Flash

BIRN: Rama shkarkon Belinda Ballukun nga postet në qeveri

Lapsi.al 26 February 2026
BIRN: Rama shkarkon Belinda Ballukun nga postet në qeveri

Pas një mbledhjeje maratonë të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama vendosi mbrëmjen e së enjten që të shkarkojë Belinda Ballukun nga postet e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, pasi udhëhoqi një betejë 3-mujore për mbrojtjen e saj përballë hetimit të Prokurorisë së Posaçme për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.

Balluku do të zëvendësohet në kabinet nga Albana Koçiu në postin e zv.kryeministres, ndërkohë që portofoli i ministrit të Infrastrukturës dhe Energjetikës do të kontrollohet nga Enea Karakaçi, një vartës i Ballukut dhe së fundmi drejtor i OSHEE.

Vendimi për shkarkimin e Ballukut u shoqërua me ndryshime të gjera në qeveri, mes të cilave spikasin shkarkimet e ministres së Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali dhe ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vëngu.

Spiropali do të zëvendësohet nga ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, ndërkohë që në postin e Vëngut do të ngjitet Ermal Nufi – zv.sekretar i Përgjithshëm në Këshillin e Ministrave.

Ndërkohë, lëvizjet paralele përfshinë Besfort Lamallarin, i cili do të zhvendoset nga Ministria e Drejtësisë në atë të Brendshme si dhe Toni Gogun, që merr postin e mbetur vakant të ministrit të Drejtësisë.

Deputetja e re, Erjona Ismaili do të zëvendësojë Gogun si ministre për Parlamentin.

Ndryshimet në kabinetin qeveritar erdhën pas një periudhe tensioni dhe përplasjesh mes kryeministrit Edi Rama dhe sistemit të ri të drejtësisë, për shkak të hetimeve të profilit të lartë ndaj ish-zv.kryeministres Balluku dhe drejtoreshës jetëgjatë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.

SPAK e akuzon Ballukun për shkelje të përsëritur procedurave të prokurimit në disa tendera me vlerë qindramilionë euro, ndërkohë që qëndrimi i mazhorancës ndaj kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të saj është ende i paqartë.

Në një fjalim të gjatë përpara grupit parlamentar të enjten paradite, Rama akuzoi prokurorët e SPAK se po abuzonin me fletë- thirrjet e arrestimet dhe akuzoi gjykatat se po ndërhynin në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv.

Me një retorikë të ndezur kundër drejtësisë, Rama tha se si kryeministër nuk mund të pranonte që vendi të paguajë çmimin që kanë paguar vende të tjera, ku sipas tij, “….antikorrupsioni është bërë një kurë më e dëmshme se sa vetë sëmundja e korrupsionit…”.

“E di praktikën europiane të dorëheqjes morale, por sot në Shqipëri kur përmes SPAK, drejtësia ka nisur të bëjë një shërbim të pamohueshëm për vendin dhe po bën dëm serioz kolateral për administratën, duke e përmbysur parimin e prezumimit të pafajësisë, mekanizmi i qeverisë së vendit nuk mund të ç’kurdiset kur prokuroria ngre një akuzë,” deklaroi kryeministri.

Gjatë fjalës së tij, ai bëri edhe avokatinë publike ndaj Mirlinda Karçanajt, një tjetër zyrtare e lartë të qeverisë që akuzohet se është pjesë e një grupi të strukturuar kriminal në paracaktimin e tenderave të AKSHI, një strukturë në varësi direkte të Kryeministrit.

Rama paralajmëroi gjithashtu ndryshime të rëndësishme në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale, të cilat shihen me dyshim nga ekspertët si “shkopinj nën rrota” ndaj reformës në drejtësi të vitit 2016.

Në këtë kontekst, Rama ka depozituar në Kuvend me firmën e tij një projektligj për ndryshimin e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale për të mbrojtur kabinetin e tij nga masa e pezullimit të detyrës. /Reporter.al

Të këshilluara

Ndryshimet e Ramës në qeveri, reagon Berisha

Kryetari i PD-së Sali Berisha ka bërë një deklaratë pas ndryshimeve në qeveri. “Lëvizja e fundit e Edi Ramës është një lëvizje që kërkon të shpëtojë lëkurën ...

20:57

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet ptotesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI