Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një njoftim të pazakontë sigurie, duke paralajmëruar qytetarët amerikanë për të shmangur disa ambiente në kryeqytet, për shkak të rrezikut të mundshëm të dhunës hakmarrëse dhe shqetësimeve që lidhen me sigurinë.
Në mesazhin zyrtar, të shpërndarë përmes kanaleve të komunikimit të ambasadës, theksohet se bëhet fjalë për një “masë paraprake sigurie”, ndërsa përmenden konkretisht katër subjekte: Juvenilja, Kështjella Juvenilja, Pastiçeri Venezia dhe Klubi i Magjisë. Sipas njoftimit, këto ambiente janë shpallur të ndaluara për personelin e Ambasadës Amerikane.
Alarmi mban datën e premte, 20 shkurt 2026, dhe i referohet Tiranës si vendndodhje. Në tekst thuhet se masa merret “për shkak të mundësisë së dhunës hakmarrëse dhe/ose raportimeve për praktika të padrejta biznesi dhe shqetësime për sigurinë”.
Njoftime të tilla zakonisht publikohen nga përfaqësitë diplomatike amerikane kur vlerësohet se ekziston një rrezik i shtuar për shtetasit e tyre, qoftë për shkak të zhvillimeve kriminale, tensioneve specifike apo informacioneve të inteligjencës që sugjerojnë kërcënime të mundshme.
Deri në momentin e publikimit të këtij njoftimi, autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë një reagim zyrtar lidhur me situatën apo me arsyet konkrete që kanë çuar në këtë paralajmërim publik. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë sqarime shtesë mbi nivelin real të kërcënimit dhe masat e marra për garantimin e rendit dhe sigurisë në kryeqytet.
