPAK ishte jo vetëm i nevojshëm, por i vonuar. Aq me tepër kur nuk dëgjuam asnjë shpjegim nga vetë qeveria dhe ministrja në lidhje me atë që u shfaq në media.  

Nëse Shqipëria do ndiqte një standart sado minimal demokratik dhe evropian Balluku do duhej të kish dhënë dorëheqjen ose të pezullohej prej kohësh nga vetë Kryeministri pa pritur  SPAK-un. E thënë ndryshe, nuk kemi të bëjmë aspak me një kapriço anti-ligjore të SPAK, që i ra në qafë ministres së shkretë, sikurse na thotë propaganda qeveritare.

Dhe këtu vijmë tek dimensioni ligjor. Idea se pezullimi i Ballukut përbënte precedent për pezullimin e qeverisë sipas tekave të çdo prokurori të SPAK-ut është produkt i ankthit dhe i ndërgjegjjes së trazuar të rilindjes më shumë sesa i ligjit apo i rastit Balluku.

Balluku nuk u pezullua nga prokurorët e SPAK, por nga Gjykata për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO). Dhe ky pezullim nuk ishte aspak arbitrar, por i bazuar në një hetim afatgjatë që kish prodhuar tashmë arrestimin e bashkëpunëtorëve të saj të ngushtë, si dhe përgjime dhe evidenca konkrete se tenderat ishin dhënë me telefon dhe jo me komision.  

Për më tepër, pezullimi mund të ankimohet në Apelin e Posacëm të GJKKO, siç në fakt bëri Balluku. Ekzistojnë pra, një sërë hallkash dhe procedurash ligjore mes midesë së prokurorit dhe pezullimit të ministrit. Nuk bëhet fjalë për kapricot e një prokurori inatcor, siç na thotë propaganda rilindëse.  

Në fakt, rasti Balluku tregoi se procesi funksioni pikërisht sipas gërmës dhe frymës së ligjit, dhe në përputhje të plotë me misionin anti-korrupsion të SPAKU-ut, për të garantuar integritetin e hetimeve që prej kohësh kishin zbardhur shkelje të rënda në administratën e saj. Kjo e shqetësoi pushtetin, dhe jo fakti se SPAK po shkelte ligjin, ndarjen e pushteteve apo Kushtetutën. 

Fakti që Gjykata Kushtetuese e la në fuqi pezullimin e Ballukut na tregon se ky vendim i GJKKO nuk ishte anti-kushtetues. Ky është i vetmi interpretim ligjor i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht piruetave të qeverisë dhe zëdhënësve të saj që po e përdorin atë si justifikim për të veshur me imunitet ministrat përballë hetimeve të SPAK-ut. 

Veshja e ministrave me imunitet përballë SPAK-ut nuk zgjidh ndonjë krizë kushtetuese dhe as nuk forcon ndonjë parim demokratik konkret, sepse pezullimi i ministrave nga drejtësia është një praktikë që në vetvete nuk është as anti-kushtetuese dhe as anti-demokratike.

Natyrisht është një çështje e diskutueshme që hap debat mbi kufinjtë e pushteteve. Ama nuk është një çështje jetike as për qeverisjen dhe as për demokracinë shqiptare, të paktën sot për sot. 

Askush nuk mund të argumentojë se demokracia dhe qeverisja jonë kanë vuajtur historikisht, apo se po vuajnë sot, nga uzurpimi që drejtësia i ka bërë kompetencave të ekzekutivit për të emëruar ministrat.  

Pezullimi i një ministri nga SPAK nuk nënkupton pezullimin e institutionit por të individit, i cili mund të zëvendësohet lehtësisht. Argumenti i kryeministrit Rama se ai nuk mund të qeveriste pa Ballukun nuk është institucional por personal. Ai vërteton akuzat e SPAK-ut se qeverisja dhe tenderat bëhen me individë dhe jo me ligje. 

Kemi të bëjmë me shtetin e individit dhe jo të ligjit. Ky është, në fakt, problemi themelor i shtetit tonë që historikisht është bazuar tek Maliqi dhe jo tek Ligji. Një nga tiparet kryesore të tij ka qenë dhe mbetet përdorimi i pushtetit politik si imunitet kundër hetimit dhe dënimit nga drejtësia. SPAK u krijua pikërisht për të tejkaluar këtë handikap. 

Reuters për Belinda Ballukun: Dosja e korrupsionit në zemër të qeverisë shqiptare!

Ndryshimet e propozuara nga Rama e përkeqësojnë problemin e shtetit Maliq, sepse dobësojnë ligjin dhe forcojnë Maliqin. Eleminimi i pezullimit të ministrave nga SPAK jo vetëm krijon akoma më shumë imunitet politik për pushtetarët përballë drejtësisë, por deformon edhe një parim themelor të demokracisë, sipas të cilit më shumë pushtet nënkupton më shumë përgjegjësi.

Me ndryshimet aktuale SPAK mund të pezullojë një drejtor drejtorie si dhe një nënpunës të thjeshtë, por jo një ministër. Këtu kemi një standart  të dyfishtë anti-demokratik. Ata që janë lart janë më të mbrojtuar përballë SPAK-ut  se ata që janë poshtë. 

Paradoksalisht, një institucion si SPAK që u krijua enkas për të hetuar ata që janë lart, tashmë lejohet të pezullojë vetëm ata që janë poshtë. Kështu vetë misioni anti-korrupsion i SPAK kthehet me kokë poshtë sipas parimit peshku qelbet nga bishti.

Kjo është në fakt historia që shteti, demokracia dhe shoqëria jonë ka vuajtur prej vitesh. Të pushtetshmit historikisht nuk janë prekur nga drejtësia e cila ka dënuar, paraburgosur dhe pezulluar me qindra e mijëra zyrtarë dhe qytetarë të thjeshtë, por rrallë, shumë rrallë, ata që janë lart.

SPAK-u u krijua pikërisht për të ndryshuar këtë padrejtësi historike, për të eleminuar të paprekshmit që abuzonin lirshëm me pushtetin atje lart. Sot, pikërisht kur SPAK po arrin të vendosë drejtësi në nivelet më të larta të qeverisjes, pushteti nxiton ta bllokojë atë, pa i debatuar më parë në mënyrë transparente dhe demokratike ndryshimet që kërkon ti bëjë Kodit Penal.

Fjalimi pro Ballukut/ Mesazhi i kriptuar që Rama i çoi Brukselit

Madje pa analizuar me qetësi efektet perverse që kanë këto ndryshime për fenomene si paraburgimi, që është një problem real i shoqërisë dhe drejtësisë shqiptare, edhe pse ende nuk kemi ndonjë nxitim nga pushteti për ta zgjidhur atë. 

Eleminimi i pezullimit të ministrave e detyron SPAK-un që për të ruajtur integritetin e hetimit të kërkojë gjithnjë arrestimin, qoftë ky arrest shtëpie apo paraburgim. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi pas refuzimit të Ramës, për të pranuar pezullimin e Ballukut. Përballë këtij refuzimi SPAK u detyrua të kërkojë arrestimin e saj për të ruajtur integritetin e hetimit. 

Kemi të bëjmë me një ndryshim ligjor që prodhon më shumë paraburgim dhe masa represive edhe pse qeveria dhe autoparlantët e saj kanë kohë që denoncojnë republikën tonë represive të paraburgimit. 

Kaq mjafton për të kuptuar se reforma në fjalë është ndërtuar për të zgjidhur hallin imediat të pushtetit përballë hetimeve të SPAK-ut dhe jo hallet afatgjata dhe të rënda të shtetit dhe të shoqërisë sonë. 

Shkruar enkas per Lapsi.al nga Blendi Kajsiu

Të këshilluara

Sa po paguan Rama për të mbrojtur Ballukun

Përpëlitja gati tre mujore e Edi Ramës për të mbrojtur me çdo kusht Belinda Ballukun si dhe shkuarja më tej, për të prodhuar ligje të reja që forcojnë paprekshm...

18:24

Çmimi që Rama pagoi për fitoren me Trump

Edi Rama pati më në fund 40 sekondat e tij të lavdisë, për të cilat ishte stërmunduar aq shumë. Ky qe maksimumi në kohë i imazheve që arriti të rimbledhë nga sh...

19:01

Dita kur autokrati njësoi aktet me fjalorin

Edi Ramës i duhet njohur së paku një meritë: nëse në veprime dhe në akte ai është sjellë si autokrat, në pamje të jashtme, ai i ka kamufluar ato me një aureolë ...

15:04

Rreziku që i kanoset Ramës nga dosja Balluku

Edi Rama mund të jetë përditë e më shumë i kërcënuar nga zhvillimet e dosjes Balluku. Dhe kjo jo për atë që pretendojnë shumë nga kundërshtarët e tij, se zv/kry...

18:58

Si të qeverisësh për veten

Rama është thelbi i qeverisjes Rama. Nuk është imponimi i një vizioni apo ideologjie specifike në mënyrë diktatoriale. Ndryshe nga tirania, që sipas Aristotelit...

11:42

Qeverinë Rama e rrëzoi Balluku

Pafuqaia e opozitës përballë pushtetit të Edi Ramës shpesh nuk na lë të shohim se qeveria e tij ka rënë tashmë, të paktën moralisht. Natyrisht që si pasojë e ko...

12:13

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI