Aeroporti i Vlorës gjendet sot mes dy interesave që përplasen fort me njëri tjetrin, optimizmit të tregut turistik që pret sa më parë fillimin nga puna dhe pasigurisë juridike që po e zvarrit projektin në një spirale vendimesh gjyqësore. Në një intervistë për Monitor, Elvis Kotherja, themelues i Elite Travel Group & Elite Hospitality, konfirmon se partnerët nordikë kanë nisur shitjet e biletave dhe se fluturimet charter drejt Vlorës pritet të sjellin mijëra turistë që në sezonin e parë.
[caption id="attachment_1065655" align="alignnone" width="1024"]
Elvis Kotherja, themelues i Elite Travel Group & Elite Hospitality[/caption]
I pyetur nëse beson se aeroporti i Vlorës do të hapet këtë sezon, ai shprehet: “Duke parë angazhimin e autoriteteve qendrore, gjithashtu edhe interesin e investitorëve, nuk shoh ndonjë shenjë që kjo nuk do të ndodhë, sepse infrastruktura dhe angazhimi janë maksimal.
Administrata komunikon dhe është në lidhje të sigurt. Kjo më bën ta përjashtoj si mundësi moshapjen. Të paktën për charter-at, do të nisë. Me shumë mundësi, kompani si Lufthansa, Austrian Airlines, etj., dhe linjat schedule do të fillojnë pas tre muajsh, por jam i bindur që fluturimet charter do të hapen shumë shpejt.”
Sipas planeve të prezantuara, aeroporti synon të kthehet në portën hyrëse të jugut, nga Ksamili deri në Gjirin e Lalëzit, duke e zhvendosur një pjesë të fluksit nga Tirana drejt bregdetit jugor.
Optimizmi i operatorëve turistikë mbështetet në kërkesën konkrete të tregut. Sipas planeve të njoftuara, fluturimet charter nga vendet nordike drejt Vlorës synojnë të sjellin dhjetëra mijëra turistë në vitet e para të operimit, duke e pozicionuar aeroportin si një nyje të re hyrëse për jugun e vendit, nga Ksamili deri në Gjirin e Lalëzit.
Por ndërsa kërkesa duket se është gati dhe partnerët ndërkombëtarë kanë nisur shitjet, në planin juridik situata paraqitet krejt tjetër. Vendimi i fundit i Gjykatës së Apelit ka rikthyer pasigurinë mbi kontrollin e shoqërisë koncesionare që menaxhon Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Sipas të dhënave të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, 98% e aksioneve zotërohen nga MABCO Construction, ndërsa 2% nga 2A Group.
Apeli zhyt në pasiguri aeroportin e Vlorës/ Investimi miliona euro në duart e 2%
Megjithatë, vendimi i fundit i Apelit në kundërshtim me një vendim të mëparshëm të po kësaj gjykate që orientonte respektimin e peshës reale të aksioneve, ka rritur fuqinë vendimmarrëse të ortakut minoritar, duke zgjatur konfliktin dhe duke lënë të pezulluar ushtrimin e plotë të kontrollit nga aksioneri i shumicës.
Kjo situatë krijon një paradoks të fortë ekonomik dhe juridik: një investim prej dhjetëra milionë eurosh, me risk financiar të përqendruar tek aksioneri me 98% të kapitalit, mbetet në praktikë i ekspozuar ndaj bllokimeve nga një pakicë me 2%. Për një projekt strategjik për zhvillimin e turizmit në jug, çdo zvarritje përkthehet në kosto financiare, pasiguri për kontraktorët dhe sinjal negativ për investitorët e huaj.
Situata mbetet kontradiktore ndërsa çdo ditë që afron sezoni turistik shton paqartësinë, nga njëra anë, operatorët turistikë që presin charter-at e parë dhe prenotimet që po rriten; nga ana tjetër, një betejë gjyqësore e provokuar nga interesat e atyre që shpërndajnë koncensione dhe tendera në këtë vend dhe që rrezikon të vendosë fatin e një investimi strategjik.
Nëse aeroporti do të hapet këtë sezon, siç shprehet me bindje Kotherja, apo do të mbetet peng i një spiraleje vendimesh gjyqësore, kjo do të jetë prova më konkrete për klimën reale të investimeve dhe sigurinë juridike në Shqipëri.