Ekonomia
Rritja ekonomike në fund të 2025 u ngadalësua në 1.4%, më pak se parashikimet. Edhe pse janë shtuar vende pune dhe konsumi mbetet i fortë, ekonomia nuk i ngjan “epokës së artë” të premtuar nga Trump. Shumë votues shprehin pakënaqësi për koston e jetesës, pavarësisht papunësisë dhe inflacionit relativisht të ulët.
Tarifat
Politika e tarifave, marka ekonomike e Trump, u godit nga Gjykata Supreme, e cila vendosi se ai kishte tejkaluar kompetencat. Vendimi krijoi pasiguri për strategjinë e tij për ringjalljen e industrisë amerikane. Ndërkohë, shumica e votuesve besojnë se tarifat rrisin çmimet. Trump reagoi ashpër dhe paralajmëroi tarifa të reja nën një bazë tjetër ligjore.
Emigracioni
Agjenda e ashpër kundër emigracionit po përballet me reagim publik pas operacioneve agresive të agjentëve federalë në Minneapolis. Vrasja e dy qytetarëve amerikanë gjatë protestave dhe raste të tjera të diskutueshme kanë rritur pakënaqësinë. Gati gjysma e votuesve mendojnë se Trump "e ka tepruar", megjithëse emigracioni mbetet një nga temat qendrore të tij.
Politika e jashtme
Premtimi për t’i dhënë fund “luftërave të pafundme” duket i lëkundur, ndërsa SHBA përgatitet për goditje të reja ndaj Iranit. Trump po shqyrton edhe skenarë për ndryshim regjimi. Ai ka krijuar gjithashtu “Bordin e Paqes”, të prezantuar si alternativë ndaj OKB-së, por aleatët europianë nuk janë bashkuar.
Ligji dhe rendi
Nën drejtimin e Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi, Departamenti i Drejtësisë është akuzuar për përdorim politik. Janë hapur hetime ndaj figurave si James Comey dhe Letitia James, por disa çështje janë rrëzuar nga gjykatat. Publikimi i dosjeve Jeffrey Epstein mbetet i pjesshëm dhe me shumë redaktime.
Krimi
Trump pretendon se ka ulur krimin në nivele historike. Megjithatë, statistikat tregojnë se rënia e vrasjeve kishte nisur para rikthimit të tij në pushtet. Norma e vrasjeve pritet të bjerë në nivelin më të ulët të regjistruar në 2025, por kjo vijon një trend rënës që nisi gjatë administratës Biden.
Shëndetësia
Rritja e kostove të kujdesit shëndetësor dhe frika për shkurtime në Medicaid dhe Obamacare kanë shtuar shqetësimet. Mbi gjysma e amerikanëve druajnë se nuk do të përballojnë shërbimet bazë këtë vit. Ndërkohë, axhenda “Make America Healthy Again” e Robert F. Kennedy Jr. ka hasur reagime për dobësim të politikave të vaksinimit dhe kërkimit shkencor.
Në përfundim, ndërsa Trump vazhdon të paraqitet si reformator dhe garant i forcës amerikane, realiteti politik dhe ekonomik mbetet thellësisht i polarizuar.
Përgatiti në shqip ©LAPSI.AL